Sondazhi i Flakës: “Skandaloze” – kështu e vlerësojnë 75% deklaratën e Shasivarit

Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ngjallur reagime të shumta te lexuesit e Flakës. Në sondazhin VOX të Flakës, me pyetjen “Si e vlerësoni d...

shtator 23, 2026 - 22:30
Sondazhi i Flakës: “Skandaloze” – kështu e vlerësojnë 75% deklaratën e Shasivarit

Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ngjallur reagime të shumta te lexuesit e Flakës.

Në sondazhin VOX të Flakës, me pyetjen “Si e vlerësoni deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me krerët e UÇK-së?”, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve e kanë cilësuar deklaratën si “skandaloze”.

Nga gjithsej 97 vota, rezultati ishte:

  • Skandaloze – 73 vota (75%)
  • E pamatur – 8 vota (8%)
  • Profesionale dhe e paanshme – 14 vota (14%)
  • Nuk kam mendim – 2 vota (2%)

Rezultati tregon se 75% e pjesëmarrësve në sondazh e kanë vlerësuar negativisht deklaratën, duke e cilësuar atë “skandaloze”, ndërsa 8% e kanë konsideruar “të pamatur”.

Nga ana tjetër, 14% e votuesve e kanë vlerësuar deklaratën si profesionale dhe të paanshme, ndërsa 2% kanë deklaruar se nuk kanë mendim.

Çfarë tha sot Shasivari?

Duke komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, tha se katër të dënuarit konsiderohen të pafajshëm në aspektin juridik deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

“Katërshja në aspektin juridik konsiderohet e pafajshme”, tha Shasivari, duke iu referuar ish-krerëve të UÇK-së.

Ai u shpreh gjithashtu se respektimi i një vendimi gjyqësor nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim me të, duke theksuar se ekziston e drejta e ankesës si një nga mjetet juridike për kundërshtimin e vendimit.

“Respektimi i vendimit nuk do të thotë pajtim për vendimin, me qenë se të thuash të respektohet vendimi, që është qëndrim edhe i bashkësisë ndërkombëtare, nuk do të thotë pajtim ose pranim i vendimit, me qenë se e drejta e ankesës është një nga mjetet kryesore juridike për kontestimin e këtij vendimi”, deklaroi Shasivari, përcjell TV21.

Deklarata e ministrit vjen në një kohë kur vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë dhe qëndrimet politike e institucionale ndaj tij vazhdojnë të jenë temë e debatit publik në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.

VOX i Flakës pasqyron qëndrimet e pjesëmarrësve në sondazh dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht opinionin e përgjithshëm publik.

The post Sondazhi i Flakës: “Skandaloze” – kështu e vlerësojnë 75% deklaratën e Shasivarit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.