Qendra për Mbështetje të Grave në Tetovë ofron ndihmë falas për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës
Në nivel global ka nisur fushata “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me qëllim ndërgjegjësimin për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, transmeton Portalb.mk. Në rajonin e Pollogut, Qendra për Mbështetjen e Grave – Tetovë është një qendër këshilluese që ofron shërbime konfidenciale, të specializuara dhe falas për të ndihmuar dhe mbështetur […]
Në nivel global ka nisur fushata “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me qëllim ndërgjegjësimin për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, transmeton Portalb.mk.
Në rajonin e Pollogut, Qendra për Mbështetjen e Grave – Tetovë është një qendër këshilluese që ofron shërbime konfidenciale, të specializuara dhe falas për të ndihmuar dhe mbështetur gratë dhe fëmijët që kanë mbijetuar ndonjë formë të dhunës me bazë gjinore ose në familje.
Qendra për mbështetje të grave Tetovë është një nga tri qendrat këshilluese rajonale të menaxhuara nga Rrjeti Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje – Shkup. Në rajonin e Pollogut, këshillimorja funksionon në partneritet me Shoqatën e Psikologëve, Këshilluesve dhe Psikoterapeutëve “Cortex” – Tetovë.
Qendra e këshillimit ofron:
- Këshillim për realizimin e të drejtave sociale,
- Këshillim psikologjik dhe psikoterapi,
- Ndihmë dhe mbështetje juridike,
- Këshillim për karrierë dhe mbështetje mentoruese për fuqizimin ekonomik.
Qendra gjendet në Rrugën 29 Nëntor nr. 23 Tetovë, punon nga e hëna deri të premten nga ora 08:00 – 16:00. Të interesuarit mund të paraqiten në numrin 075/344-770.
“Raportimi i dhunës nuk është vetëm një detyrim ligjor – është pjesë e përgjegjësisë kolektive për të siguruar një shoqëri pa dhunë. Dhuna në familje nuk është vetëm një problem personal apo familjar, është një sfidë shoqërore e rrënjosur thellë që na prek të gjithëve. Është e nevojshme të krijohet një mjedis në të cilin çdo viktimë do të inkurajohet të raportojë dhunën që përjeton dhe të ndihet e sigurt se do të marrë mbështetjen e nevojshme institucionale”, thonë nga Qendra.
Sipas Qendrës, më e raportuar është dhuna fizike, e cila shpesh pason pas dhunës psikologjike, kurse më pak e raportuar është dhuna ekonomike dhe dhuna seksuale nga partneri intim ose në një marrëdhënie martesore.
Qendra filloi me punë në Dhjetor të vitit 2021 dhe bashkë me ekipin e saj të psikologëve, punonjësve socialë, këshilltarëve juridik dhe këshilltarëve të karrierës, punon për të ofruar këshillim për të drejtat sociale, këshillim psikologjik dhe psikoterapi, ndihmë dhe mbështetje juridike, këshillim për karrierë dhe referimin dhe shoqërimin e shfrytëzuesve tanë në institucionet kompetente dhe organizata të tjera.