Zilja nuk ra në 4 shkolla të Strugës! Në këto fshatra sot nuk u dëgjua zëri i fëmijëve

Dikur, më 1 shtator, zërat e fëmijëve mbushnin oborret e shkollave. Sot, në katër fshatra të Strugës, ato zëra do të mungojnë përgjithmonë. Shkollat në Poumi, Zhepini, Bogoica dhe Nerezi mbyllin dyert, si pasojë e numrit gjithnjë e më të vo...

shtator 1, 2026 - 17:00
Zilja nuk ra në 4 shkolla të Strugës! Në këto fshatra sot nuk u dëgjua zëri i fëmijëve

Dikur, më 1 shtator, zërat e fëmijëve mbushnin oborret e shkollave.

Sot, në katër fshatra të Strugës, ato zëra do të mungojnë përgjithmonë. Shkollat në Poumi, Zhepini, Bogoica dhe Nerezi mbyllin dyert, si pasojë e numrit gjithnjë e më të vogël të nxënësve, raporton TV21.

Kjo është edhe një tjetër dëshmi e një realiteti që prej vitesh po zbraz fshatrat, të goditura nga migrimi dhe rënia e numrit të fëmijëve.

Dy nga katër shkollat e mbyllura janë paralele periferike të shkollës qendrore “Nuri Mazari” në fshatin Dollogozhdë. Drejtori i shkollës thotë se vendimi për mbylljen e tyre u mor për shkak të numrit shumë të vogël të nxënësve. Në secilën prej këtyre dy shkollave kishin mbetur vetëm nga tre nxënës.

“Shkolla fillore ‘Rexhep Fejza’ e fshatit Zhepin me 3 nxënës, nxënësit të transferohen në Shkollën periferike ‘Ekrem Jakupi’ dhe 3 nxënësit e Shkollës Fillore ‘Bajram Shabani’ nga Poumi te transferohen në Shkollën Qendrore ‘Nuri Mazari’ – Dollogozhdë, këtë e pamë si te arsyeshme me qëllim të ngritjes të nivelit të cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve sa më te mira për nxënësit”, theksoi Kaim Dauti- drejtor i shkollës qendrore “Nuri Mazari” Dollogozhdë .

Ndërkaq, në oborrin e shkollës takuam Mushteba Veliun, i cili ka punuar në këtë shkollë që nga hapja e saj, 42 vjet më parë. Për më shumë se katër dekada, ai është kujdesur për mirëmbajtjen e objektit, ndërsa këtë muaj del në pension, pikërisht në kohën kur edhe shkolla mbyll dyert. Për Veliun, mbyllja e shkollës ende duket e pabesueshme.

“Kishte 33 nxënës të kombinuar. E para me të tretën e dyta me të katërtën.

Gazetarja: Si arriti me 3 nxënës? Ka shumë mërgimtarë. Krejt rinia iku jashtë s’ka”, deklaroi Mushteba Veliu- mirëmbajtës i shkollës.

Për banorët, shkolla nuk ka qenë thjesht një objekt arsimor. Ajo ka qenë pjesë e pandashme e jetës së fshatit, vendi ku janë rritur breza fëmijësh.

Por sot, rënia e numrit të nxënësve ka arritur në pikën ku funksionimi dhe mirëmbajtja e shkollave në zonat rurale po bëhen gjithnjë e më të vështira./TV21


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.