2025 filloi pa inspektim të bankave për (mos) zbatimin e gjuhës shqipe, Inspektorati paralajmëroi se kontrollet do të realizohen brenda vitit
Viti 2025 ka filluar ashtu si mbaroi viti 2024, pa mbikëqyrje inspektuese ndaj bankave të Maqedonisë së Veriut se sa (nuk) e zbatojnë gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk. Nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve thonë se mbikëqyrjet do të realizohen periudhën në vijim duke mos specifikuar se kur. Pavarësisht se në nëntor të vitit 2024 nga […]
![2025 filloi pa inspektim të bankave për (mos) zbatimin e gjuhës shqipe, Inspektorati paralajmëroi se kontrollet do të realizohen brenda vitit](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2024/12/Copy-of-Foto-1.png?fit=1024%2C576&quality=80&ssl=1)
![Bankë. Foto: Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2024/12/Copy-of-Foto-1.png)
Viti 2025 ka filluar ashtu si mbaroi viti 2024, pa mbikëqyrje inspektuese ndaj bankave të Maqedonisë së Veriut se sa (nuk) e zbatojnë gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk. Nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve thonë se mbikëqyrjet do të realizohen periudhën në vijim duke mos specifikuar se kur.
Pavarësisht se në nëntor të vitit 2024 nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve thanë se bankat do të mbikëqyren në vitin 2025, në muajin e parë të vitit kjo nuk ndodhi.
Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve Arsim Idrizi për Portalb.mk theksoi se në muajin e parë të vitit 2025 nuk kanë kryer inspektim te bankat, për arsye se janë ballafaquar me një proces të pa parashikuar atë të organizimit dhe statusit të Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve e që është në vazhdim e sipër.
“Megjithatë, mund të konfirmoj që mbikëqyrja e përdorimit të gjuhës shqipe në sektorin bankar është pjesë e planifikimeve të Inspektoratit për vitin 2025. Aktivitetet konkrete të inspektimeve dhe masat që do të ndërmerren janë në përputhje me strategjinë e Inspektoratit dhe janë planifikuar për të siguruar një zbatim të plotë të përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet, në përputhje me ligjin”, tha Idrizi.
Ai shtoi se për informacion më të detajuar dhe për t’u njohur me rezultatet e mundshme të inspektimeve, do të na kontaktojnë përsëri.
Kujtojmë që edhe në maj 2024 nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve thanë se do të mbikëqyrin zbatimin e gjuhës shqipe nëpër banka dhe nëse kjo nuk respektohet Inspektorati do të veprojë, por kjo nuk ndodhi.
Ky reagim i Inspektoratit erdhi pas përgjigjes së Ministrisë të Drejtësisë se bankat dhe personat e tjerë juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në përputhje me ligjin gjatë mbledhjes së depozitave dhe burimeve të tjera të kthyeshme të mjeteve duhet ta përdorin edhe gjuhën dhe alfabetin që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik.
Inspektorati paraprakisht kishte “paqartësi nuk e kishin të qartë nëse mundnin ose jo t’i gjobitin bankat për moszbatimin e gjuhës shqipe. Për këtë ata kërkuan mendim nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo ky mendim u vonua dhe i njëjti u bë publik nga Portalb.mk, në të thuhej se bankat detyrohen të përdorin gjuhën shqipe ndërsa i ngelet Inspektoratit të veprojë.
Edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës mbeti e qëndrimit se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por në praktikë bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.
Problematika me (mos)përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e bankave u hap në shkurt 2024 nga organizata qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT).
- LEXO: MMPT: Zyrtarizmi i gjuhës shqipe vetëm për propagandë parazgjedhore, nuk përdoret në institucione
Nga ana tjetër, më 20 mars do të mbahet seancë përgatitore për Ligjin e Gjuhëve, pasi Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetori nuk mori vendim rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët. Në seancë u soll vendim për një seancë të radhës, e ashtuquajtur përgatitore ku do të dëgjohen edhe ekspertë të tjerë juridik, e gjithë kjo për faktin e ndjeshmërisë së kësaj lënde. Politika ishte e zëshme si para ashtu edhe pas seancës së fundit të Kushtetueses.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.