Studentët kërkojnë mbështetjen e profesorëve për protestën e paralajmëruar më 6 prill
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë adresuar thirrje publike drejtuar profesorëve universitarë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për protestën e paralajmëruar më 6 prill, ora 12:30. Përmes kësaj letre, studentët kërkojnë solidaritet dhe përkrahje në një çështje që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave […]
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë adresuar thirrje publike drejtuar profesorëve universitarë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për protestën e paralajmëruar më 6 prill, ora 12:30.
Përmes kësaj letre, studentët kërkojnë solidaritet dhe përkrahje në një çështje që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj – konkretisht, mundësinë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Ju jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në përgatitjen tonë si profesionistë të së ardhmes dhe në edukimin tonë si qytetarë të përgjegjshëm. Rrugëtimi ynë akademik na ka bashkuar në momente krenarie, kujtime të bukura studentore, por edhe në sfida të përbashkëta. Sot gjendemi përballë një sfide të tillë, ku mbështetja dhe zëri juaj janë të domosdoshëm për ne. Unionet e studentëve në Universitetin e Tetovës, Universitetin “Nënë Tereza” dhe Universitetin e Europës Juglindore janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë që na takon me Kushtetutë dhe ligj, por që për vite me radhë u mohohet kolegëve tanë nga Fakulteti Juridik: mundësi në për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”.
Studentët do të protestojnë më 6 prill për provimin e jurisprudencës
“Duke parë politizimin, refuzimin dhe pengesat që na paraqiten, tre unionet e studentëve kanë thirrur protestë më 6 prill, ora 12:30 në Shkup duke filluar marshutën nga Ura e Gurit. Mbështetja juaj e çmuar nuk na ka munguar asnjëherë, prandaj jemi të bindur se edhe kësaj radhe do të qëndroni pranë nesh jo vetëm brenda kampuseve universitare, por edhe përmes një mbështetjeje publike dhe pjesëmarrjes suaj në ditën e protestës. Ju ftojmë që të bëni apel publik për mbështetje masive të protestës paqësore dhe për pjesëmarrje dinjitoze. Nga ana jonë, do të bëjmë përpjekje maksimale që të jemi shembullorë, të përgjegjshëm dhe të denjë për besimin tuaj”, thuhet në thirrjen e studentëve drejtuar profesorëve.