Zgjedhje të parakohshme: Nuk ka plan, por mund të ketë një “shkëndijë”

Nga 11 zgjedhje parlamentare të zhvilluara deri më tani në vend, 5 kanë qenë të parakohshme dhe 6 të rregullta. A do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare? Kjo pyetje, e cila është rikthyer herë pas here gjatë këtij viti, në një masë...

gusht 21, 2026 - 13:00
Zgjedhje të parakohshme: Nuk ka plan, por mund të ketë një “shkëndijë”

Nga 11 zgjedhje parlamentare të zhvilluara deri më tani në vend, 5 kanë qenë të parakohshme dhe 6 të rregullta.

A do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare? Kjo pyetje, e cila është rikthyer herë pas here gjatë këtij viti, në një masë duket si një test për të matur disponimin e partive politike dhe të opinionit publik, por edhe si një përpjekje për të parashikuar se cili “shkaktar” eventual mund të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Qytetarët nuk duan zgjedhje, por reforma dhe vazhdimësi të proceseve që i udhëheq kjo Qeveri”, deklaroi dje kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për këtë çështje.

“Ne si koalicion kemi marrë legjitimitet nga qytetarët për të qenë qeveri për katër vjet. Por, nëse opozita mendon se nevojiten zgjedhje të parakohshme, sigurisht që ne nuk do të sillemi si frikacakë dhe do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese. Dhe sigurisht që do t’i fitojmë”, tha Mickoski.

Ky nuk është një qëndrim i ri i kryeministrit, i cili vazhdimisht ka theksuar se zgjedhjet e rregullta parlamentare janë paraparë për vitin 2028. As qëndrimi i opozitës, përkatësisht LSDM-së, nuk ka ndryshuar.

“LSDM-ja është e gatshme për zgjedhje kurdo që të shpallen, me ekip, program dhe një Master Plan të ri për Maqedoninë, por nuk do të bëhet alibi për Hristijan Mickoskin që të shkojë në zgjedhje. Zgjedhje do të ketë kur atyre t’u mbarojnë paratë për tenderë korruptivë. Kjo është ajo që i intereson, asgjë tjetër”, deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.

BDI kërkon një test të ri elektoral

Nga BDI-ja kërkojnë pikërisht zgjedhje të parakohshme, me vlerësimin se vendit i nevojitet një mandat i ri politik.

Që pas përfundimit të zgjedhjeve të dyfishta të vitit 2024 – parlamentare dhe presidenciale – BDI-ja e ka ngritur këtë çështje, duke kritikuar se koalicioni VLEN nuk ka legjitimitet elektoral për të përfaqësuar shqiptarët në pushtet.

Në atë kohë kërkoheshin zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale të vitit 2025, me idenë e një skenari “tre në një”. Sipas këtij skenari, nëse në vitin 2025 do të zhvilloheshin zgjedhje lokale dhe parlamentare të parakohshme, atëherë në vitin 2029 do të përputheshin zgjedhjet e rregullta për presidentin me zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe lokale.

Rikonstruimi i Qeverisë zbehu spekulimet

Ky skenar nuk u realizua, por më pas u shtuan spekulimet se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvilloheshin në pranverën e vitit 2027.

Megjithatë, rikonstruimi i Qeverisë gjatë verës i zbehu këto spekulime. Një zgjedhje e tillë do të nënkuptonte që koha e investuar në rikonstruimin e kabinetit të ishte e shkurtër, nëse përbërja e re do të qëndronte vetëm rreth gjashtë muaj dhe më pas do t’ia linte vendin një qeverie teknike në fillim të vitit 2027.

Deri më tani, qëndrimi i Qeverisë ka qenë se nuk ka plan për zgjedhje të parakohshme, por ajo duhet të jetë e përgatitur në rast të sfidave të caktuara politike, pra nëse shfaqet një “shkëndijë” konkrete që do ta ndryshonte situatën.

Nga 11 cikle zgjedhore parlamentare të zhvilluara në vend deri më tani, 5 kanë qenë të parakohshme dhe 6 të rregullta. Zgjedhjet janë zhvilluar në vitet 1990, 1994, 1998, 2002, 2006, 2008, 2011, 2014, 2016, 2020 dhe 2024. Zgjedhjet e viteve 2008, 2011, 2014, 2016 dhe 2020 ishin të parakohshme.

Për gati një dekadë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare u bënë një karakteristikë e mandateve të Nikolla Gruevskit, i cili çdo dy ose tre vjet e vinte në test legjitimitetin e tij elektoral.

