Skandal në Maqedoninë e Veriut: Udhëtonin nëpër Evropë me autobusë e kamionë me patentë shoferi të falsifikuar, arrestohet zyrtarja e MPB-së
Një skandal i rëndë i falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe rrezikimit të sigurisë në komunikacionin ndërkombëtar është zbardhur nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, e cila ka ngritur akuzë kundër gjashtë personave për veprën penale...
Një skandal i rëndë i falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe rrezikimit të sigurisë në komunikacionin ndërkombëtar është zbardhur nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, e cila ka ngritur akuzë kundër gjashtë personave për veprën penale të vazhduar „Falsifikim i dokumenteve“, përcjell INA.
Në qendër të kësaj skeme korruptive është një e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), e angazhuar si këshilltare e re në Sektorin për Punë Administrative në Shkup.
Sipas aktakuzës, nga shtatori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2026, ajo ka keqpërdorur me fjalëkalimet e saj zyrtare sistemin e MPB-së, ku ajo ka ndërhyrë tek patentët e shoferit tek persona të caktuar, duke i regjistruar atyre kategoritë „C“ dhe „D“, edhe pse ata nuk e kishin kaluar kurrë provimin përkatës.
Sipas hetimit, shoferët pa provim në linja ndërkombëtare: Pesë të akuzuarit e tjerë – shoferë të cilët e dinin se nuk zotëronin kualifikimet e nevojshme, kanë përdorur këto leje të falsifikuara për të aplikuar dhe marrë certifikata të kompetencës profesionale për transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave.
Disa nga të akuzuarit kanë kaluar kufirin shtetëror rreth 30 herë, ndërsa të tjerët dhjetëra herë, duke drejtuar autobusë me pasagjerë dhe kamionë me mallra në komunikacionin ndërkombëtar.
Gjykata ka vazhduar masën e paraburgimit për zyrtaren e MPB-së dhe dy nga shoferët. Për tre të akuzuarit e tjerë, të cilët ndodhen në arrati, është caktuar masa e paraburgimit e cila do të zbatohet menjëherë pas kapjes së tyre, ndërsa procedura ndaj tyre do të vazhdojë në mungesë.
Përveç gjashtë të akuzuarve kryesorë, Prokuroria është duke grumbulluar prova edhe për 21 persona të tjerë, të cilët dyshohen se kanë ndërmjetësuar ose kanë shfrytëzuar leje të ngjashme të falsifikuara.
Paralelisht me procesin gjyqësor, Ministria e Punëve të Brendshme ka inicuar procedurë disciplinore ndaj zyrtares së akuzuar dhe e ka pezulluar atë menjëherë nga detyra.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.