Trump kërkon uraniumin e Iranit, reagon Teherani: E papranueshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, paralajmëroi se mund të mos zgjasë armëpushimin e përkohshëm me Iran nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje. Burime iraniane bëjnë të ditur për CNN se delegacionet e dy vendeve pritet të zhvillojnë raundin e dytë të negociatave të hënën, edhe pse kjo nuk është […]

Prill 18, 2026 - 11:30
Trump kërkon uraniumin e Iranit, reagon Teherani: E papranueshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, paralajmëroi se mund të mos zgjasë armëpushimin e përkohshëm me Iran nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje.

Burime iraniane bëjnë të ditur për CNN se delegacionet e dy vendeve pritet të zhvillojnë raundin e dytë të negociatave të hënën, edhe pse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga pala amerikane.  Më herët, Trump është shprehur optimist se një marrëveshje është afër.

Presidenti Trump, deklaroi gjithashtu se SHBA do të marrë rezervat e uraniumit të pasuruar të Iran “në një mënyrë ose në një tjetër”, duke paralajmëruar se nëse negociatat dështojnë, kjo mund të ndodhë në një formë “më pak miqësore”.

Trump pretendoi se Irani ka rënë dakord për një bashkëpunim me SHBA-në për largimin e uraniumit të pasuruar nga territori i tij, duke theksuar se kjo mund të realizohet pa ndërhyrje ushtarake në terren. Ai shtoi se nëse arrihet marrëveshje, procesi do të bëhet në mënyrë të përbashkët dhe pa konflikt.

Në një tubim në Arizona, Trump përsëriti këto deklarata, duke përdorur termin “pluhur bërthamor” për t’iu referuar rezervave të uraniumit, një term që nuk njihet në industrinë bërthamore.

I menjëhershëm  ka qenë edhe reagimi i Teheranit. Një zyrtar i lartë iranian i quajti deklaratat e Trump “fakte alternative”, duke mohuar kategorikisht se Irani ka pranuar të dërgojë uraniumin e pasuruar në SHBA. Sipas tij, një kërkesë e tillë është “e papranueshme”.

Po ashtu, Irani ka hedhur poshtë pretendimet se ka rënë dakord të ndalojë përfundimisht pasurimin e uraniumit, duke theksuar se nuk do të pranojë të trajtohet si përjashtim nga ligji ndërkombëtar.

Çështja e pasurimit të uraniumit mbetet një nga pikat kryesore që po pengojnë arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve.