Zgjidhje për të hequr pritjet në kufi, Mickoski: Jemi drejt një zgjidhje
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjeve të gazetarëve lidhur me sistemin EES (për hyrje dhe dalje në BE), deklaroi se po zhvillohen negociata në nivel bilateral dhe shpreson që këto pengesa të tejkalohen, ndërsa si ...
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjeve të gazetarëve lidhur me sistemin EES (për hyrje dhe dalje në BE), deklaroi se po zhvillohen negociata në nivel bilateral dhe shpreson që këto pengesa të tejkalohen, ndërsa si Qeveri po kërkojnë një zgjidhje gjenerale.
“Ka politikanë nga fqinjësia që duan ta bëjnë politikën estradë, unë nuk kam një qëllim të tillë, unë dua të flas për gjëra që do të ndodhin. Përndryshe, po, po zhvillohen negociata dhe bazuar në ato negociata vlerësoj se në nivel bilateral do të tejkalohen këto pengesa, por jo vetëm për periudhën e verës, flas në përgjithësi, ne kërkojmë zgjidhje gjenerale. Edhe pse dje pati qarqe të caktuara që tentuan të më përqeshin për atë që thashë, unë qëndroj edhe më fuqishëm në qëndrimin se Maqedonia është një vend shumë i bukur dhe se ka liqene, male e fshatra të mrekullueshëm që do të mund të vizitohen gjatë pushimeve verore. Ka njerëz të atij lloji që sërish do të më përqeshin, por unë përsëri qëndroj edhe më i vendosur në qëndrimin tim,” theksoi Mickoski.
Dje, edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, tha se vendet e rajonit, së bashku me BE-në dhe vendet e saj anëtare, po komunikojnë intensivisht dhe po punojnë për tejkalimin e sfidave me rrëmujën në vendkalimet kufitare, e cila është më e theksuar në periudhat me frekuencë të shtuar, veçanërisht gjatë verës. Mucunski konfirmoi se po zhvillohen diskutime me disa vende dhe në kuadër të skemave të ndryshme të Bashkimit Evropian, që përfshijnë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku pritet që gjatë periudhës së verës të ndërmerren masa adekuate për reduktimin e pritjeve të gjata.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.