Ukrainë/ Një 58-vjeçar vret 6 persona në rrugë dhe merr peng disa të tjerë në market
Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një person hapi zjarr në Kiev, të shtunën. Incidenti ndodhi në lagjen jugore Holosiivskyi. Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se burri, i cili jetonte aty pranë, filloi të qëllonte drejt njerëzve në rrugë dhe më pas mori peng të […]
Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një person hapi zjarr në Kiev, të shtunën.
Incidenti ndodhi në lagjen jugore Holosiivskyi. Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se burri, i cili jetonte aty pranë, filloi të qëllonte drejt njerëzve në rrugë dhe më pas mori peng të tjerë në një supermarket aty pranë.
Klymenko tha se sulmuesi u vra në supermarket pas një shkëmbimi zjarri me policinë.
Numri i saktë i viktimave mbetet i paqartë, por kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se të paktën 15 persona ishin plagosur. Dhjetë prej tyre, përfshirë një fëmijë, ishin dërguar në spital.
Klitchko tha se shumica e të vdekurve ishin vrarë në rrugë. Një grua, që mendohet të jetë rreth 30 vjeç, vdiq më vonë në spital.
Negociatorët e policisë folën me agresorin për rreth 40 minuta ndërsa ai ishte në supermarket, tha Klymenko. Ai shtoi se autori i masakrës nuk kishte bërë asnjë kërkesë ndaj policisë.
“Ne ofruam të sillnim ndihmë për të ndaluar gjakderdhjen e të plagosurve e kështu me radhë. Por, ai nuk u përgjigj, kështu që u dha urdhri për ta eliminuar atë, veçanërisht pasi vrau një nga pengjet”, sqaroi Klymenko.
Katër pengje u liruan më vonë, sipas Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko, e identifikoi autorin e sulmit si një burrë 58-vjeçar nga kryeqyteti rus, Moska, dhe tha se ai kishte përdorur një armë automatike për të kryer vrasjet.
Arma e përdorur nga sulmuesi ishte regjistruar zyrtarisht, thanë zyrtarët. Rrethanat rreth lëshimit të lejes, si dhe vetë masakra, po hetohen.
Ndërsa Kievi është shpesh subjekt i sulmeve gjatë luftës së vazhdueshme me Rusinë, rastet e këtij lloji janë të rralla në qytet.