Afatet po ecin, s’ka zgjidhje për presidentin
Kur ka kaluar një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, partitë parlamentare ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje në drejtim të zgjidhjes së ngërçit. Në bazë të vendimit të Kushtetueses, Kuvendi ka edhe 27 ditë nga sot për të zgjedhur presidentin ose Kuvendi automatikisht shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. E


Kur ka kaluar një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, partitë parlamentare ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje në drejtim të zgjidhjes së ngërçit.
Në bazë të vendimit të Kushtetueses, Kuvendi ka edhe 27 ditë nga sot për të zgjedhur presidentin ose Kuvendi automatikisht shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.
E dy ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se do t’i thërrasë liderët e partive opozitare për çështjen e presidentit. Partitë opozitare në anën tjetër kanë thënë se po presin ftesat nga VV-ja.
Kurti ka thënë se para se t’i kontaktojë kryetarët e partive të tjera, do të mbajë konsultime të brendshme.
“Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nëse nuk jam gabim kemi kohë deri më datën 28 prill që do të thotë se kemi 30 ditë, pra nuk janë 3 ditë janë 30, por do të përpiqemi që sa më parë të bëjmë sa më shumë, por mua më nevojiten konsultime të brendshme dhe ajo që dihet është që pas këtyre konsultimeve të brendshme që do t’i zhvilloj, menjëherë do të dërgoj ftesa për takim me kryetarët partive opozitare…Po e ritheksoj nuk besoj që është mirë të jemi veç 80 apo 81, është mirë të jemi rreth 85, 84 deri në 86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëjë edhe ftesa, do të zhvilloj edhe takime, por çfarë ofertash dhe kërkesash do të ketë në ato takime duhet pritur që të ndodhin ato takime”, pati thënë Kurti më 30 mars.
E partitë opozitare kanë sugjeruar se partia në pushtet është ajo që sjell kriza dhe e do krejt pushtetin për vete, tek kanë dhënë përgjigje të ndryshme se si do t’u përgjigjeshin ftesave të Kurtit për takime.
Nga PDK-ja kanë thënë se do të flasin pasi të pranojnë ftesën. Nga LDK-ja kanë thënë se janë të gatshëm të shkojnë edhe në zgjedhje nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje. E nga AAK-ja nuk besojnë se në partinë fituese ka vullnet për të gjetur zgjidhje.
Takime të tilla mes Kurtit dhe opozitës ishin paralajmëruar edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit. Madje, kryeministri pati dërguar ftesa për takim edhe gjatë kohës kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, liderët e partive opozitare kishin refuzuar të takoheshin në atë fazë, duke theksuar se preferonin të prisnin vendimin e Kushtetueses përpara se të hynin në bisedime politike.
Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.
Partitë opozitare kanë theksuar se përgjegjësia kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, ndërsa kanë kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.
Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më 28 prill, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon mandati më 4 prill.
