Vitin e kaluar janë regjistruar rreth 6.140 domene ‘mk’, ndërsa numri i domeneve qeveritare është dyfishuar
Sipas të dhënave të siguruara nga Radio MOF përmes kërkesës për qasje në informata me karakter publik nga Rrjeti i Maqedonisë për Kërkime Akademike (MARnet) në vitin 2024 janë regjistruar rreth 6.140 domene .mk. Kjo paraqet një rënie prej rreth 400 domenesh të regjistruara ose rreth 6.3% krahasuar me vitin 2023, transmeton Portalb.mk. Ndër domenet […]


Sipas të dhënave të siguruara nga Radio MOF përmes kërkesës për qasje në informata me karakter publik nga Rrjeti i Maqedonisë për Kërkime Akademike (MARnet) në vitin 2024 janë regjistruar rreth 6.140 domene .mk. Kjo paraqet një rënie prej rreth 400 domenesh të regjistruara ose rreth 6.3% krahasuar me vitin 2023, transmeton Portalb.mk.
Ndër domenet e regjistruara numri më i madh është vetëm me .mk, pasuar nga 715 domene të regjistruara me .com.mk, 73 domene me .org.mk, 39 domene me .edu.mk, 19 domene me .net.mk, 12 domene me .gov.mk dhe një domen me .inf.mk.
Çfarë është regjistruar?
Krahasuar me vitin 2023 vitin e kaluar trendi, gjegjësisht numri i domeneve të regjistruara me parashenjën e inteligjencës artificiale, ka rënë ndjeshëm. Në këtë pjesë, për shembull, mund të gjenden domenet e reja të regjistruara si ai-tech, aiinvest.mk, aiphone.com.mk, ai.mk, aiportal.mk.
Verifikimi ynë i listës së domeneve të regjistruara tregon se 586 ose rreth 9.5% e domeneve të regjistruar kanë si fjalë kryesore fjalët kyçe “shop“, “group“, “rent“, “skopje“, “studio“, “tech“, “sport“, “macedonia“, “moj“, “digital“, “invest“, “design“, “ohrid“, “moto“, “pet“,
“web“, “hotel“, “solutions“, “online“ dhe “energy“.
Vitin e kaluar janë regjistruar edhe 147 domene numerike, pa karaktere apo shkronja shtesë. Në vitin 2024 nuk u regjistrua asnjë domen në shkrimin cirilik.
Numri i domeneve të regjistruara qeveritare është dyfishuar
Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar janë regjistruar 12 domene qeveritare. Praktikisht është dyfishuar numri i domeneve qeveritare .gov.mk, që më së shumti është për shkak të riorganizimit të ministrive që u bë vitin e kaluar.
Domeni azgj.gov.mk ridrejton në apj.gov.mk – uebfaqja e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Hyrja në ueb-faqen me domenin qeveritar lia.gov.mk u pamundësua nga softueri ynë antivirus, ndërsa mjeti MARNet tregon se domeni është regjistruar po ashtu edhe nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Energy.gov.mk ju çon deri te uebfaqja e Ministrisë së re të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Por kur hapet uebfaqja në të nuk ka përmbajtje të disponueshme dhe vetëm qëndron një mesazh që këshillon pronarin e uebfaqes ta kontaktojë siguruesin e hostit për ta zgjidhur problemin, i cili mund të ketë të bëjë me disa çështje teknike.
Ueb-faqja me domenin mafwe.gov.mk nuk është në dispozicion, ndërsa pas regjistrimit të saj qëndron Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. mdt.gov.mk është domeni i Ministrisë së riorganizuar të Transformimit Digjital, e cila u formua nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Ueb-faqja ka një orë numërimi mnga prapa që tregon edhe sa kohë do të jetë në ndërtim e sipër.
Ministria e Çështjeve Evropiane, e cila doli nga Sekretariati për Çështje Evropiane, tani ka një domen të ri – mep.gov.mk. Ueb-faqja misr.gov.mk është për Kabinetin e Ministrit përgjegjës për integrim dhe zbatim të strategjisë për përfshirjen e romëve 2022-2030.
Në mja.gov.mk do të hasni mesazhin “Faqja është në ndërtim e sipër”, ndërsa domeni i përket Ministrisë së Administratës Publike. Uebfaqja e Ministrisë së transformuar për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve tani mund të gjendet në moz.gov.mk.
Edhe Ministria e Sportit ka domenin dhe ueb-faqen e saj, të cilat mund t’i hapni në ms.gov.mk. Por me sa duket uebfaqja është ende në ndërtim e sipër, pasi informata mund të gjenden vetëm në pjesën “Anti-Doping”, dhe gjithçka tjetër është bosh.
Në listën e domeneve të regjistruara qeveritare vitin e kaluar është nportal.gov.mk, regjistrimi i të cilit është në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Por uebfaqja nuk mund të hapet.
Domen të ri ka edhe Komuna e Kisella Vodës uebfaqja e së cilës mund të hapet përmes opstinakiselavoda.gov.mk, në vend të domenit të vjetër kiselavoda.gov.mk, në të cilin, sipas arkivit të internetit “WayBack Machine”, mund të shihet ashtu siç është dukur për herë të fundit më 19 qershor, ku në faqen kryesore thuhet se është lëshuar në përdorim ueb-faqja e re.
Nga ky vit me “rregulla loje” të ndryshme
Para fundit të vitit 2024 me ndryshimin e Rregullores për organizimin dhe menaxhimin e domeneve kombëtare të internetit të nivelit të lartë në MARNet u bë i pamundur regjistrimi i domenit .mk për personat fizikë nga jashtë. Regjistrimi i domenit është i kufizuar vetëm për personat fizikë dhe juridikë me vendbanim ose vendqëndrim në Maqedoni. Ndërkaq, për regjistrimin e domenit .mk, personat juridikë të huaj duhet të identifikohen përmes një regjistri nga shteti i tyre.
Një risi tjetër ishte se domenet e reja .mk tani duhet të përbëhen nga të paktën dy karaktere, me përjashtim të vetëm në rastet e markës së mbrojtur tregtare, shenjës së mbrojtur, emrit ose brendit. Ndryshimi i Rregullores u bë 10 vite pas miratimit të saj në vitin 2014.
Nga ana tjetër, në vitin 2023, hapësira e internetit në Maqedoni u rrit për rreth 6.500 domene .mk. Në atë kohë të dhënat e siguruara nga Radio MOF tregonin se atë vit ishin regjistruar 6.559 domene .mk (.mk, .com.mk, .net.mk, .inf.mk, .gov.mk, .edu.mk, .org.mk). Në mesin e tyre në atë kohë mbisundonin domenet që lidhen me inteligjencën artificiale. Gjithashtu, verifikimi ynë në atë kohë tregoi se rreth 58% e tyre ishin aktive.