Nga ana tjetër, sipas statistikave të platformës së gjeopolitikës Moven Mapping, Maqedonia e Veriut nuk bën pjesë në vendet ku kryeministrat ndërrohen me ritëm të shpejtë. Që nga viti 2016, pas largimit të Gruevskit, vendi ka pasur gjashtë kryeministra, por në këtë numër përfshihen edhe kryeministrat teknikë.

Përparësitë dhe pasojat

Përparësia kryesore e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është mundësia për të verifikuar ose konfirmuar legjitimitetin politik dhe besimin e dhënë nga qytetarët për zbatimin e programit të paraqitur para zgjedhësve, veçanërisht në periudha kur duhet të merren vendime të rëndësishme.

Por praktika e zgjedhjeve të shpeshta ka edhe pasoja. Ato mund të krijojnë një gjendje të fushatës së përhershme zgjedhore, e cila nuk përfundon me mbylljen e procesit zgjedhor, por vazhdon përmes garës së vazhdueshme mes partive.

Në një situatë të tillë, fokusi mund të zhvendoset nga reformat dhe zgjidhja e problemeve konkrete drejt marketingut politik, sondazheve dhe strategjive të marrëdhënieve me publikun.

Pasojat mund të shihen edhe në funksionimin e institucioneve, në pasigurinë ekonomike dhe në frenimin e investimeve për shkak të pasigurisë politike. Gjatë periudhave zgjedhore, disa aktivitete institucionale gjithashtu kufizohen për shkak të dispozitave ligjore.

Një tjetër pasojë është lodhja e qytetarëve nga proceset e shpeshta zgjedhore, e cila mund të ndikojë në interesimin për votim dhe në pjesëmarrjen në zgjedhje.

Maqedonia e Veriut ka një bazë të gjerë partiake

Megjithatë, kjo nuk është domosdoshmërisht një rrezik i madh në vende ku një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve janë anëtarë të partive politike, pasi kjo krijon një bazë të gjerë për mobilizim elektoral.

Të dhëna interesante në këtë drejtim janë publikuar në studimin “Hulumtim krahasues i sistemeve zgjedhore – gjetjet fillestare kombëtare për Republikën e Maqedonisë së Veriut lidhur me zgjedhjet e prillit dhe majit 2024”, të Institutit për Hulumtime Sociologjike dhe Politiko-Juridike.

Sipas hulumtimit, të realizuar me një mostër të shtresëzuar dhe shumëfazore dhe gjithsej 1.056 anketa, çdo i shtati qytetar, ose 13 për qind, është anëtar formal i një partie politike. Kjo shifër është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2017, kur anëtarë partie ishin 13.6 për qind e qytetarëve.

Për krahasim, mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian është nga 3 deri në 5 për qind.

Në aspektin rajonal, përqindja më e lartë e anëtarësimit është regjistruar në rajonin e Shkupit me 17 për qind, në rajonin e Pollogut me 16 për qind dhe në rajonin Juglindor me 15 për qind, ndërsa më e ulëta në rajonin Lindor, me 6 për qind.

Pjesëmarrja në mobilizimin zgjedhor

Të dhënat tregojnë gjithashtu se për 66 për qind të të anketuarve, zgjedhjet në vend janë shumë ose deri diku të rëndësishme.

Sa i përket pjesëmarrjes në votime, 47 për qind e të anketuarve thanë se votojnë rregullisht, ndërsa 30 për qind të tjerë deklaruan se dalin shpesh në zgjedhje.

Një e katërta e të anketuarve kishin marrë pjesë në mitingje ose aktivitete më të vogla të fushatës, si takime me qytetarët. Një e treta kishin pasur vizita në shtëpi nga aktivistë që u kishin prezantuar programin zgjedhor, ndërsa pothuajse gjysma kishin marrë materiale propaganduese nga partitë politike.

Çdo i teti i anketuar kishte vendosur ndonjë shenjë të partisë ose fushatës në vete apo në objektin ku jeton, ndërsa çdo i dhjeti kishte qenë drejtpërdrejt i përfshirë në ndonjë fushatë zgjedhore të një partie ose kandidati.

Nëse zgjedhjet zhvillohen në afatin e rregullt, kjo do të nënkuptonte formimin e një qeverie teknike në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin në prill ose maj 2028.

Nga viti 1990 deri në vitin 2024, në Maqedoninë e Veriut janë zhvilluar tre referendume kombëtare, 11 zgjedhje parlamentare, 8 zgjedhje lokale dhe 7 zgjedhje presidenciale. Nëse mblidhen të gjitha këto procese votimi, rezulton se qytetarët e vendit, mesatarisht, kanë dalë para kutive të votimit në intervale më të shkurtra se dy vjet.(DW)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.