Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli: Loja e tyre ka marrë fund
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve nga radhët e koalicionit opozitar VLEN, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar ashpër ndaj politikave të deritanishme të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë subjekt për përhapjen e varfërisë dhe degradimin moral përmes promovimit të industrisë së bixhozit. “BDI nuk bëri politikë, kjo sektë mbolli bixhozin dhe korri […]

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve nga radhët e koalicionit opozitar VLEN, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar ashpër ndaj politikave të deritanishme të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë subjekt për përhapjen e varfërisë dhe degradimin moral përmes promovimit të industrisë së bixhozit.
“BDI nuk bëri politikë, kjo sektë mbolli bixhozin dhe korri vetëm varfëri,” ka deklaruar Zekolli Shaqiri përmes një postimi në rrjete sociale. Ajo ka theksuar se lagjet shqiptare janë mbushur me kazino, ndërsa telefonat e të rinjve janë pushtuar nga aplikacionet e bixhozit online – një situatë që, sipas saj, ka sjellë pasoja të rënda për familjet shqiptare.
“Shkatërruan familje, shitën dinjitetin. Për vite luajtën bixhoz me fatin e shqiptarëve,” shtoi ajo, duke u zotuar se VLEN do të sjellë një ndryshim rrënjësor.
Zëvendësministrja theksoi se për koalicionin VLEN, prioritet do të jetë vendosja e drejtësisë dhe rehabilitimi i shoqërisë shqiptare nga pasojat e politikave të dëmshme të së kaluarës.
“Loja e tyre ka marrë fund. VLEN nuk është zgjatim i krimit, VLEN është fundi i tij. Drejtësi do të ketë. Për çdo fëmijë, për çdo nënë, për çdo familje të lënduar!” përfundoi ajo. (INA)
