Studentët shqiptarë paralajmërojnë protestë: “E drejta nuk negociohet”
Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po hyn në fazë përplasjeje të hapur mes studentëve dhe institucioneve. Pa një zgjidhje konkrete në horizont, studentët shqiptarë kanë The post Studentët shqiptarë paralajmërojnë protestë: “E drejta nuk negociohet” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po hyn në fazë përplasjeje të hapur mes studentëve dhe institucioneve. Pa një zgjidhje konkrete në horizont, studentët shqiptarë kanë nisur mobilizimin publik me pankarta në disa qytete, duke paralajmëruar edhe protesta.
“Gjuhën e kemi amanet” dhe “E drejta nuk negociohet” janë mesazhet që janë shfaqur në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Kërçovë. Këto mesazhe sinjalizojnë qartë se nisma nuk do të ndalet.
Rreth 385 studentë nga tre universitetet shqiptare – UT, UEJL dhe UNT – përmes një peticioni kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën në të cilën ata studiojnë. Sipas tyre, kjo nuk është kërkesë politike, por e drejtë ligjore.
Ata kanë paralajmëruar se nëse kërkesa vazhdon të injorohet, protesta është hapi i radhës.
Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Igor Filkov, mban një qëndrim të prerë: provimi nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe. Madje, rekomandimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve i ka cilësuar si “presion” dhe ka dorëzuar ankesë ndaj tyre.
Ndryshe nga ministria, Hristijan Mickoski ka lëvizur në qëndrime. Fillimisht deklaroi se studentëve duhet t’u mundësohet provimi në shqip, por më pas u tërhoq duke thënë se ligji aktual nuk e lejon një gjë të tillë. Ai premtoi ndryshime ligjore, duke theksuar se përfundimisht do të pritet edhe mendimi i Komisionit të Venecias.
Ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka konstatuar shkelje dhe i ka tërhequr vërejtje Ministrisë së Drejtësisë për moszbatimin e detyrimeve ligjore. Edhe Avokati i Popullit ka hyrë në këtë çështje, duke kërkuar ndryshimin e tre ligjeve kyçe – për jurisprudencën, noterinë dhe përmbarimin – në mënyrë që ato të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Ministria, megjithatë, këmbëngul se provimi i jurisprudencës është “provim profesional dhe jo procedurë administrative”, duke tentuar ta përjashtojë nga detyrimi për përdorimin e gjuhëve.
Nga ana tjetër, interpretimi juridik nuk është aq i pastër sa e paraqet ministria. Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston asnjë dispozitë që e kufizon provimin vetëm në gjuhën maqedonase. Ndërkohë, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në nenet 2 dhe 5, obligon institucionet shtetërore të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha procedurat.
Kjo e kthen çështjen në një konflikt klasik interpretimi: a është ky provim pjesë e “procedurave shtetërore” apo një kategori e veçantë që i shmanget ligjit për gjuhët?
Për studentët, dilema nuk ekziston. Ata e kanë vendosur narrativën qartë: kjo është çështje e së drejtës, jo e vullnetit politik. Dhe me paralajmërimin për protesta, presioni po zhvendoset nga tavolina institucionale në rrugë. Gazeta Flaka

The post Studentët shqiptarë paralajmërojnë protestë: “E drejta nuk negociohet” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .