Presidenti i KE-së, Kosta: Bilateralizimi i procesit të zgjerimit të BE-së nuk është i drejtë dhe duhet ta shmangim atë
Bilateralizimi nuk është mënyrë e drejtë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ne duhet ta shmangim atë, tha presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në një konferencë për shtyp pas përfundimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel ku mori pjesë edhe një delegacion i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga kryeministri […]
Bilateralizimi nuk është mënyrë e drejtë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ne duhet ta shmangim atë, tha presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në një konferencë për shtyp pas përfundimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel ku mori pjesë edhe një delegacion i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas Kostës, procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe vetëm merita mund të jetë bazë për vlerësimin e progresit të vendeve që aspirojnë anëtarësimin e plotë në Union, transmeton Portalb.mk.
“Bilateralizimi nuk është mënyrë e drejtë për t’u marrë me zgjerimin dhe ne duhet ta shmangim atë. Unë personalisht jam i përkushtuar për të kapërcyer këto probleme dypalëshe, sepse ne duhet ta shohim zgjerimin si një investim shumë të rëndësishëm gjeopolitik, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe si një interes të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së”, tha Kosta duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me rastet kur disa anëtarë të Unionit bllokojnë kandidatët për anëtarësim në rrugën e tyre evropiane për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Prandaj, tha presidenti i Këshillit Evropian, procesi i anëtarësimit duhet të përshpejtohet me përkushtim të madh dhe duke tejkaluar problemet dypalëshe, të cilat ndonjëherë vihen në tavolinë dhe duhet të zgjidhen.
E pyetur se çfarë do të bënte Komisioni Evropian për të ndryshuar këtë praktikë, presidentja e organit ekzekutiv të Bashkimit, Ursula von der Leyen, tha se kur përcaktohet se kërkohet një konsensus për një çështje, atëherë kërkohet edhe një konsensus për të ndryshuar atë rregull.
“Përvoja ime e viteve të fundit është se më e rëndësishmja është përkushtimi për tejkalimin e këtyre bllokimeve, për gjetjen e zgjidhjeve, për të gjetur kompromise”, tha ajo.
Sipas saj, përpjekje të tilla ndonjëherë ngadalësojnë procesin, por gjithmonë japin rezultate.
“Nëse e shikoni Bashkimin Evropian në tërësi, është një histori e gjetjes së kompromiseve dhe zgjidhjeve për problemet që ekzistojnë. Për këtë jam e bindur”, tha kryetarja e KE-së.
Pas Samitit, krerët e shteteve dhe qeverive miratuan një Deklaratë në të cilën mesazhi kryesor është se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian.
Në dokument përmendet konkretisht Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati i Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në mirëbesim dhe me rezultate të dukshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë, është me rëndësi thelbësore”, thuhet në deklaratën e Samitit.
Para fillimit të Samitit, kryeministri i Maqedonisë Hristijan Mickoski në një video-fjalim tha se pret përshtypje pozitive dhe se janë në Bruksel për të dërguar mesazhin se vendi i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian, si anëtare me të drejta të plota.
“Sot jemi këtu në Bruksel për të dërguar një mesazh se qytetarët e Maqedonisë dhe Maqedonia si shtet e meritojnë vendin e tyre me 27 shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe se vendi ynë është pikërisht këtu në të njëjtën tryezë me ta, sepse ndajnë të njëjtat vlera, luftojmë për të njëjtat vlera dhe besojmë në ato vlera, që duhet të jemi të bashkuar në diversitet”, tha Mickoski.
Në fjalën e tij ai tregoi se çfarë u diskutua dhe cilat ishin mesazhet e tij në takimin me kryesuesen e diplomacisë evropiane, Kaia Kallas.
“Në takim folëm për të gjitha ato frikëra dhe gjithçka që ne si shtet dhe si popull duhej të bënim në të kaluarën, në emër të të njëjtave vlera evropiane dhe që nuk duhet ta bëjmë më kurrë, jo vetëm për shkak të vetvetes, por edhe për shkak të vlerave që ne ndajmë me Bashkimin Evropian të drejtën për të diskutuar çështje dypalëshe, çështje identitare dhe kurrë më askush nuk do të ketë të drejtë të sfidojë identitetin tonë shekullor dhe gjuhën tonë amtare maqedonase që ka rrënjë shekullore”, tha kryeministri.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Maqedonia meriton të ecë para në rrugën e integrimeve, vlerësoi Mickoski
- LEXO: Ditët e këtij viti numërohen në gishta, RMV-ja ende s’i ka realizuar reformat që kushtëzojnë marrjen e 17 milionë eurove nga Brukseli
- LEXO: Agjenda reformuese e RMV-së identifikon një sërë sfidash, BE-ja do ta monitorojë zbatimin dhe do të vendosë për parat
- LEXO: Brukseli pret që me Agjendën reformuese RMV-ja të miratojë Kod të ri Penal dhe ligj për Prokurorinë
- LEXO: Mickoski dhe Murtezani prezantuan “Agjendën e reformave 2024-2027”, e cila pritet të miratohet nga KE