VLEN nuk shqetësohet për vonesat në Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Dërgimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Komisionin e Venecias përpara se të dërgohet në Kuvend nuk është problem për koalicionin Vlen, transmeton Portalb.mk. Zëvendës-kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai tha se nuk shqetësohet për vakumin kohor, ai theksoi se është praktikë ndërkombëtare që të merret një opinion nga Komisioni i […]

tetor 13, 2024 - 16:00
 0  6
VLEN nuk shqetësohet për vonesat në Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
Arben Fetai, zëvendëskryeministër për politika të qeverisjes së mirë. Foto: Printscreeen nga kanali në Youtube i Qeverisë së RMV-së

Dërgimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Komisionin e Venecias përpara se të dërgohet në Kuvend nuk është problem për koalicionin Vlen, transmeton Portalb.mk.

Zëvendës-kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai tha se nuk shqetësohet për vakumin kohor, ai theksoi se është praktikë ndërkombëtare që të merret një opinion nga Komisioni i Venecias.

“Me rëndësi është që më në fund do të sillet një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili parimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do e përkthejë në obligime ligjore për institucionet me mekanizma kontrolli dhe mekanizma zbatimi, të cilat kanë munguar deri më tani”, tha Fetai.

Dje kryeministri Hristijan Mickoski tha se zgjidhja e re ligjore duhet të jetë kushtetuese dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

“Nuk do të jem ndërmjetësues, por ajo që di është se zgjidhja e re ligjore duhet të jetë kushtetuese dhe duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Ndaj, ndoshta është më mirë para se të miratohet në parlament, të dërgohet për mendim, që të mos vijmë në këtë situatë, të shndërrohemi në ekspertë juridikë kushtetues, që nuk jemi dhe të themi si duhet vepruar”, tha Mickoski.

Dërgimi i propozim-ligjit në Komisionin e Venecias para miratimit do të nënkuptonte që ligji nuk do të miratohet me shpejtësi.

Në ndërkohë ish-ministri i Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka treguar se është e mundur rritja e tensioneve ndëretnike në vend pas shfuqizimit së balancuesit për punësimet me çelës etnik.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Shfuqizimi i Balancuesit ka ngritur reagime të shumta në opinion.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka thënë se Balancuesi është dashur të shfuqizohet që moti.

Fronti Evropian e ka konsideruar si vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, ku sipas tyre është goditur stabiliteti multietnik në vend. Megjithatë, gjatë qeverisë së kaluar të përbërë nga BDI dhe LSDM është miratuar Strategjia e Reformës së Administatës Publike, ku mes tjerash shkruan se është tejkaluar nevoja për të aplikuar “Balancuesin”, i cili në praktikë shkakton keqpërdorime të shumta,

Koalicioni VLEN nga ana tjetër është shprehur se këtë çështje do ta rregullojnë përmes Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin thonë se e kanë gati, mirëpo ky ligj ende nuk është prezantuar para opinionit.

Ndërkaq për këtë ka reaguar edhe Delegacioni i BE-së në vend. Ata kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes kornizë të Ohrit e cila kërkon respektim të plotë të parimit të mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, veçanërisht në administratën publike. Ata kanë theksuar se presin të shohin propozimet e qeverisë për të reformuar sistemin dhe për të zëvendësuar Balancuesin.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.