Vrasje e rëndë në Gjakovë: Një i vrarë dhe një i plagosur, në kërkim pronari i lokalit “My Place”
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ndërsa sipas informacioneve fillestare viktima është R.B rreth 38 vjeç, i cili është gjetur pa […]


Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ndërsa sipas informacioneve fillestare viktima është R.B rreth 38 vjeç, i cili është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, nga të shtënat është plagosur edhe E. M rreth 29 vjeç, i cili ka pësuar plagë në kraharor dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas burimeve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Si i dyshuar për rastin përmendet N. Z, pronari i lokalit “My Place”, i cili pas ngjarjes është larguar nga vendi i incidentit në drejtim të panjohur dhe aktualisht po kërkohet nga policia.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet i mprehtë (thikë).
Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit, komandantin e stacionit policor, Njësinë e Hetimeve Rajonale dhe Krim-Teknikën Rajonale, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar për krime të rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia është në kërkim të të dyshuarit dhe hetimet për këtë ngjarje janë në zhvillim.