Me inspektime minimale Maqedonia e Veriut dëshiron të importojë mbeturina nga BE-ja

Kërkohet importim i mbeturinave nga Evropa, ndërkohë që vendi nuk ka sistem për menaxhimin e mbeturinave që gjenerohen në vend, alarmojnë organizatat qytetare, shkruan Radio Evropa e Lirë. Pa kontrollet e duhura dhe si pasojë e mungesës së inspektorëve dhe laboratorëve, rritet rreziku nga abuzimi dhe ndotja e mëtejshme, transmeton Portalb.mk. Maqedonia e Veriut kërkon […]

Mars 12, 2025 - 14:00
 0  6
Me inspektime minimale Maqedonia e Veriut dëshiron të importojë mbeturina nga BE-ja
Kontejnerë i mbushur me mbeturina brenda në Garnizon në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Kërkohet importim i mbeturinave nga Evropa, ndërkohë që vendi nuk ka sistem për menaxhimin e mbeturinave që gjenerohen në vend, alarmojnë organizatat qytetare, shkruan Radio Evropa e Lirë. Pa kontrollet e duhura dhe si pasojë e mungesës së inspektorëve dhe laboratorëve, rritet rreziku nga abuzimi dhe ndotja e mëtejshme, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut kërkon të importojë mbeturina nga Bashkimi Evropian, edhe pse ende nuk ka krijuar një sistem për menaxhimin e sigurt të mbeturinave – si të atyre që gjenerohen në vend ashtu edhe të atyre të importuara, gjë që rrit rrezikun nga abuzimet dhe incidentet ekologjike.

Këto janë një pjesë e reagimeve të organizatave ekologjike lidhur me kërkesën e vendit drejtuar Komisionit Evropian për importimin e 18 llojeve të mbeturinave të pa rrezikshme. Ata i frikëson kapaciteti i dobët i shtetit për të kryer kontrolle të rregullta në deponitë, kapacitetet industriale dhe në procesin e transportit të mbeturinave.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor funksionon me një numër minimal të inspektorëve, gjithsej 18, dhe atë në nivel shtetëror, ndërsa gjysma e komunave nuk kanë asnjë inspektor të autorizuar të mjedisit jetësor, thotë Bllazhe Josifovski nga shoqata qytetare “Go Green”.

“Në kushte të këtilla, gjasat që disa dërgesa me mbeturina të kalojnë pa u vënë re ose që deponitë me mbeturina të importuara të mos inspektohen shpesh janë të mëdha. Përveç kësaj, Maqedonia deri më tani nuk ka pasur një laborator të vetin të akredituar për ekzaminimin e mbeturinave”, tha Josifovski.

Kërkesa për importim sipas rregullave të reja të BE-së

Më datën 10 shkurt Maqedonia e Veriut kërkoi nga Komisioni Evropian të importojë 18 lloje të mbeturinave të pa rrezikshme, në mesin e të cilave alumin, plumb, zink, hekur, çelik, kallaj, metale dhe metalet të ngjyrosura. Pastaj mbeturina të hekurit, çelikut, metaleve të ngjyrosura dhe të pa ngjyrosura, si dhe ambalazh nga letra dhe kartoni, qelq, yndyrë dhe vaj nga gatimi, ambalazh nga metali, mbeturina nga grryerja dhe grimcimi i metaleve të pa ngjyrosura.

Kërkesën e kanë përgatitur disa institucione: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, Drejtoria e doganave, Ministria e Ekonomisë dhe pastaj me procedurë qeveritare është dorëzuar pranë Komisionit Evropian, thuhet kështu në përgjigjen që e morëm nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor.

Nga atje thonë se Kërkesa është bërë sipas Aneksit 8 të rregullores së re të BE-së për mbeturinat e miratuar në muajin prill të vitit 2024, ku prezantohen kushte të rrepta për import, eksport dhe tranzitim të mbeturinave që janë të destinuara drejt vendeve që nuk janë anëtare të OECD-së, grup ky në të cilin bën pjesë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Kjo është në përputhje me Rregulloren e re të BE-së, e cila ka për qëllim ta përforcojë zbatimin e legjislacionit në drejtim të parandalimit të eksportit të paligjshëm të mbeturinave nga shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet e treta, të sigurojë menaxhim të drejtë ekologjik të dërgesave të mbeturinave brenda dhe jashtë BE-së dhe pajtueshmëri me rregulloren e re të BE-së”, thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor.

A do ta lejojë BE-ja importin e mbeturinave?

