Skandal në Gjykatë: Polici gjyqësor dhe postieri nën hetim për ryshfet deri në 1 mijë euro për premtime lirimi
Për një polic gjyqësor dhe një postier, është dhënë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Pranim të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit gjatë periudhës nga gushti i 2025-es, deri më 7 prill […]
Për një polic gjyqësor dhe një postier, është dhënë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Pranim të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit gjatë periudhës nga gushti i 2025-es, deri më 7 prill të 2026-es, nga një dëshmitar kanë pranuar nga 500 deri në 1000 euro, me premtimin se do të siguronin një vendim lirues në instancat më të larta gjyqësore. Rasti ka nisur pasi dëshmitari, i dënuar me një vit burg nga shkalla e parë, përmes një fqinji ka kontaktuar fillimisht postierin, i cili më pas e ka vënë në kontakt me policin gjyqësor. Ky i fundit sipas prokurorisë, është prezantuar si person me përvojë të gjatë në gjykatë dhe me lidhje me gjyqtarë në të gjitha nivelet, duke pretenduar se mund të ndikojë në ndryshimin e vendimit. I bindur në këto pretendime, dëshmitari fillimisht ka dhënë 500 euro, ndërsa më pas gjatë vitit 2026 edhe dy pagesa me nga 500 euro tjera, me arsyetimin se ndërmjetësimi do të vazhdonte edhe në Gjykatën Supreme, pasi Gjykata e Apelit kishte konfirmuar dënimin.
“Gjatë vitit 2026, dëshmitari i ka paguar të dyshuarit polic gjyqësor 30.000 denarë si shpërblim për ndërmjetësimin. Pasi Gjykata e Apelit në Shkup e konfirmoi vendimin e shkallës së parë. Më 07.04.2026, dëshmitari i ka paguar edhe 30.000 denarë të tjera policit të dyshuar si shpërblim për ndërmjetësim të pretenduar para gjyqtarëve të Gjykatës Supreme që duhet të vendosin në procedurë,” thonë nga Prokuroria.
- Gjatë vitit 2026, dëshmitari i ka paguar të dyshuarit 30.000 denarë për ndërmjetësimin
- Më pas ka paguar edhe 30.000 denarë të tjera për ndërmjetësim në Supreme
Prokuroria ka kërkuar masa më të rrepta, por gjykata ka vendosur 30 ditë paraburgim për policin gjyqësor dhe arrest shtëpiak për postierin. Prokuroria ka paraqitur ankesë. /Alsat.mk