Trumpi, mes narcizmit dhe humbjes së kontrollit

Edhe ekspertët shprehen hapur: Donald Trump po shfaq “narcizëm dhe humbje kontrolli”. Gjuha e drejtpërdrejtë që ishte forca e tij, tani është bërë kundërproduktive Nuk ishte vetëm përplasja me Papa Leonin, nga e cila doli i dëmtuar rëndë: prej Donald Trumpit, gjatë muajve dhe javëve të fundit, kemi parë një seri mbresëlënëse daljesh vetëshkatërruese në […]

Prill 16, 2026 - 16:00
Trumpi, mes narcizmit dhe humbjes së kontrollit

Edhe ekspertët shprehen hapur: Donald Trump po shfaq “narcizëm dhe humbje kontrolli”. Gjuha e drejtpërdrejtë që ishte forca e tij, tani është bërë kundërproduktive

Nuk ishte vetëm përplasja me Papa Leonin, nga e cila doli i dëmtuar rëndë: prej Donald Trumpit, gjatë muajve dhe javëve të fundit, kemi parë një seri mbresëlënëse daljesh vetëshkatërruese në planin e komunikimit. Bëhet fjalë për një humbje progresive të kontaktit emocional me opinionin publik, që pati kulmin e saj më të qartë gjatë incidenteve të ICE në Minneapolis. Më pas, gjërat vetëm janë përkeqësuar.

Sot shqetëson mbi të gjitha mungesa e frenave në deklaratat e tij, gjithnjë e më ekstreme dhe hiperbolike, mania e madhështisë dhe prirja për t’u përplasur me këdo, shpesh me vulgaritet të papranueshëm. Fraza si “do t’i kthejmë ata bijtë e k… në epokën e gurit”, referuar iranianëve, janë vetëm një shembull i një problemi presidencial që po merr konture patologjike dhe që nuk funksionon më: ajo gjuhë e drejtpërdrejtë dhe agresive, që për vite me radhë ishte forca e tij komunikuese, sot duket e konsumuar dhe kundërproduktive.

Problemi është se ai nuk e kupton që ka një qëndrim vetëshkatërrues. Këtë e konfirmojnë edhe sondazhet, me norma miratimi rreth 40% dhe madje 34% në një rast, shifra të paprecedenta për një president në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, që nuk premtojnë mirë dhe krijojnë një spirale negative në sjelljen e tij. Në një sondazh të Reuters, 60% e të anketuarve vënë në dyshim qartësinë mendore dhe aftësinë e Trump për të qenë president, për shkak të moshës.

MEGALOMANIA E DONALD TRUMP

Kjo nuk është një dinamikë e re. Shenjat e padurimit vërehen jo vetëm në marrëdhëniet politike, por pothuajse në çdo nismë të presidentit. Që nga transformimi i njëanshëm i hapësirave historike të Shtëpisë së Bardhë, deri te ideja për një hark monumental gjigant për të festuar 250-vjetorin e pavarësisë, apo njoftimi për një dollar argjendi me portretin e tij (i ndaluar për një president në detyrë), si dhe shtimi i firmës së tij në kartëmonedha, të gjitha këto janë gjëra të diskutueshme në shije dhe tregojnë një personalizim në rritje të pushtetit, për më tepër të paprecedentë.

Tipari dallues mbetet rrëfimi i suksesit individual: bindja se mund të veprojë i vetëm, mbi çdo ndërmjetësim. Në këtë kuptim, edhe ideja e harkut monumental është domethënëse.

Dorëzimi i projektit përmes një konkursi mes arkitektëve të mëdhenj, si Richard Meier, Peter Eisenman apo Frank Gehry, mund të ishte kthyer në një simbol bashkëkohor të përbashkët. Por në versionin aktual jemi larg një interpretimi kulturor modern, për një arsye të thjeshtë: jo vetëm që kjo lloj qasjeje nuk i përket atij, por do të ishte bërë “monumenti i tyre”, i arkitektëve dhe amerikanëve, jo i tij. Ekziston edhe një devijim institucional: mjafton të kujtojmë sulmet ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, të rrëzuara nga gjykatat, si dhe humbjen e fundit në gjykatë kundër Wall Street Journal dhe Murdoch, të cilit i kërkonte 10 miliardë dollarë për fyerje. Prirja për konflikt nuk e ndihmon më. Dhe pas përplasjes me Papa Leonin, ai publikon një imazh të vetes si Jezusi që shëron të sëmurët, sikur të mund të fitonte në rrjetet sociale duke u shpallur Zot.

Fatkeqësisht, imazhi qesharak në vetvete, nuk u pëlqye jo vetëm nga katolikët, por edhe nga komunitete të tjera të krishtera.

DEBATI KLINIK

Kritikat nuk vijnë më vetëm nga opozita. Zëra autoritarë brenda vetë lëvizjes MAGA e kanë sulmuar Donald Trump. Përplasja me Leonin solli një reagim të bashkuar nga Kisha katolike amerikane, me ndërhyrje publike të ipeshkvijve dhe kardinalëve, të cilët i cilësuan të papërshtatshme tonet dhe përmbajtjen, duke theksuar distancën mes rolit institucional dhe mënyrës së sjelljes së presidentit. Paralelisht, debati është zgjeruar edhe në planin klinik. Figura me ndikim si John Gartner, psikolog klinik dhe ish-profesor në Johns Hopkins, i atribuojnë Donald Trump “narcizëm malinj” dhe shpjegojnë se kemi të bëjmë me një konfigurim personaliteti destruktiv, më shumë sesa një çrregullim të thjeshtë klinik. Të tjerë theksojnë nevojën për të shmangur diagnozat nga distanca.

Megjithatë, mbetet një perceptim i përhapur për një shkëputje në sjelljen presidenciale, e dukshme edhe në komunikim, shpesh i fragmentuar dhe i përsëritur, me vështirësi për të ruajtur një linjë të qëndrueshme në kohë. A kishte nevojë të sulmonte Giorgia Melonin, e cila i kishte treguar miqësi? Sigurisht që jo, por edhe këtu del në pah një qëndrim vetëshkatërrues.

Shtëpia e Bardhë i hedh poshtë këto interpretime, duke pretenduar se paparashikueshmëria është një strategji e qëllimshme. Por zhvillimet e fundit kanë rihapur pyetje më të gjera mbi aftësinë e lidershipit në një kontekst ndërkombëtar të paqëndrueshëm, ku koherenca dhe besueshmëria janë thelbësore. Siç shkroi New York Times, “shpërthimet e presidentit kanë ngritur pikëpyetje mbi lidershipin amerikan në kohë lufte”. Dhe si përgjigjet Donald Trump? Duke e çuar gjithmonë më tej përplasjen, me një stil që favorizon konfrontimin e drejtpërdrejtë dhe polarizimin. Toni nuk ndryshon dhe nuk tërhiqet: duke folur për ish-aleatët e tij si Tucker Carlson apo të tjerë që e kanë kritikuar, ai përdor receta të thjeshta: “Janë njerëz budallenj, e dinë vetë, e dinë familjet e tyre dhe e dinë të gjithë!… Janë të çmendur, nxitës trazirash dhe do të thonë çdo gjë për pak publicitet të lirë”.

Fatkeqësisht për të, përballë nuk ka vetëm rezistencë gjithnjë e më të madhe, por edhe një amerikan tjetër, Papa Leoni, i cili papritur e ka bërë të duket më i vogël. Por për të nuk ka problem: do t’i mohojë të gjitha. Edhe fjalën e Zotit. Dhe në mendjen e tij, njerëzit bëjnë mirë ta dëgjojnë.
(Corriere della Sera)