Në Rregulloren e re evropiane thuhet se vendet që duan të marrin mbeturina nga BE-ja, ndër të tjera, duhet ta dëshmojnë aftësinë e tyre për t’i menaxhuar mbeturinat në një mënyrë ekologjike dhe të shëndetshme dhe të kenë një strategji gjithëpërfshirëse.

Pastaj, duhet të kenë vendosur një kuadër ligjor të qëndrueshëm për dhënien e lejeve, për zbatimin e inspektimeve dhe gjobave për mosrespektimin e rregullave, por edhe të dëshmojnë se po e zbatojnë kontrollin e duhur mbi transportin e mbeturinave dhe po parandalojnë ndotjen përmes kufizimeve të rrepta.

Sipas ligjit aktual për menaxhimin e mbeturinave, shteti ndalon importimin e mbeturinave që do të deponohen, depozitohen ose përdoren si burim i energjisë.

Lejohet importi i mbeturinave që mund të përpunohen ose riciklohen në mënyrë të sigurt në një instalacion që posedon leje adekuate të lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga Ministria thonë se mbeturinat e importuara në vend janë për një industri specifike që eksporton produkte dhe kontribuon në hyrjet valutore, por që nuk përdor lëndë djegëse fosile, si qymyr ose koks, por prodhon me furra që punojnë me energji elektrike.

Të dhënat tregojnë se për momentin në vendin tonë më së shumti importohet skrap hekuri, skrap gome, fletë plastike dhe akumulatorë të vjetër, për të cilat nga Ministria thonë se këto lloj mbeturinash përpunohen në mënyrë të sigurt nga kompanitë që posedojnë leje ekologjike të integruara.

“Metali shkrihet, nuk digjet dhe për këtë përdoret energji elektrike. Është e rëndësishme të theksohet se në këtë industri punojnë rreth dhjetëra mijëra njerëz,” thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor.

Sipas të dhënave nga MMJPH leje ekologjike të integruara për menaxhimin e mbeturinave kanë 12 kompani, si Masktill, Çimentorja USJE dhe deponia e Shkupit Drislla.

Treqind e nëntëdhjetë kompani kanë Leje për transport të mbeturinave të pa rrezikshme, ndërsa 290 kompani kanë marrë Leje për depozitimin dhe trajtimin e mbeturinave të pa rrezikshme.

Mbikëqyrje e dobët inspektoriale dhe mosndëshkueshmëri

Por, dobësitë ekzistuese në sistemin e inspektimit dhe monitorimit paraqesin një sfidë serioze, e cila, sipas Josifovskit, nëse nuk rregullohet do t’i minojë edhe qëllimet më të mira për importimin e mbeturinave të pa rrezikshme.

“Komisioni Evropian do ta vlerësojë pikërisht këtë aftësi të vendit, nëse ka kapacitet dhe kontroll për të menaxhuar me mbeturinat në mënyrë ekologjike”, thotë Josifovski.

Për momentin indikatorët nuk janë shumë të mirë, shton ai: reformat në sistemin e inspektimit janë kontroverse, inspektorët janë të paktë në numër dhe të mbingarkuar, ndërsa korrupsioni në sektorin ekologjik nuk është çrrënjosur.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit tashmë e ka identifikuar menaxhimin e mbeturinave dhe zbatimin e kompetencave ekologjike të pushtetit lokal si fushë me rrezikshmëri të lartë nga korrupsioni në periudhën 2020–2024.

Josifovski thekson edhe shembuj të mosndëshkimit në të kaluarën kur u janë dhënë leje edhe operatorëve që nuk i kanë plotësuar kërkesat, ndërsa autoritetet lokale kanë toleruar deponi ilegale dhe djegien e paligjshme të mbeturinave.

Edhe kur reagojnë inspektorët procedurat gjyqësore rrallëherë përfundojnë me gjoba, gjë që e ushqen kulturën e mosndëshkimit dhe në vend të një sistemi të integruar bëhet hedhje ilegale, djegie e mbeturinave për nxjerrjen e lëndëve të para, ndërtimi i vendbanimeve ilegale ku digjen mbeturinat për ngrohje etj”, thotë Josifovski.

“Kjo dukuri e “mbylljes së syve” para shkeljeve shpesh është rezultat i presioneve politike lokale apo korrupsionit – askush nuk dëshiron të shkelë mbi interesa të caktuara, prandaj inspektorët nuk reagojnë. Edhe kur ka reagim mungon përfundimi nga gjykata: rastet zvarriten ose ndërpriten. Kjo nxit një kulturë të mosndëshkimit në fushën e mjedisit jetësor, të cilën Transparency International e identifikoi si një nga problemet kryesore në rajon”, përfundon ai.