Zgjedhjet në RMV, BDI “kërcënon” me bojkot, partitë tjera nuk e marrin seriozisht
Bashkimi Demokratik për Integrim kërcënohet me bojkot të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, por askush nga partitë tjera nuk e merr seriozisht. Partitë politike vlerësojnë se është koha që BDI të ambientohet në opozitë, shkruan Portalb.mk. Përmes eksponentëve kryesor të partisë, BDI ka nisur ta fuqizojë zërin për bojkot të zgjedhjeve lokale. Fillimisht, Ali […]


Bashkimi Demokratik për Integrim kërcënohet me bojkot të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, por askush nga partitë tjera nuk e merr seriozisht. Partitë politike vlerësojnë se është koha që BDI të ambientohet në opozitë, shkruan Portalb.mk.
Përmes eksponentëve kryesor të partisë, BDI ka nisur ta fuqizojë zërin për bojkot të zgjedhjeve lokale. Fillimisht, Ali Ahmeti e hapi këtë çështje në një tubim partiak, ndërsa çështja po merr formë edhe nëpërmes figurave tjera partiake, të cilët përsërisin qëndrimin e Ahmetit. Së fundmi ishte ish ministri i Jashtëm, kuadët i BDI, Bujar Osmani, i cili vërtetoi qëndrimin e Ahmetit për bojkotin e mundshëm të zgjedhjeve lokale.
“Si mund t’u shkojë mendja ta heqin gjuhën shqipe të larë me gjak. Turp! Të heqin përfaqësimin e drejtë. Prandaj, këta tanët që janë andej, le t’i braktisin këto institucione. Ne, nuk shkojmë. Ne, nuk pranojmë. Ne, pranojmë vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme në tetor, bashkë me ato lokale”, tha mes tjerash Ahmeti.
“Ne themi nuk mund të ketë zgjedhje në kushte kur shqiptarët do të degradohen deri në atë nivel. Do të krijohet krizë e thellë politike që nuk do të mundet të ketë zgjedhje pa një ri-ulje përsëri. nuk është kjo çështja e BDI-së, shqiptarët nuk do të lejojnë të vazhdojë ditën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Është obligim moral, është obligim kombëtarë, është obligim njerëzor ndaj atyre që kanë dhënë jetën për këtë gjuhë. Edhe ne tash do bëhemi sikur asgjë nuk ka ndodhur. Prandaj them, krizë e thellë politike në të cilën nuk mund të vazhdon menyrën e njëjtë pa u ulë me bisedu se çka bëjmë me Marrëveshjen e Ohrit. Pa e kthy Balancuesin, pa e kthy Badenterin, pa e kthy legjitimitetin dhe pa e garantuar Gjuhën nuk mund të ketë politikë si zakonisht”, tha në Daily Click, Bujar Osmani.
Partneri shqiptar i VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN nënvizojnë se BDI ka humbur kredibilitetin te shqiptarët dhe si mungesë e programit dhe ideve krijojnë frikë te shqiptarët.
“Kjo është karta e tyre e fundit, për shkak se e dinë se shqiptarët tashmë nuk u besojnë. Vetë Ali Ahmeti pranoi nga Likova: BDI përgatit terren për bojkot të zgjedhjeve lokale! Çfarë do të thotë kjo? Se BDI nuk ka as ide, as program, as njerëz të rinj – vetëm frikë nga shantazhe. A është Artan Grubi autori i skenarit për bojkot të zgjedhjeve lokale”, thonë nga VLEN.
Nga VMRO-DPMNE thonë se BDI tashmë nuk janë faktor për të thirrur për zgjedhje të parakohshme ose për bojkot.
“Jemi të fokusuar në zgjedhjet lokale. BDI mund të thërrasë për çfarë të dojë. Kishin mundësi për mbi 20 vjet të bëjnë shumë punë për shtet por fatkeqësisht nuk arritën t’i bëjnë, kështu që, siç thashë ne jemi të fokusuar për realizim të programit tonë si qeveri”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut mendon se BDI nuk janë faktor politik në vend.
“BDI duhet përfundimisht të kuptojnë se janë në opozitë dhe të veprojnë si parti opozitare, të japin qëndrime të tyre për çështje kyçe dhe kur të vijë koha adekuate do të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Për momentin ata nuk janë në gjendje për të vendosur kushte dhe të diktojnë ritmin e veprimeve politike në shtet”, tha Sanja Llukarevska nga LSDM.
Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti (2025).
Disa të pavërteta të Osmanit se pse nuk do të kishte zgjedhje lokale