Më shumë se 60 përqind e investitorëve të huaj me porosi të reduktuara dhe mungesa të fuqisë punëtore
Më shumë se 60 përqind e investitorëve të huaj në vend kishin një numër të reduktuar porosish dhe mungesë të fuqisë punëtore në vitin 2024 krahasuar me planet fillestare. Këtë e ka treguar anketa e investitorëve më të mëdhenj të huaj, rezultatet e së cilës i ka publikuar Këshilli i Investitorëve të Huaj, i cili […]


Më shumë se 60 përqind e investitorëve të huaj në vend kishin një numër të reduktuar porosish dhe mungesë të fuqisë punëtore në vitin 2024 krahasuar me planet fillestare. Këtë e ka treguar anketa e investitorëve më të mëdhenj të huaj, rezultatet e së cilës i ka publikuar Këshilli i Investitorëve të Huaj, i cili funksionon në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Pengesat më të mëdha për bizneset e tyre në vitin 2024 ishin mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rritja e kostove operative.
Gjithashtu, sipas prezantimit të rezultateve nga kryetari i Këshillit, Viktor Mizo, pengesat janë burokracia dhe moskonzistenca, pasiguria ligjore dhe ndryshimet e shpeshta në rregulloret e biznesit, si dhe korrupsioni dhe problemet me gjyqësorin.
Nëse shikojmë përgjigjet në pyetjen se cilat janë arsyet kryesore të mungesës së fuqisë punëtore, investitorët e huaj thonë se këto janë kryesisht mospërputhja, gjegjësisht largimi i punëtorëve nga puna menjëherë pas punësimit, pastaj interesimi i pamjaftueshëm për të punuar në industrinë e tyre, si dhe përvoja dhe njohuritë e pamjaftueshme praktike.
Sipas rezultateve të anketës, pothuajse të gjithë investitorët e mëdhenj të huaj (93 përqind) janë përgjigjur se kanë probleme me gjetjen e punëtorëve për pozitat e inxhinierëve, personelit teknik dhe operatorëve. Por nga ana tjetër, 91 përqind thanë se ishin plotësisht ose pjesërisht të kënaqur me efikasitetin e punonjësve në krahasim me lokacionet e tjera.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se në vitin 2024, pothuajse të gjithë investitorët e mëdhenj të huaj (93 përqind) rritën pagat e punonjësve. Si arsye për rritjen e pagave, 60 përqind e tyre kanë përmendur konkurrencën në tregun e punës, 58 përqind kanë përmendur inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës dhe 40 përqind kanë përmendur rritjen e pagës minimale.
Si rekomandime kryesore për përmirësimin e situatës së fuqisë punëtore, investitorët e huaj të mëdhenj propozojnë përmirësimin e programeve arsimore në të gjitha nivelet, uljen e punësimit në administratën publike (zbatimi i merit-sistemit), trajnimet, praktikat e detyrueshme etj. Përveç kësaj, ata propozojnë të lehtësojnë marrjen e lejeve të punës.
Anketa është kryer në mes të 24 nëntorit 2024 deri më 20 janar 2025. Në të morën pjesë investitorë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Belgjika, Holanda, Zvicra, Irlanda, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Turqia, Rusia, Kina, Tajvani etj. Rreth 75 përqind e pjesëmarrësve në anketë punojnë në prodhim (pjesë automobilistike, plastikë dhe gomë, ushqim dhe pije, metalurgji, industria e duhanit, farmaci etj.) dhe 25 përqind në tregti dhe shërbime (telekomunikacion, aeroporte, banka, kompani sigurimesh, konsulencë, shërbime financiare, etj.). Kompanitë e tyre së bashku kanë mbi 40 mijë punonjës, me investime totale prej 4 miliardë eurosh, nga të cilat mbi 270 milionë euro janë investime në vitin 2024. Këto janë kryesisht kompani eksportuese me rreth 93 përqind të të ardhurave të tyre që vijnë nga eksportet.
Gjithashtu, rreth gjysma e tyre (49 përqind) janë kompani që përdorin ndihmën shtetërore dhe 36 përqind janë përballur me probleme apo vonesa në marrjen e kësaj ndihme shtetërore. Është domethënëse që pothuajse të gjithë investitorët e mëdhenj të huaj që marrin ndihmë shtetërore (90 përqind) besojnë se rregullat e ndihmës shtetërore nuk janë të qarta dhe nuk ka pasur përmirësim në këtë drejtim krahasuar me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kjo shifër ishte 65 përqind.
Në Këshillin e investitorëve të huaj, përveç Mizos si president, janë edhe përfaqësues të Telekomit, EVN, Maqedoni, Allajans One, Makstil, Xhonson Meti, Tab Mak, Telamon, TAV Maqedoni, Zhito LLuks, Amfenoll Teknologji, Vinberger, dhe tw tjera.
Siç raporton së fundmi televizioni Telma, kompania irlandeze-amerikane “Aptiv”, e cila operon në industrinë e automobilave, largohet nga vendi dhe mbyll fabrikën e saj në ZZIT Bunarxhik, ku numëron 500 punonjës. Siç treguan ata, ata do të zhvendosin prodhimin në fabrikat e tyre në Poloni dhe Portugali.
Njëkohësisht TV Telma bëri të ditur edhe se eksportuesi më i madh në vend, britaniku “Xhonson Meti”, i cili operon edhe në industrinë e automobilave, do të reduktojë numrin e punëtorëve.
“Duke pasur parasysh presionet e fundit ekonomike globale në tregun e automobilave, ne po bëjmë rregullime për të ndryshuar modelet në disa prej vendndodhjeve tona për të balancuar ofertën me kërkesën në të ardhmen e afërt. Kjo, për fat të keq, do të rezultojë në një numër të kufizuar vendesh pune që do të jenë subjekt i reduktimeve,” thanë nga Xhonson Meti.
Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se “Aptiv” po largohet nga Bunarxhiku, por siç thotë ai, më shumë shqetësohet nëse Maqedonia do të ketë fuqi punëtore të mjaftueshme për investitorët e rinj që sapo kanë ardhur në vend.