3 nga të ndaluarit nga policia për incidentet e 28 Nëntorit në paraburgim kurse për të tjerët policia ka dorëzuar kallëzim penal

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski as nuk pohon dhe as nuk mohon që Artan Grubi të jetë ftuar në bisedë informative në polici si organizator potencial i disa prej incidenteve gjatë festimit të 28 Nëntorit. I pyetur për lidhjen e personave të privuar nga liria me ish zv.kryeministrin e parë dhe fotografitë e përbashkëta të […]

dhjetor 3, 2024 - 16:00
 0  4
3 nga të ndaluarit nga policia për incidentet e 28 Nëntorit në paraburgim kurse për të tjerët policia ka dorëzuar kallëzim penal

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski as nuk pohon dhe as nuk mohon që Artan Grubi të jetë ftuar në bisedë informative në polici si organizator potencial i disa prej incidenteve gjatë festimit të 28 Nëntorit. I pyetur për lidhjen e personave të privuar nga liria me ish zv.kryeministrin e parë dhe fotografitë e përbashkëta të tij me disa prej tyre, Toshkovski shkurt tha se “Nuk do të doja të tregoj në këtë moment më shumë informacione që lidhen me pjesën tjetër të hetimit”.

VLEN ditë më parë akuzoi publikisht që personat që dogjën flamurin maqedonas janë të afërt me Grubin kurse Grubi në rrjetet sociale, shkroi “demantoj në formën më të ashpër të mundshme çdo ndërlidhje timen monstruoze dhe propaganduese me ngjarjet e 28 nëntorit”.

Policia gjatë ditëve të fundit ndaloi 17 persona. Toshkovski thotë se shumë prej tyre janë të mitur kurse edhe ata të moshës madhore nuk janë më shumë se në të njëzetat. Tre prej tyre janë në paraburgim kurse janë dorëzuar edhe disa kallëzime penale në prokurori. Për personat e mitur procedura është e ndryshme dhe do të dorëzohen kallëzime penale në përputhje me procedurat për persona të mitur.

3 nga personat e ndaluar janë për djegien e flamurit shqiptar në Prilep, njëri është për dëmtimin e simboleve serbe në Kumanovë dhe një tjetër në Kërçovë për përdhosjen e të dy flamujve njëkohësisht, atij shqiptar dhe atij maqedonas. Toshkovski, në intervistë për “Lider” sqaron se procedura penale është e njëjtë për përdhosjen e të dy flamujve shqiptar apo maqedonas.

Kreu i OVL-UÇK-së Besim Hoda thotë se institucionet duhet të kishin marrë masa paraprake rreth organizimit të festimeve të 28 Nëntorit. Ai, në intervistë në Alsat, dënoi edhe djegien e flamurit të shtetit duke shtuar se simbolet duhet të respektohen. Sipas Hodës këta incidente janë rezultat i mosmenaxhimit të duhur politik dhe nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë të organizuara ose të nxitura.

“Është shumë e dhimbshme, të djegësh flamurin në moment kur ti po feston për flamurin. Unë jam absolutisht kundër, duhet të respektohet çdo flamur i çdo komuniteti apo të respektojmë ndërsjell njëri-tjetrin. Unë jam gjithmonë i mendimit që ata që janë në pozicion politik, që janë në pushtet, konkretisht, që janë pjesë e qeverisë, nuk duhet të japin deklarata… Të kapen këta individë dhe të kërkohet përgjegjësi, nëse e kanë bërë nga veprimet personale të tyre apo kanë qenë të nxitur nga njerëz që rrinë pas tyre që absolutisht nuk mund të përjashtohet duke e ditur dilentantizmin politik nëpër të cilin po kalojmë, qoftë nga strukturat qeveritare shqiptare, qoftë nga ata opozitare që nuk janë duke u pajtuar me realitetin se janë pjesë e opozitës”, deklaroi Besim Hoda, OVL-UÇK. /Alsat.mk