Taravari: Maqedonisë së Veriut i mungojnë të paktën 1000 mjekë

Të paktën 1000 mjekë mungojnë në shëndetësinë e Maqedonisë së Veriut, thekson ministri përgjegjës Arben Taravari në një bisedë për Zërin e Amerikës. Ministri njofton punësimin e 600 specializantëve privatë, si dhe gjetjen e zgjidhjes për 1200 punonjës shëndetësorë të punësuar me kontratë pune, transmeton Portalb.mk. “Maqedonia ka nevojë për të paktën 1000 mjekë urgjentisht […]

Nëntor 12, 2024 - 12:00
 0  5
Taravari: Maqedonisë së Veriut i mungojnë të paktën 1000 mjekë
Mjek, foto nga Akhil Kokani/Pixabay

Të paktën 1000 mjekë mungojnë në shëndetësinë e Maqedonisë së Veriut, thekson ministri përgjegjës Arben Taravari në një bisedë për Zërin e Amerikës. Ministri njofton punësimin e 600 specializantëve privatë, si dhe gjetjen e zgjidhjes për 1200 punonjës shëndetësorë të punësuar me kontratë pune, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia ka nevojë për të paktën 1000 mjekë urgjentisht dhe pa vonesë, të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm”, thotë ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një prononcim për Zërin e Amerikës.

Taravari thekson se për tejkalimin e kësaj situate është marrë vendimi i qeverisë për punësimin e 600 specializantëve privatë. Treqind prej tyre deri në fund të këtij viti dhe treqind të tjera vitin e ardhshëm.

“Cilët janë kandidatët e mundshëm për të ikur nga vendi? Shpresoj që vitin e ardhshëm të gjejmë një zgjidhje, përveç 300 kursantëve, të punësojmë rreth 300-400 mjekë, që do të na mundësojë të kemi njëfarë qëndrueshmërie të spitaleve, sidomos në brendësi të vendit”, thotë Taravari. 

Taravari pret që deri në fund të vitit të zgjidhet statusi i 1200 punonjësve të tjerë shëndetësorë, disa prej të cilëve punojnë me kontratë prej 10 vitesh. Me këtë, thotë ai, do të bëhet shumë për sistemin shëndetësor.

Në bazë vjetore, sipas ekspertëve mjekësorë, largohen rreth 250 mjekë, si dhe personel tjetër mjekësor.

“Mjekët janë të pakënaqur me statusin e tyre në shoqëri dhe shtet. Pakënaqësia është në radhë të parë me atë se si shteti e vlerëson punën e tyre. Të ardhurat e ulëta natyrisht janë bazë për daljen e personelit mjekësor jashtë vendit dhe sigurisht kushtet e përgjithshme në vend”, sqaron mjeku Nikolla Bakraçeski.

Bakraçeski thotë se në vitet e kaluara ka pasur ndryshime pozitive, kur me ndryshimet në rregulloren ligjore është hapur mundësia që mjekët të punojnë në një aktivitet shtesë.

“Ligji për aktivitet shtesë të mjekëve është një nga masat që ndoshta në të ardhmen, nëse përmirësohen disa elemente në rregulloren shëndetësore, do të mbante një pjesë të mirë të mjekëve”, thotë Bakraçeski.

I pyetur nëse masat që po paralajmërojnë do të parandalojnë daljen e mëtejshme të personelit mjekësor, Taravari thotë se ka ende shumë punë për të bërë.

“Të thuash që do ta parandalojmë 100 përqind është e pamundur. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të mbajtur profesionistët tanë, e kam fjalën për kujdesin shëndetësor. Një nga mënyrat që po flasim me kryeministrin dhe sindikatat e shëndetësisë është të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të kënaqshme për ta, në mënyrë që pjesa më e madhe e tyre të qëndrojë në vend”, thotë Taravari.

“Kemi nevojë për të paktën tetë mjekë. Problemin e kemi te mjekët. Nuk kemi mjaftueshëm, madje nuk janë as në listën e punësimit në Zyrën e Punësimit. Disi shikojnë në qendra më të mëdha për të gjetur punë ose të shkojnë jashtë vendit”, thotë Vladimir Bunçeski, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Strugës.

Për shkak të mungesës së mjekëve, disa nga repartet e spitalit në brendësi janë mbyllur. Të tjerët, nga ana tjetër, punojnë me gjysmën e kapaciteteve të tyre.

Ndryshe, edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë thekson se edhe pse mbrojtja shëndetësore primare sigurohet falas, financimi i saj është dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian. KE poashtu rikujton se punonjësit shëndetësorë vazhdojnë të largohen nga shëndetësia publike drejt sektorit privat ose për të punuar jashtë vendit. Gjithashtu theksohet se pavarësisht ekzistencës së aplikacionit “e-shëndetësi”, udhëzimet ende jepen në letër.