A do të mbeten studentët në Shkup pa transport publik falas?

Transporti falas i studentëve me autobus me Ndërmarrjen Publike të Transportit Shkup edhe një herë është vënë në pikëpyetje. Përpjekjet e studentëve për të zgjatur biletat e tyre vjetore për vitin e ardhshëm kalendarik 2025 përfundojnë pa sukses – në qendrat e personalizimit të NTP marrin përgjigje se presin “amin” nga autoritetet. Megjithatë, ndërmarrja dhe […]

dhjetor 19, 2024 - 14:00
 0  6
A do të mbeten studentët në Shkup pa transport publik falas?
Komunikacion, vetura, analiza ekonomike, trafik, autobus, NQP NTP

Transporti falas i studentëve me autobus me Ndërmarrjen Publike të Transportit Shkup edhe një herë është vënë në pikëpyetje. Përpjekjet e studentëve për të zgjatur biletat e tyre vjetore për vitin e ardhshëm kalendarik 2025 përfundojnë pa sukses – në qendrat e personalizimit të NTP marrin përgjigje se presin “amin” nga autoritetet. Megjithatë, ndërmarrja dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ende nuk kanë rënë dakord se kush do të marrë përsipër barrën financiare, pra të paguajë transportin falas të studentëve. Si pasojë, studentët nuk mund të rinovojnë biletat e tyre dhe është e pasigurt nëse kjo masë do të vazhdojë të zbatohet edhe vitin e ardhshëm, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Studentët e rregullt në fakultetet shtetërore në kryeqytet filluan ta shfrytëzojnë këtë mundësi për tu vozitur falas në autobusët e NTP Shkup më 1 janar 2016. Masa u prezantua nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe që nga ajo kohë është në fuqi çdo ditë, për të gjitha linjat e qytetit dhe periferisë.

Masa parashihte që të gjithë studentëve të rregullt nga universitetet shtetërore të Shkupit t’u lëshohen kartela nga NTP Shkup, në mënyrë që shërbimin ta shfrytëzojnë pa pagesë. Kartelat “Skopska” janë të vlefshme çdo vit, dhe çdo dhjetor vlefshmëria e tyre vazhdohet për vitin vijues kalendarik. Por këtë dhjetor, kartelat e transportit publik falas me autobus nuk mund të zgjaten.

Disa studentë dëshmojnë për Meta.mk se në qendrat e personalizimit të NTP Shkup, ku duhet të rinovojnë kartelat, punonjësit i kthejnë me sqarim se ende nuk ka informacion nëse kjo masë do të vazhdojë edhe në vitin 2025.

Arsovska dhe NTP pretendojnë se MASh ka borxhe, nga ministria nuk pajtohen

Paqartësia në të cilën janë vendosur studentët është rezultat i akuzave disamujore mes Qytetit të Shkupit dhe Qeverisë.

Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, thotë se Qeveria ka borxh prej 8 milionë eurosh ndaj NTP Shkup, shumë që sipas saj do të rritet në 10 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm. Në fund të nëntorit të këtij viti, Arsovska paralajmëroi se çështja e transportit publik falas nuk është e kërcënuar vetëm për studentët, por edhe për përdoruesit e tjerë. Ajo akuzon autoritetet qendrore për mospërmbushje të detyrimeve ndaj ndërmarrjeve publike, konkretisht nuk paguajnë shpenzimet e transportit publik falas.

“Nuk e dimë se kush është agjenda pas asaj që qeveria nuk i ka shlyer borxhet për të katërtin vit radhazi, por presim që të thuhet qartë nëse kanë ndërmend të vazhdojnë me këtë masë apo jo sepse është obligim dhe vendim që e kanë ata si qeveri, ndërsa Këshilli e ka mbështetur”, tha Arsovska më 26 nëntor 2024.

Ndërkohë, sipas një raporti të Revizorit Shtetëror të publikuar në muajin tetor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka mbuluar shpenzimet e transportit falas të studentëve prej dy vitesh. Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me këtë masë në vitin 2022 dhe 2023, por përkundër kësaj, NTP ka vazhduar transportin e studentëve falas.

“Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për miratimin e fondeve nga buxheti i MASh-it për mbulimin e kostove të transportit urban falas për studentët me kohë të plotë në universitetet shtetërore për vitet akademike 2022/2023 dhe 2023/2024. Prandaj, buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nuk parasheh mjete për këtë qëllim, ndërsa NTP Shkup vazhdon ta përmbush obligimin ligjor për transport publik falas, por pa kompensim”, thuhet në raportin e revizionit të publikuar më 29 tetor 2024.

Duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në gusht deklaroi se nuk ka bazë ligjore mbi të cilën Ministria do ta shlyejë borxhin që Arsovska pretendon se e ka shteti ndaj NTP Shkup. Ajo bëri të ditur se për rezultatin do të vendosë gjykata.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore mbi të cilën Ministria do ta shlyente atë borxh. Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë kontratë, asnjë vendim qeverie. Pra, e përsëris, edhe sikur të doja nuk mundem dhe dua që studentët të kenë transport falas edhe për vitin e ardhshëm. Po planifikojmë mjete për transport falas për studentët. Por ajo duhet të zgjidhet në një mënyrë tjetër. Për mua si ministre rruga është që gjykata të vendosë dhe si të vendos gjykata – kështu do të veprojmë”, tha Janevska më 23 gusht të këtij viti.

Kjo nuk është hera e parë që vihet në pikëpyetje funksionimi i transportit publik me autobus falas për studentët. Edhe në vitin 2022, Qyteti i Shkupit pretendonte se Ministria e Arsimit dhe Shkencës i kishte borxh 2 milionë euro për transport falas për nxënës dhe studentë.

Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë të vitit 2018, “Qeveria e Republikës së Maqedonisë mund të vendosë për përfitime të veçanta për studentët, si kartelë për lirime studentore, transport falas në qytet dhe të tjera, me mjete të siguruara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë”.

Studentët kërkojnë përgjigje

Kuvendi Studentor Universitar i Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup (KSU UKM) sot përmes një reagimi publik kërkuan përgjigje nga NTP Shkup, Këshilli i Qytetit të Shkupit, Qeveria dhe MASh, nëse masa do të vazhdojë edhe në vitin 2025.

“Transporti publik falas është një masë e rëndësishme dhe e nevojshme që është jo vetëm e dobishme për të rinjtë, por edhe një nxitje për pjesëmarrje aktive në proceset politike, dhe shoqërinë në tërësi. Besojmë se kjo çështje është e një rëndësie thelbësore për të ardhmen e studentëve në qytetin dhe vendin tonë, prandaj kërkojmë përgjigje dhe shpjegim të menjëhershëm”, thuhet në përgjigjen e KSU UKM.

Ata besojnë se heqja e masës do të çojë në rritje të kostove financiare për studentët dhe familjet e tyre, akses të kufizuar në arsim dhe rënie të standardeve të studentëve.

Në lidhje me akuzat e ndërsjella, Meta.mk ka dërguar pyetje te NTP Shkup dhe MASH, por deri më sot asnjëra palë nuk iu është përgjigjur pyetjeve.