Vasil Jovanov, kokë-ulur u deklarua fajtor në gjykatë për përplasjen me makinë për vdekje të Frosina Kulakovës
21-vjeçari Vasil Jovanov, i cili më 29 janar, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe pa patentë shoferi ndërsa kalonte me semafor të kuq, e përplasi Frosina Kulakova në një kalim për këmbësorë, sot në Gjykatën Penale pranoi fajësinë, transmeton Portalb.mk. “I nderuar gjykatës, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes dhe […]


21-vjeçari Vasil Jovanov, i cili më 29 janar, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe pa patentë shoferi ndërsa kalonte me semafor të kuq, e përplasi Frosina Kulakova në një kalim për këmbësorë, sot në Gjykatën Penale pranoi fajësinë, transmeton Portalb.mk.
“I nderuar gjykatës, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes dhe t’u kërkoj falje. Ajo që kam bërë nuk mund ta kisha imagjinuar se do të ndodhte”, tha Jovanov.
Prokurori nga Prokuroria Publike e Shkupit, Aleksandar Markovski, si dhe nëna dhe babai i Frosinës, kërkuan dënimin më të lartë me burg për krimin të cilin, sipas aktakuzës, Jovanovi e kreu me paramendim. Jovanov akuzohet për Vepra të Rënda Kundër Sigurisë së Njerëzve dhe Pronës në Rrugë, një vepër penale që mbart dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim.
Prokurori tha në fjalën e tij hyrëse se ky nuk ishte vetëm një aksident në të cilin një burrë shtypi një grua. Sipas tij, aksidenti është rezultat i një sërë gabimesh në trafik dhe për këtë arsye shoferi po ndiqet penalisht për kualifikimin më të rëndë të krimit.
“Në më pak se një minutë para ngjarjes kritike, i pandehuri kreu shkelje të tjera të trafikut, siç është drejtimi i automjetit në formë zigzagu dhe kalimi i dy korsive të plota. Kjo është provë e qëllimit për veprën penale për të cilën akuzohet”, tha prokurori.
Avokati i tij, Sasho Dukovski, tha se klienti i tij nuk është narkoman siç është përshkruar padrejtësisht në publik, por një atlet me medalje dhe çmime në boks.
Sipas aktakuzës, më 29 janar 2025, Vasil Jovanov, pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit, drejtoi një automjet me shpejtësi prej 91 kilometrash në orë në bulevardin Aradhat Partizane në Shkup. Në një kalim për këmbësorë, në semafor të kuq, ai goditi Frosina Kulakovën, e cila po kalonte në semafor të gjelbër për këmbësorë.
Nga forca e goditjes, Frosina pësoi lëndime të rënda dhe vdiq në vend.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë edhe kundër babait të Vasilit, Zoran Jovanov, për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 288, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Aktakuza i referohet periudhës nga 04.11.2022 deri më 30.01.2025, gjatë së cilës Zoran Jovanov i lejoi të birit Vasil Jovanov të drejtonte një automjet pasagjerësh “Peugeot 207”, edhe pse e dinte se i biri nuk kishte patentë shoferi dhe ishte kryerës i shumëfishtë i kundërvajtjeve rrugore, përfshirë aksidentin rrugor në të cilin humbi jetën 22-vjeçarja Frosina Kulakova.