Studentët e universitetit “Nënë Tereza” përballë harxhimeve të mëdha, shpenzojnë mijëra denarë për libra dhe transport
Të jesh student në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup nënkupton të harxhosh mijëra denarë për libra dhe literaturë, ndërsa po qe se vjen nga ndonjë qytet tjetër edhe mijëra denarë të tjera për transport. Studentët ankohen për standardin studentor, kërkojnë më shumë ndihmë dhe lehtësime nga autoritetet, shkruan Portalb.mk. Mijëra denarë për literaturë dhe transport […]
Të jesh student në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup nënkupton të harxhosh mijëra denarë për libra dhe literaturë, ndërsa po qe se vjen nga ndonjë qytet tjetër edhe mijëra denarë të tjera për transport. Studentët ankohen për standardin studentor, kërkojnë më shumë ndihmë dhe lehtësime nga autoritetet, shkruan Portalb.mk.
Mijëra denarë për literaturë dhe transport
Një studente e vitit të parë nga fshati Mateç Komuna e Likovës kërkon që universiteti të ua mundësojë që librat të jenë falas.
“Një libër që na nevojitet kushton në mbi 700 denarë edhe pse shumicën e librave i bëjmë fotokopje por prapë se prapë ato kushtojnë. Duke mos i përmbledhur të gjitha librat në këtë semestër kam shpenzuar në mbi 3 mijë denarë dhe duke mos i llogaritur gjërat tjera elementare që i nevojiten një studenti. Kjo na ngarkon financiarisht neve studenteve, dhe po ashtu duke mos i përfshirë shpenzimet tjera si transporti, ushqimi e shumë gjëra të tjera. Është e domosdoshme që të merren masa dhe librat të jenë falas, ose të ofrohen alternativa më të përballueshme”, tha studentja.
Përveç librave, harxhimet e një studenteje tjetër nga Kumanova e cila udhëton çdo ditë për në universitet shkojnë në mbi 7 mijë denarë.
“Kjo shumë për mua si studente është e pa përballueshme, mos të flasim për harxhimet të tjera si: librat, fotokopjet, ushqimi, dhe gjera të tjera elementare që i nevojiten çdo studenti. Kërkoj nga universitet që së paku disa nga librat t’i kemi falas dhe mos të kemi nevojë ti fotokopjojmë, dhe kjo gjë do të na lehtëson shkollimin”, tha studentja nga Kumanova.
Një studente tjetër nga Shkupi e cila studion dizajn tekstil dhe modelim paguan në mbi 4 mijë denarë vetëm për materialet e tekstilit.
“Për të studiuar dizajn kushton shumë dhe jo vetëm për materialet e tekstilit, por edhe ngjyrat të cilat na nevojiten kushtojnë 6 mijë denarë dhe këtë e kemi patjetër ta blejmë sepse janë të gjitha ngjyrat që na nevojiten gjatë punimeve. Ndërsa pjesa e mjeteve në të cilën përfshihen 4 lapsa që kushtojnë 1 mijë denarë, gërshërë, gjilpëra e shumë gjëra të tjera. Mendoj se të gjitha këto materiale duhet t’i kemi nga ana e universitet sepse tek e fundit dizajn jemi duke studiuar”, tha studentja.
Kuvendi studentor: Rrallë kemi hasur në ankesa për libra
Pavarësisht se stuentët ankohen, kryetari i Kuvendit Studentor në Universitetin “Nënë Tereza” Omer Hebibi thotë se rrallë kanë hasur në ankesa për blerjen e librave. Por, ai thotë se do e aktualizojnë këtë çështje dhe të gjejnë zgjidhje sa më shpejtë.
“Kjo sfidë lidhet kryesisht me drejtimet specifike dhe deficitare që kanë një kërkesë të veçantë për materiale dhe literaturë, të cilat nuk janë gjithmonë lehtësisht të disponueshme. Sidoqoftë, jemi të angazhuar të përmirësojmë këtë situatë dhe të sigurojmë që studentët të kenë qasje më të lehtë te materialet e nevojshme”, tha Hebibi.
