Viti 2024 u përmbyll me mungesë të punëtorëve dhe vonesa të kthimit të TVSH-së, OEMVP renditi prioritetet e vitit 2025
Në konferencën për shtyp të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore e mbajtur më 26.12.2024 në ambientet e OEMVP-së, kryetari i Odës, Mendi Qyra, prezantoi zhvillimet ekonomike dhe sfidat e vitit 2024, si dhe pritjet dhe kërkesat kryesore të Odës për vitin 2025. Në lidhje me sfidat ekonomike me të cilat është përballur vendi […]
Në konferencën për shtyp të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore e mbajtur më 26.12.2024 në ambientet e OEMVP-së, kryetari i Odës, Mendi Qyra, prezantoi zhvillimet ekonomike dhe sfidat e vitit 2024, si dhe pritjet dhe kërkesat kryesore të Odës për vitin 2025. Në lidhje me sfidat ekonomike me të cilat është përballur vendi gjatë vitit 2024, Qyra theksoi nivelin e ulët të realizimit të projekteve kapitale, në vetëm 47% deri në nëntor të vitit 2024, vonesat në kthimin e TVSH-së për kompanitë, si dhe sfidat me mungesën e fuqisë punëtore, për çka, bizneset në vend janë në kërkim të rreth 15 mijë punëtorëve. Qyra potencoi se ekonomia joformale arrin në vlerë prej mbi 35% deri në 39% të BPV-së, e që në skenarin “më të mirë” të analizave të OEMVP-së, kjo në nivel vjetor vendit i kushton mbi 700 milion euro, ndërsa në skenarin “më të keq”, tejkalon edhe vlerën prej 1.7 miliarda euro, të cilat janë humbje potenciale e të hyrave buxhetore, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Odës theksoi se gjatë vitit 2024 në tregtinë e jashtme, vendi ka shënuar rënie të konsiderueshme të eksportit prej 5.5% vetëm për periudhën Janar – Tetor, nga 7 miliardë euro në vitin 2023 të të njëjtës periudhë, në 6.56 miliarda euro në vitin 2024. Ai nënvizoi se ngrirja e çmimeve të produkteve shkollore, ushqimore, është ndërhyrje direkte në tregun e lirë.
Duke folur për arritjet pozitive të vitit 2024, kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra, theksoi rekordin e investimeve të huaja direkte, që arritën në 838 milionë euro, themelimin e Ministrisë për Energjetikë, e cila ka qenë një kërkesë afatgjatë e OEMVP-së, votimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, po ashtu kërkesë e kahmotshme e Odës. Kryetari Qyra, theksoi se veprime pozitive të cilat janë shënuar në vitin aktual, janë edhe inkorporomi i pjesërishëm i Platformës për zhvillim ekonomik e OEMVP-së në platformat e partive qeverisëse, sjellja e Ligjit për ndalimin e praktikave jo të drejta tregtare, fillimi i punës në Korridoret 8 dhe 10D, shpërndarja e 250 milion eurove, mjete likuide me interes të ulët për biznesin dhe 250 milion euro mjete likuide me interes të ulët për komunat, por edhe solidarizimi i bizneseve me qytetarët, si dhe qasja pozitive e Qeverisë për krijimin e shportës së vitit të ri në formë vullnetare. Gjithashtu, Qyra përshëndeti fillimin e procedurës për shqyrtimin e Ligjit i Tatimit të Solidaritetit.
Kryetari Mendi Qyra, foli edhe për pritjet dhe kërkesat e OEMVP-së për ekonominë në vitin 2025. Ai potencoi se nevojiten masa urgjente për të trajtuar ekonominë gri, e cila është mbi 35% e BPV-së dhe përbën një barrë të madhe për buxhetin shtetëror si dhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin e institucioneve publike. Qyra, theks të veçantë vuri në rëndësinë e masave dhe strategjive të reja për të adresuar këto sfida dhe për të krijuar një bazë të fortë për rritje të qëndrueshme ekonomike në vitin 2025. Ndër kërkesat dhe prioritetet e identifikuara për vitin që pason, Qyra veçoi:
- Rritjen e BPV-së mbi 4% në 4 vitet e ardhshme,
- Rritja e pagës minimale neto në 500 euro dhe uljen e kontributeve të pagave nga 47.7% në 32%,
- Funksionalizimin e sistemit për import të fuqisë punëtore nga jashtë,
- Zhvillimin e strategjive për rikualifikimin e punonjësve të administratës publike dhe alokimi i tyre në sektorin privat
- Racionalizimin e shpenzimeve buxhetore dhe masat për uljen e inflacionit,
- Realizimin e plotë të investimeve kapitale, si dhe
- Realizimin e projekteve madhore si Korridori 8 dhe 10D.
Kryetari i OEMVP-së, po ashtu kërkoi nga Qeveria rritjen e buxhetit për investime kapitale në nivel vjetor, prej 14% e më tepër, të revidojë dhe vendos në funksion sistemin e ri për import të fuqisë punëtore nga jashtë, të bëjë racionalizimin e shpenzimeve buxhetore, implementimin e parimit të llogaridhënies për krerët e institucioneve dhe të ndërmarrë masa adekuate makroekonomike për uljen e inflacionit, në bashkëpunim me Odat Ekonomike. Si masa të rëndësishme të cilat duhet ti ndërmarrë Qeveria, Qyra i nënvizoi edhe alokimin e Investimeve të huaja direkte në mënyrë të barabartë në të gjitha Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, përfshirjen e të gjithë sektorëve dhe veprimtarive në kredinë Hungareze, duke mos përjashtuar turizmin dhe energjetikën. Ai po ashtu theksoi se sjellja e ligjeve ekonomike, të bëhet vetëm në bashkëpunim me Odat Ekonomike si dhe konkretizimin e hapave drejtë decentralizimit
Në konferencë morën pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të OEMVP-së, të cilët analizuan dhe përcaktuan prioritetet që duhet të jenë në fokusin e Qeverisë gjatë vitit të ardhshëm, duke vlerësuar gjithashtu arritjet pozitive të vitit që lamë pas. Ata theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe sektorit privat për të hartuar politika ekonomike që adresojnë në mënyrë efektive nevojat e biznesit dhe qytetarëve.
Kujtojmë se në nëntor, OEMVP shpalli top 5 kompanitë fituese edicionit të sivjetëm të TOP 100, edhe atë: Kompania Dauti – Komerc në vendin e parë, pasuar nga Pofix, Bas Tuti Fruti, Vardar Dolomit, dhe Mega Auto Parts.