11 persona të hospitalizuar nga djegia e ndërtesës në Tiranë, ende s’dihet shkaku i zjarrit
Njëmbëdhjetë njerëz janë hospitalizuar si pasojë e lëndimeve nga një zjarr që e ka përfshirë një ndërtesë shumëkatëshe banimi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të martën, njoftuan autoritetet. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se personat e hospitalizuar nuk janë në rrezik për jetën. Zjarri – që nisi rreth orës 17:00 në ndërtesën pranë Qendrës


Njëmbëdhjetë njerëz janë hospitalizuar si pasojë e lëndimeve nga një zjarr që e ka përfshirë një ndërtesë shumëkatëshe banimi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të martën, njoftuan autoritetet.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se personat e hospitalizuar nuk janë në rrezik për jetën. Zjarri – që nisi rreth orës 17:00 në ndërtesën pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” – u vu nën kontroll rreth tri orë më vonë, sipas autoriteteve.
Fasada e pallatit mori flakë tërësisht deri në katin e 12-të dhe, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikëseve zjarri, depërtoi edhe brenda në banesa, para se të vihej nën kontroll. Ende nuk dihet shkaku i zjarrit. Më herët, Arben Cara, drejtori i shërbimit zjarrfikës, tha se zjarri u lokalizuar, dhe nuk u lejua të përhapej në pallate e ndërtesa të tjera përreth.
Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Skënder Hita, tha se dy banorë të evakuuar kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të asfiksisë si dhe disa zjarrfikës që kanë marrë plagë djegie.
“Nuk mund të flasim për bilanc tërësor. Kur të kontrollojmë gjithë apartamentet mund të flitet për bilanc”, tha Hita.
Ministria e Mbrojtjes tha se 26 pjesëtarë të ushtrisë janë angazhuar në këtë operacion, dhe një helikopter Cougar po punonte për shuarjen e plotë të zjarrit. Ekipet e emergjencës ndërhynë duke i larguar disa banorë të ngecur në ndërtesë dhe me vështirësi në frymëmarrje. Rreth një orë pasi u ndez zjarri, Policia zgjeroi perimetrin e sigurisë, duke u kërkuar mediave dhe banorëve të zhvendosen, pasi gjendja u përkeqësua me përhapjen e flakëve edhe brenda banesave./REL
