Agjencia e Ushqimit të RMV-së ka gjetur baktere te një ujë mineral dhe pije freskuese të importuara nga Kosova
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njoftojnë se janë forcuar kontrollet në importin e të gjitha dërgesave me ujë mineral burimor nga Republika e Kosovës. Kontrollet, siç njofton Agjencia, pasojnë konstatimin laboratorik pozitiv për bakter koliform në ujërat minerale të burimeve me origjinë nga Kosova, transmeton Portalb.mk. “Për shkak të konstatimit laboratorik pozitiv […]


Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njoftojnë se janë forcuar kontrollet në importin e të gjitha dërgesave me ujë mineral burimor nga Republika e Kosovës. Kontrollet, siç njofton Agjencia, pasojnë konstatimin laboratorik pozitiv për bakter koliform në ujërat minerale të burimeve me origjinë nga Kosova, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të konstatimit laboratorik pozitiv për baktere koliforme në ujin mineral të burimeve me origjinë nga Republika e Kosovës, në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për kërkesat e veçanta për sigurinë e ujit mineral natyral, ujit të burimeve dhe ujërave të tjera të ambalazhuara (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 184/20218), importi i të gjitha dërgesave të ujit mineral nga ky shtet është vendosur nën kontroll të shtuar”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Sipas AUV-së, dërgesat e pijeve joalkoolike me origjinë nga Kosova janë nën kontroll të shtuar në lidhje me kriteret mikrobiologjike për sigurinë ushqimore, ku në një dërgesë është konstatuar prania e baktereve aerobe me analiza laboratorike.
“Për secilën nga dërgesat pasuese të ujit të burimit dhe pijeve joalkoolike me origjinë nga Kosova, do të merren mostra laboratorike për ekzaminimin e mikroorganizmave në përputhje me Rregulloren për kërkesat e veçanta që kanë të bëjnë me kriteret mikrobiologjike për ushqim”, shtohet në njoftim.
Agjencia thekson se do të rritet intensiteti i kontrolleve në ngarkesat e pemëve dhe perimeve që importohen në vend nga të gjitha vendet.
AUV thotë se kontrollet e zgjeruara do të zbatohen duke marrë mostra laboratorike për ekzaminimin e mbetjeve të pesticideve, me metoda të akredituara, nga çdo dërgesë.
Mostrat do të merren në pikat e inspektimit gjatë importit dhe dërgesat nuk do të vihen në qarkullim derisa të merret një rezultat që do të konfirmojë sigurinë e produkteve.
Disa media publikuan se bëhet fjalë për mostra të ujit “Rugove”.
Radio Evropa e Lirë në Prishtinë kontaktoi pronarin e kësaj kompanie, Visar Kelmendi, i cili tha se shitjet në Maqedoninë e Veriut janë duke vazhduar.
“Ka qenë një problem që dy-tri javë me një provë të analizës… Pastaj janë marrë edhe dhjetë analiza të tjera të ujit në Maqedoni të Veriut, në Kosovë dhe në një shtet të tretë dhe është konfirmuar se nuk ka asgjë”, tha Kelmendi.
REL-i kontaktoi edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë në lidhje me këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.