VMRO-DPMNE dhe VLEN me rokadë në Arsim dhe Shëndetësi pas largimit të Taravarit?

Pasi Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari u largua dje nga koalicioni qeveritar, sot po flitet gjithnjë e më shumë për riorganizim të ministrive të Shëndetësisë dhe Arsimit midis partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe VLEN. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska sot as nuk e mohoi dhe as nuk e konfirmoi informacionin se do të jetë ministre e […]

maj 13, 2025 - 20:00
 0  4
VMRO-DPMNE dhe VLEN me rokadë në Arsim dhe Shëndetësi pas largimit të Taravarit?
Izetr Mexhiti dhe Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Pasi Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari u largua dje nga koalicioni qeveritar, sot po flitet gjithnjë e më shumë për riorganizim të ministrive të Shëndetësisë dhe Arsimit midis partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe VLEN. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska sot as nuk e mohoi dhe as nuk e konfirmoi informacionin se do të jetë ministre e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Në një deklaratë si pjesë e një diskutimi në panel të titulluar “Arsimi i së ardhmes”, në pyetjet e gazetarëve nëse do të pranonte të ishte Ministre e Shëndetësisë, Janevska tha se kryeministri do të vendosë për këtë dhe se ajo nuk ishte e përfshirë në ato negociata.

“Është shumë herët për të menduar për diçka të tillë. Ju thashë kush është përgjegjës, kur të vijë ai moment, do të flasim. Në këtë moment, si Ministre e Arsimit dhe Shkencës, kam aq shumë punë saqë me të vërtetë nuk mendoj asgjë për të dhe as nuk jam e përfshirë në ato negociata. Do ta them përsëri, ka një person përgjegjës që do të thotë se si duhet të jetë”, tha Janevska.

Qeveria nga ana tjetër thotë se nuk do të ketë ristrukturim, por vetëm ndërrim ministrash, pas largimit të Arben Taravarit nga Qeveria.

Për momentin, ende nuk dihet se si do të bëhet ndërrimi i ministrave, nëse dhe cilët nga anëtarët e ASH-së do të japin dorëheqje apo nëse Qeveria do të shkarkojë ministrat dhe zyrtarët e tjerë nga krahu i ASH-së. Gjithashtu është e pasigurt se sa nga gjashtë deputetët e ASH-së do të qëndrojnë me Taravarin.

Qeveria nuk e konfirmon informacionin për MIA-n se mund të ketë ndërrim të resoreve midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, siç sinjalizoi mbrëmë lideri i Besës, Bilal Kasami. Lidhur me numrin e deputetëve, Kasami tha se së shpejti, ndoshta që këtë javë, numri i deputetëve që do të migrojnë në shumicën qeverisëse do të rritet.

“Mund të garantoj se jemi tashmë në negociata serioze me disa deputetë si nga opozita shqiptare ashtu edhe nga anëtarë të tjerë të komuniteteve të tjera që janë pjesë e “Frontit Evropian” aktual”, tha Kasami.

Dje, kreu i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njoftoi publikun se organet më të larta udhëheqëse kanë marrë vendim që partia të largohet nga koalicioni qeveritar.

“Po kthehemi te qytetarët, do të kemi një rezultat shumë më të mirë në zgjedhjet lokale në tetor. Nuk i realizuam ndryshimet që premtuam, prandaj qytetarët na kritikojnë”, tha ai.

Aleanca për Shqiptarët ka dy pozicione ministrore në Qeveri – Shëndetësinë, të kryesuar nga Taravari, dhe zëvendëskryeministrin dhe pozicionin ministror për qeverisje të mirë, të mbajtur aktualisht nga Arben Fetai, si dhe gjashtë deputetë.

Turbulencat në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor.

Kjo nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.