Zjarret – Mos i helmoni fëmijët duke dashur të përfitoni në politikë!

Shkup, 15 shtator – Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është rënduar aq shumë situata me zjarret dhe me tymin që po përhepet gjithandjes sa nuk mund të marrish frymë.… The post Zjarret – Mos i helmoni fëmijët duke dashur të përfitoni në politikë! first appeared on Agjencia e Lajmeve - Zhurnal.mk.

shtator 15, 2025 - 15:00
 0
Zjarret – Mos i helmoni fëmijët duke dashur të përfitoni në politikë!

Shkup, 15 shtator – Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është rënduar aq shumë situata me zjarret dhe me tymin që po përhepet gjithandjes sa nuk mund të marrish frymë. Pa pasur nevojë të bëhen matjet dhe ekspertizat nga shteti, vetë qytetarët mund ta nuhasin se qytetit i vjen era shkrumb, shkruan “Zhrunal.mk”.

Kjo pamje e zymtë dhe kjo erë e keqe së fundmi është shkaktuar për shkak të tre zjarreve të mëdha që po ndodhin në deponinë “Varadrishte”, në deponinë “Drislla”, si dhe nga zjarri në Trubarevë, të gjitha këto në rrethinë të Shkupit.

Zjarri në Trubarevë ka shpërthyer në një depo në të cilën ruheshin sasi të mëdha mbeturinash elektronike dhe plastike, e që ky është zjarri i parë i tillë në Maqedoninë e Veriut. Bateritë e ruajtura, veçanërisht ato me jone litiumi, si dhe metale dhe kimikate të ndryshme, krijojnë temperatura jashtëzakonisht të larta gjatë djegies dhe e bëjnë shuarjen jashtëzakonisht të vështirë dhe të rrezikshme. Për shuarjen e tij u përdor metoda e rekomanduar për këtë lloj zjarri, pra shuarja me rërë të imët, por edhe pse zjarri u shua, në qiell dhe shtëpitë për rreth ka lënë pasoja të rënda.

Bateritë, akumulatorët dhe kabllot e litiumit që u dogjën, sipas ekspertëve të huaj, lëshojnë një re gazrash dhe grimcash toksike që mund të kenë pasoja afatgjata për njerëzit, kafshët dhe mjedisin.

Hulumtimet e publikuara në revistën Batteries, një studim i vitit 2024 nga Lucas Klaasen, Jan Fing, Johannes Friedrich dhe Andreas Pfrang – tregojnë se kur digjen bateritë litium-jon, çlirohen gazra acidikë jashtëzakonisht të rrezikshëm, siç janë fluori i hidrogjenit dhe komponimet e fosforit të fluorizuar. Këto plotësohen nga gazra të ndezshëm dhe toksikë – monoksidi i karbonit, dioksidi i karbonit dhe hidrogjeni – të cilët e rrisin më tej rrezikun.

Tymi, sipas të njëjtit grup autorësh, është plot me pluhur të imët (PM₂.₅ dhe më të vegjël) që depërton lehtësisht thellë në mushkëri. Këto grimca përmbajnë karbon organik dhe elementar, fosfate, fluoride dhe metale – nikel, kobalt, mangan, litium, alumin dhe bakër. Shkencëtarët paralajmërojnë se më shumë se 80 përqind e të gjitha grimcave janë ultra të imëta, që do të thotë se ato mund të shkaktojnë probleme serioze dhe afatgjata shëndetësore, shkruan “Zhurnal.mk”.

Organet kompetente kanë konstatuar se kishte një përqendrim të lartë të substancave të dëmshme në afërsi të menjëhershme të zjarrit. Megjithatë, për të minimizuar rrezikun shëndetësor për banorët që jetojnë në zonën më të afërt për rreth magazinës, atyre iu rekomandua të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Por, menjëherë edhe kjo tragjedi sikur shumë tragjedi të tjera që po ndodhin thuajse çdo ditë në këtë vend, u politizua dhe faji fatkeqësisht mbetet jetim.

Nga ministri i brendshëm u tha se “pakujdesia dhe mungesa e interesit për zgjidhjen sistematike të problemeve të tilla nga qeveritë e mëparshme çoi në këtë dhe në situata të tjera si ‘Drislla’ dhe ‘Vardarishte’”.

Ajo që po ndodh tani ështe absurde, dhe duket se sulmet janë të koordinura. Ka dyshime se ne jemi cak i një sulmi hibrid, sepse zjarret po shpërthejnë sikur të jenë të koordinuara.

Zjarri fillestar u shkaktua nga djegia e kabllove, por nga pushteti kanë dyshime se atyre që dogjën kabllot u dhanë para për të ndezur një zjarr në mbrëmje, dhe pastaj për të bërë të njëjtën gjë të nesërmen.

Gjatë ditëve të fundit iniciativa qytetare kanë bllokuar trafikun në urën “Binjakët” midis komunave Aerodrom dhe Gazi Baba dhe kërkojnë që të gjendet urgjent zgjidhje për ndotjen e tepërt që po ndodh.

Duke parë këtë pasqyrë të plotë të situatës me zjarret është një fakt i vërtetë se nuk është rastësi ajo që po ndodhë. Pra edhe zjarret janë të politizuara dhe dikush me qëllim po mundohet t’i vë flakën vendit vetëm e vetëm që të arrijë qëllimet e tij politike. Sidomos tani kur jemi në fushatë parazgjehdore, po mundohet që të krijohet një pasqyrë se asgjë nuk funksionon dhe se vendi është i mbytur në zi dhe në erë të keqe. Është fakt se qyteti i Shkupit është mbytur nga mbeturinat për shkak të inateve dhe pazareve politike, por tani kjo që po ndodh me zjarret është vazhdimësi e kësaj situate të zymtë.

Partitë politike duhet njëherë e përgjithmonë të mos kalkulojnë e të fitojnë pikë politike në dëm të qytetarëve. Është mëkat i madh t’i helmojnë fëmijët e qytetarët, për shkak se dikush dëshiron të përfitojë në skenën politike, ose më e keqja se dikush dëshiron të përfitojë financiarisht duke helmuar dikë tjetër, shkruan “Zhurnal.mk”.

The post Zjarret – Mos i helmoni fëmijët duke dashur të përfitoni në politikë! first appeared on Agjencia e Lajmeve - Zhurnal.mk.