Ahmeti: E vlerësojmë hapin e guximshëm të Taravarit, ai e kuptoi shumë më herët se kjo qeveri është antishqiptare
BDI dhe “Fronti Evropian” ende nuk kanë marrë vendim se si do të paraqiten në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, tha sot integristi i parë Ali Ahmeti, duke shtuar se do të ftohen të gjitha partitë nga koalicioni dhe do të shqyrtohet e gjithë situata. I pyetur nëse ka […]


BDI dhe “Fronti Evropian” ende nuk kanë marrë vendim se si do të paraqiten në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, tha sot integristi i parë Ali Ahmeti, duke shtuar se do të ftohen të gjitha partitë nga koalicioni dhe do të shqyrtohet e gjithë situata. I pyetur nëse ka ndonjë marrëveshje me kreun e Aleancës për Shqiptarët dhe ministrin aktual të Shëndetësisë, Arben Taravari, lidhur me zgjedhjet lokale, Ahmeti tha se gjatë javës do të mblidhen të gjitha organet e partisë dhe do të shqyrtohen të gjitha çështjet, transmeton Portalb.mk.
“Ende nuk ka bisedime përfundimtare. BDI ende nuk i ka thirrur organet udhëheqëse të partisë. Gjatë javës do të thirren organet më të larta të partisë, do të shqyrtohen të gjitha situatat. Sigurisht, ne e vlerësojmë hapin e guximshëm të Taravarit, sepse ai e kuptoi shumë më herët se kjo qeveri nuk është gjë tjetër veçse një qeveri antishqiptare”, theksoi Ahmeti gjatë vizitës së tij në fshatin Sfillare të Shkupit.
Kryetari i BDI-së tha se e vlerëson vendimin e Taravarit për t’u ndarë nga VLEN.
“Nuk është ndërtuar ende asnjë strategji. Z. Taravari më duket se tha – Unë nuk kam lindur në qeveri, dhe në momentin që bëhet e papranueshme,mund të largohet. Por këto janë çështje të z. Taravarit, nuk janë çështje të BDI-së, as të ‘Frontit Europian’, këto janë çështje të brendshme që z. Taravari duhet t’i menaxhojë”, tha Ahmeti.
Koalicioni VLEN së fundmi u përça. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhje të garojë me lista të veçanta. Ai pretendonte të mbetet në kuadër të koalicionit por të garojë vetë dhe të bashkëpunojë edhe me parti të tjera, si BDI apo VMRO. Të nesërmen pas këtij vendimi, u mblodhën krerët e VLEN-it, të cilët konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni. Tani në pikëpyetje mbetet fati i dy grupeve për qëndrim më tej në Qeveri. Muajin e fundit në disa paraqitje Mexhiti dhe Kasami ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së, por kjo e fundit thotë se gjithçka varet nga vendimi i Mickoskit.
Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.