Ai theksoi se Kuvendi Studentor i UNT ka propozime të vazhdueshme që stafi akademik të pranojë mundësinë që librat apo literatura bazë të mund të kopjohen në mënyrë që studentët të shmangin kostot e larta që lidhen me blerjen e literaturës së nevojshme.
“Deri tani, një pjesë e konsiderueshme e stafit ka mbështetur këtë ide, duke e bërë të mundur që studentët të kenë një kosto më të përballueshme në jetën e tyre akademike”, tha Hebibi.
UNT-ja lavdërohet për të arriturat, nuk përgjigjet për ankesat e studentëve
Lidhur me ankesat e studentëve kontaktuam Universitetin “Nënë Tereza”. Nga atje nuk u përgjigjën konkretisht për këta ankesa, por u lavdëruan për “mundësitë dhe kushtet e favorshme” që ofron universiteti.
“Këto kushte përfshijnë: Kosto të përballueshme studimi, mundësi për përfshirje akademike, infrastrukturë moderne, biblioteka universitare, materiale mësimore”, thanë nga UNT-ja.
Studentët ankohen, funksionarët lavdërohen
Derisa studentët ankohen për standardin studentor të lartë dhe sfidat me të cilat përballen, zyrtarët nuk hezitojnë të lavdërohen në rrjetet sociale se mbështesin studentët.
Para pak ditësh një grup studentësh të Universitetit “Nënë Tereza” vizituan Qeverinë ku u pritën nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe zëvendësministrja e Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila edhe ka ligjëruar në këtë universitet.
“Për ne, mbështetja e studentëve nuk është vetëm një detyrë, por një përgjegjësi e madhe dhe një privilegj. Ata janë pasuria më e madhe që kemi, dhe përkushtimi ynë ndaj tyre duhet të jetë i pakushtëzuar”, tha Mexhiti pas takimit.
FNA kërkon arsimi publik në RMV të jetë falas
Ndërsa nga Forumi për Ndryshim në Arsim (FNA) theksuan se arsimi publik në Maqedoninë e Veriut është tejet i shtrenjtë dhe se studentët nuk e paguajnë vetëm me para, por edhe me shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
“Ne si FNA kemi kërkuar vazhdimisht që arsimi publik në Maqedoni të jetë falas. Për të marrë shembull pozitiv se si duhet të bëhet kjo, s’ka nevojë të shkojmë shumë larg, mjafton të merret Kosova, atje studentët e universiteteve publike s’paguajnë asnjë cent për semestër. Arsimi falas është thelbësor për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë të rinjtë, pavarësisht prejardhjes së tyre socio-ekonomike”, thanë nga Forumi për Ndryshim në Arsim.
MASH: Arsimi i lartë nuk është i detyrueshëm
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se në Maqedoninë e Veriut arsimi i lartë nuk është i detyrueshëm sipas Kushtetutës dhe dispozitave ligjore, por ata theksuan se të rinjtë i stimulojnë duke iu dhënë bursa në kategori të ndryshme.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës angazhohet për të stimuluar sa më shumë të rinj që të vendosin të avancohen akademikisht dhe të lehtësojë procesin e tyre të studimeve, duke dhënë disa bursa të kategorive të ndryshme, të drejtë në vaktin e subvencionuar për studentët, mbulimit të 50% të pagesës për akomodimin në konvikte studentore… Në të kaluarën është realizuar edhe një projekt për blerjen me mbi 1000 titujve të literaturës profesionale – libra dhe tekste të shpërndara në institucionet e arsimit të lartë dhe të disponueshme për studentët në bibliotekat universitare”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Kujtojmë se gjatë muajit nëntor Portalb.mk raportoi për problematikën e njëjtë edhe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, studentët e të cilit përballen me problematika të ngjashme.
- LEXO: Mjekëve të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut iu “digjen xhepat”, kërkojnë ndihmë më të madhe nga autoritetet
- LEXO: ANALIZË: Sa kushtojnë shpenzimet për studentët për semestrin dimëror në gjashtë universitetet shtetërore?
- LEXO: Studentët në RMV përballë shumë harxhimeve dhe as(pak) ndihmave shtetërore, FNA i publikoi shifrat