Taravari: ASH e ka opsionin të del vet në zgjedhjet lokale, nuk do të bashkohemi me krahun e Selës
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një prononcim për mediat para se të fillojë mbledhja e Kuvendit të partisë në Gostivar tha se kjo parti do të tentojë të gjejë zgjidhje për të shkuar bashkë në zgjedhjet lokale në RMV, si pjesë e koalicionit VLEN,por që, nëse kjo nuk ndodh, do të marrin pjesë […]


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një prononcim për mediat para se të fillojë mbledhja e Kuvendit të partisë në Gostivar tha se kjo parti do të tentojë të gjejë zgjidhje për të shkuar bashkë në zgjedhjet lokale në RMV, si pjesë e koalicionit VLEN,por që, nëse kjo nuk ndodh, do të marrin pjesë të vetëm, transmeton Portalb.mk.
Taravari theksoi se të gjitha gjërat do të diskutohen brenda dhe do të dilet me një konkluzë të përbashkët.
“Do të tentojmë që deri në fund të gjejmë një zgjidhje së bashku me VLEN-in, nëse jo e kemi opsionin që të shkojmë vet në zgjedhje”, deklaroi Taravari.
Kujtojmë se së fundmi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, ka mos-pajtueshmëri rreth paraqitjes së këtij formati të koalicionit në zgjedhjet lokale.
Ai mohoi se krahu i tij i partisë ka synime për ribashkim me krahun e Ziadin Selës.
Ka gjasa që Isen Shabani të jetë kandidat për kryetar të Vrapçishtit.
“Isen Shabani prej so të të bëhet anëtar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët këtu dhe do të jetë me shumë gjasa, normalisht Kuvendi do të duhet të vendosë, do të jetë kandidat i ASH-së për komunën e Vrapçishtit. Deri tash është i pavarur, tash bëhet anëtar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët”, tha Taravari.
U miratua rezoluta mbi tragjedinë në Koçan dhe domosdoshmërinë e llogaridhënies institucionale
Në mbledhjen e Kuvendit të kësaj partie u miratua një rezolutë me tetë pika ku mes tjerash kërkohet zhvillimi i një hetimi të plotë, të pavarur dhe transparent mbi tragjedinë në Koçan, siç thonë “nën drejtimin e institucioneve kompetente, të çliruara nga çdo ndikim politik, me detyrim për informim të rregullt dhe publik të qytetarëve për ecurinë dhe gjetjet e hetimit.”
Gjithashtu mes tjerash kjo parti kërkon “rihapjen e hetimeve për tragjeditë e mëhershme, Durmo Turs, Besa Trans dhe Spitali Modular në Tetovë, të cilat së bashku kanë marrë jetën e 135 qytetarëve dhe për të cilat ende nuk është vendosur përgjegjësi institucionale apo individuale.” thuhet në përmbajtjen e rezolutës.
Në pikën tre thuhet “Kërkohet identifikimi dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësisë, si individuale ashtu edhe institucionale, përmes analizës së thelluar të shkaqeve të dështimeve sistemike, duke adresuar neglizhencën, paaftësinë dhe praktikat korruptive.”
Pas mbledhjes pritet të dalin me deklaratë zyrtare për vendimet e Kuvendit të kësaj partie.