Softueri për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në RMV assesi të vihet në punë, tek tani është bërë analizë për përmirësimin e tij

Softueri për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut assesi të vihet në punë. Pavarësisht se analiza për përmirësimin dhe funksionalizimin e tij është realizuar së fundmi, ai është funksional vetëm pjesërisht, duke pamundësuar kështu një kontroll të plotë dhe efektiv mbi zyrtarët që nuk kanë deklaruar disa nga pasuritë e tyre. Ky […]

shkurt 4, 2025 - 09:00
 0  4
Softueri për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në RMV assesi të vihet në punë, tek tani është bërë analizë për përmirësimin e tij
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavijë: Qeveria e RMV-së)

Softueri për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut assesi të vihet në punë. Pavarësisht se analiza për përmirësimin dhe funksionalizimin e tij është realizuar së fundmi, ai është funksional vetëm pjesërisht, duke pamundësuar kështu një kontroll të plotë dhe efektiv mbi zyrtarët që nuk kanë deklaruar disa nga pasuritë e tyre. Ky projekt softuerik është paralajmëruar që në vitin 2020, por është vënë pjesërisht në funksion vetëm në fillim të vitit 2024. Kur Portalb.mk kërkoi informacion më të detajuar mbi gjendjen aktuale të softuerit, nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit nuk dhanë shpjegime të detajuara se sa ka avancuar funksionalizimi i tij, përveç se njoftuan se është kryer analiza e nevojave të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, një proces që ishte paralajmëruar që në muajin maj të vitit të kaluar.

“Nëpërmjet projektit BE – IPA II është bërë një analizë e nevojave të KSHPK-së si dhe mundësive për përmirësimin dhe funksionalizimin shtesë të Sistemit Elektronik për paraqitjen e deklaratës së gjendjes pronësore dhe interesave, nga e cila është nxjerrë një listë me kërkesa, të cilat do të kontribuojë në përmirësimin funksional të zgjidhjes softuerike në drejtim të rritjes së numrit të regjistrave nga të cilët do të sigurohen të dhënat në formë elektronike, verifikimi i automatizuar i deklaratave të gjendjes pasurore dhe interesave, përmirësimi i vizualizimit të të dhënave dhe raporteve, si dhe korrigjimi i dobësive të cilat janë zbuluar, si dhe mundësitë për funksionim më efikas të të njëjtit në të ardhmen”, thanë nga KSHPK.

Cilat module janë funksionale

Ky softuer përmban disa module, të cilat gjithashtu duhet të jenë funksionale që të jetë e plotë edhe puna e softuerit. Dy module janë në funksion të plotë, njëri modul ende jo e ai ka të bëjë me nevojat e KSHPK-së dhe mundësive të ofrimit të të dhënave nga institucionet e tjera shtetërore ndaj bazave të të dhënave.

  • Moduli për regjistrin e personave të zgjedhur dhe të emëruar ka filluar të aplikohet nga data 15.02.2023 dhe është plotësisht funksional.
  • Moduli për raportimin elektronik të gjendjes pasurore dhe interesave është vënë në funksion më 01.01.2024 dhe është plotësisht funksional.

Për sa i përket modulit për shkëmbimin elektronik të të dhënave me institucionet kompetente, KShPK vitin e kaluar për Portalb.mk njoftoi se edhe pse në përputhje me nenin 25 paragrafi 4 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, në ushtrimin e kompetencave të veta, KShPK-ja ka qasje në bazat e të dhënave që mbahen në autoritete dhe institucione të tjera, duke pasur qasje të drejtpërdrejtë elektronike dhe duke përdorur të dhëna nga bazat e të dhënave, pa kompensim nga 17 institucione shtetërore, përmes platformës së ndërveprueshmërisë së MShIA-së, janë lidhur memorandume për shkëmbimin elektronik të të dhënave me pesë institucione, përkatësisht: Agjencia kadastrale e patundshmërive, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Depozita Qendrore e Letrave me Vlerë.

Me Depozitën Qendrore të Letrave me Vlerë KShPK është e integruar dhe e lidhur drejtpërdrejt me shërbimin, ndërsa integrimi i KShPK-së përmes sistemit të Interoperabilitetit të MSHIA-s realizohet me institucionet dhe regjistrat e mëposhtëm:

  • Ministria e Brendshme:
    -regjistri i dokumenteve personale (kërkimi me numrin amë),
    -regjistri i automjetit (kërkimi me numrin e regjistrimit dhe numrin amë),
    -regjistri i lejeve të armëve (kërko me numrin amë).
  • Regjistri qendror RMV-së:
    -regjistri i personave juridikë,
    -informacion mbi personat juridikë në RMV – statusi aktual (kërkimi me numrin amë të subjektit),
    -ndryshime në regjistrin e personave juridikë të institucioneve publike.
  • Drejtoria e të Ardhurave Publike:
    -regjistri i deklaratave tatimore vjetore,
    -PBB-ja totale (sipas numrit amzë),
    -GDP e grupit (sipas numrit numrit amë),
    -GDP e detajuar (sipas numrit numrit amzë dhe grupit).
  • Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme:
    -regjistri i dokumenteve të pronësisë (kërkimi me numrin e dokumentit të pasurisë).

Rëndësia e softuerit

Softueri i KShPK-së kontrollon nëse zyrtarët nuk kanë deklaruar një pronë të caktuar që e posedojnë. Ky softuer është paralajmëruar që në vitin 2020 dhe po atë vit të vihej në funksion, mirëpo, vetëm në fillim të vitit 2024 është vënë në funksion.

Antikorrupsioni, i destinuar për të luftuar korrupsionin has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punësuarve në sektorin publik.

Pasi ka funksionarë që nuk e paraqesin pronën e saktë, evidentimi është i vështirë. Duhet të ketë mekanizëm për të detektuar kur dyshohet për rritje enorme ose rritje mbi nivelin e të ardhurave të ndonjë zyrtari dhe krijon dyshime për punën e përditshme, ku më pas duhet të vijojë edhe hapja e procedurës për verifikim.

Ndryshe, zyrtarët që nuk e paraqesin pasurinë në Komisionin Kundër Korrupsionit marrrin vetëm me gjobë. Qeveria ka disa vite që njofton se do të miratohet Ligji për prejardhjen e pasurisë, me të cilin zyrtarët do të duhet të shpjegojnë pasurinë e fituar në mënyrë disproporcionale dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të konfiskohen, por propozimi nga qeveria  e kaluar, tashmë është zhdukur. 

Pra, në drejtim të luftimit të korrupsionit duhet të jetë dhe Ligji për Prejardhjen e Pronës. Funksionarët do të vazhdojnë të kenë hapsirë më të madhe për ta fshehur pasurinë edhe për një periudhë të pacaktuar.

Në nëntor të vitit 2021 u tha se propozimi i këtij ligji ishte dërguar në Komisionin e Venedikut, pas çka, po atë muaj, do të duhej të shqyrtohej nga ekspertët vendas, por tani ky propozim ligj është zhdukur pa nam e pa nishan.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.