19 persona të tjerë janë përfshirë në hetimin për zjarrin në Koçan, në mesin e tyre ish-ministra dhe inspektorë
Prokuroria Themelore Publike në Koçan sot ka lëshuar Urdhër për zgjerimin e hetimeve për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit në 19 persona të rinj. Të gjithë ata dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për zyrtarë të cilët në […]


Prokuroria Themelore Publike në Koçan sot ka lëshuar Urdhër për zgjerimin e hetimeve për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit në 19 persona të rinj. Të gjithë ata dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për zyrtarë të cilët në periudhën 2012-16.03.2025, bashkërisht, por secili për nga kapaciteti, kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre, nuk kanë vepruar fare në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pronës në shkallë të gjerë, transmeton Portalb.mk.
Në mesin e të dyshuarve të rinj janë edhe inspektorë të autorizuar ndërtimor në Komunën e Koçanit, drejtorë dhe inspektorë të përgjithshëm nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ministra të ekonomisë, sekretarë shtetërorë dhe zyrtarë të tjerë nga ajo ministri, si dhe inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
“Dyshohet se veprimet dhe mosveprimet e tyre të kundërligjshme kanë çuar në vazhdimësi që kabareja klum Pulse në Koçan, që nga fillimi për një periudhë të gjatë kohore deri në rënien e zjarrit, të vazhdojë të kryejë aktivitete hoteliere pa plotësuar asnjë kusht ligjor dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e sigurisë për jetën e personave që kanë vizituar objektin. Si pasojë, gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike më 16 mars 2025 gjatë një shfaqjeje të grupit muzikor DNA, u shkaktua një zjarr me pasojë vdekjen e 61 personave, mes tyre 6 fëmijë dhe plagosjen e 197 personave të tjerë, mes tyre 25 fëmijë”, thonë nga Prokuroria.
Prokuroria Themelore Publike në Koçan deri në fund të ditës do të dorëzojë propozime në Gjykatën Themelore në Koçan për përcaktimin e masave të duhura për të siguruar praninë e secilit prej të dyshuarve të rinj.
Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë lidhur me zjarrin. Njëri prej tyre, pas hapjes së hetimeve, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri dhe për këto arsye, pas marrjes së dokumentacionit të plotë mjekësor, ndaj tij do të ndërpritet procedura.
Paraprakisht mediat raportuan se në heitm janë të përfshirë ish-ministrin e Ekonomisë Bekim Neziri, i cili hyri në MNAV dy vjet më parë dhe rrahu një kontrollor të trafikut ajror, pastaj drejtorin prej shumë kohësh të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe ministrin aktual pa portofol Shaban Saliu, Valon Saraçini – ish-ministër i Ekonomisë dhe të tjerë.
Driton Kuqi, ish-ministër i Ekonomisë, i cili aktualisht është ambasador i Maqedonisë në Norvegji, dyshohet se është gjithashtu i dyshuar. Është arrestuar edhe drejtori aktual i DMSH Xhevat Selami, por sikurse me emrat e mëparshëm, nga Prokuroria thonë se gjatë ditës do të ketë informacione zyrtare.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar duke thënë se “sot, populli shqiptar në vend është nën sulm nga institucionet e shtetit të tij, të cilat janë plotësisht të kapura nga interesat politike dhe etnocentriste të Qeverisë. Për t’u mbrojtur, Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Prokurori i Shtetit e kanë drejtuar njëanshëm hetimin kundër shqiptarëve që kanë qenë pjesë e institucioneve të sistemit në çfarëdo forme dhe në çdo kohë”.
“Deklarojmë qartë se sot kundër shqiptarëve është shpallur një agresion i njëanshëm dhe i padrejtë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për BDI-në, partitë shqiptare në pushtet, apo shqiptarët në përgjithësi. Kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në proceset institucionale! BDI do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e këtij sulmi dhe për të siguruar drejtësi për popullin shqiptar në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraprakisht identifikoi si të dyshuar 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Me arrestimet e datës 12 prill, ky numër arriti në 45 persona. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre. Në paraburgim janë 24 persona.