Adnan Azizi: Gostivari u masakrua nga BDI dhe LSDM, Taravari po e shkatërron përmes pazareve!
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka akuzuar BDI-në dhe LSDM-në se përmes një “masakër statistike” ndaj shqiptarëve gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, ka sjellë pasoja të rënda financiare dhe përfaqësuese për qytetin e Gostviarit. Sipas Azizi, regjistrimi i vitit 2021 u shndërrua në një akt të rëndë politik me bekimin e Ali Ahmetit, […]

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka akuzuar BDI-në dhe LSDM-në se përmes një “masakër statistike” ndaj shqiptarëve gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, ka sjellë pasoja të rënda financiare dhe përfaqësuese për qytetin e Gostviarit.
Sipas Azizi, regjistrimi i vitit 2021 u shndërrua në një akt të rëndë politik me bekimin e Ali Ahmetit, ku shqiptarët u ndanë në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, çka uli përqindjen e tyre me të paktën 5%. Vetëm në Gostivar, mbi 34 mijë qytetarë janë klasifikuar si jorezidentë, 92% prej të cilëve janë shqiptarë. Si pasojë, qyteti humbi tetë këshilltarë komunalë dhe pëson një humbje prej rreth 4 milionë euro në vit nga buxheti shtetëror – që në një mandat katërvjeçar përkthehet në 16 milionë euro.
Në nivel republikan, shqiptarët humbin rreth 26 milionë euro në vit, ose 104 milionë në katër vite – një kosto që, sipas deputetit Azizi rritet ndjeshëm po të merren parasysh ata shqiptarë që nuk janë regjistruar fare.
Azizi akuzon Arben Taravarin për bashkëpunim me BDI-në dhe për tradhti ndaj qytetarëve të Gostivarit. “Në vend që të përballet me ata që ia shkaktuan këtë dëm qytetit, Taravari po e vazhdon masakrimin e Gostivarit përmes pazareve politike me BDI-në,” deklaroi Azizi.
Ai nuk la pa kritikuar as deputetin Halil Snopçe, të cilin e cilësoi si zëdhënës të interesave të Taravarit dhe Ahmetit. “Halili, në vend që të merret me gjenezën e problemit – regjistrimin e manipuluar – përpiqet të relativizojë pasojat, duke shmangur përgjegjësit e vërtetë. Gostivari nuk është oborr i Ali Ahmetit dhe nuk do falë kurrë tradhtinë, as atë të ‘97-ës, as të 2021-it.”
Azizi përmendi gjithashtu ndërprerjen e regjistrimit të mërgatës dhe futjen në statistika të 132 mijë personave pa identitet të qartë, si një komplot i qartë në dëm të shqiptarëve. Ai ironizoi edhe deklaratat e Ali Ahmetit dhe të përfaqësuesve të Entit të Statistikave që e cilësuan regjistrimin si “më të mirin e të gjitha kohërave”, duke thënë se “mashtrimi u çertifikua me vello ekspertësh ndërkombëtarë”.
“Nëse Halil Snopçe ka guxim dhe nuk ka frikë, le ta thotë të vërtetën. Mjaft më me heshtje dhe mbrojtje të tradhtisë ndaj shqiptarëve!”, përfundoi Azizi.
