Taravari: Me një pako të zgjidhim çështjen e stemës, himnit dhe gjithë temat tjera të pazgjidhura
“Jemi të gatshëm të diskutojmë gjithçka, një paketë masash që do të zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura nga e kaluara”, tha sot ministri i Shëndetësisë, nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ndryshimin e stemës shtetërore, transmeton Portalb.mk. Pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë […]


“Jemi të gatshëm të diskutojmë gjithçka, një paketë masash që do të zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura nga e kaluara”, tha sot ministri i Shëndetësisë, nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ndryshimin e stemës shtetërore, transmeton Portalb.mk.
Pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut është rihapur nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore.
Taravari mendon se Maqedonia është një nga vendet e pakta postsocialiste, stema e së cilës nuk është ndryshuar.
“VLEN është gati të flasë për çdo gjë. Fatkeqësisht, në periudhën e fundit, tema më të ndjeshme janë zhytur nën qilim. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë masash të pazgjidhura në 20-30 vitet e fundit dhe t’i zgjidhim si paketë, pse të mos përfshijmë stemën dhe himnin dhe 20 për qindëshin dhe çështje të tjera etnike nëse ka, dhe të fokusohemi te ekonomia, integrimi evropian, antikorrupsioni, paga më të mira, për një jetë më e mirë,…, theksoi Taravari.
I pyetur se çfarë duhet të qëndrojë në stemë, Taravari është përgjigjur se VLEN ende nuk e ka hapur këtë temë.
Ndryshe, dje pati reagime edhe nga krerë tjerë të partive politike në RMV. Kryetari i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami dha dritën jeshile për ndryshimin e stemës shtetërore. Sipas tij, do të mbështeten ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të pasqyronin realitetin aktual të vendit.
“Në fakt, në një dalje të mëparshme publike kam thënë se një nga qëllimet e emërtimit të rrugëve në qytetin e Tetovës ishte që trashëgimia e sistemit të kaluar të qëndrojë ende, që është edhe shpjegimi i kryeministrit në pjesën për ndryshimin e stemës së shtetit. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë amendamentesh kushtetuese, ku në vend të trashëgimisë së sistemit të mëparshëm, do të pasqyrohet orientimi aktual i vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë, duke u siguruar që do të jetë një proces publik dhe transparent”, tha Bilall Kasami.
Në lidhje me çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore u deklarua edhe kryetari i LSDM-ës, Venko Filipçe.
“Ne besojmë se stema shtetërore pasqyron mjaftueshëm të gjitha karakteristikat heraldike të këtij rajoni. Të qarta janë edhe dobitë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, nuk ka ndarje në etni. Nëse do të ketë një iniciativë të tillë, ne do ta kundërshtojmë me forcë ndryshimin e stemës shtetërore me të gjitha mjetet demokratike” tha ai.
- LEXO: Nuk e ndryshuan atëherë, pas një dekade, sërish VMRO e riaktualizon çështjen e stemës shtetërore
Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.
Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë.
Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.