Berisha: PD do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e pronave

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e të drejtës së pronës në Shqipëri, duke e cilësuar krijimin e Korporatës së Investimeve si një mekanizëm grabitjeje të tokave dhe pronave, si publike ashtu edhe private. Gjatë një vizite në shtëpinë e një famileje të vjetër tiranase, Berisha u shpreh se kjo agjenci, […]

maj 2, 2025 - 23:00
 0  6
Berisha: PD do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e pronave

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e të drejtës së pronës në Shqipëri, duke e cilësuar krijimin e Korporatës së Investimeve si një mekanizëm grabitjeje të tokave dhe pronave, si publike ashtu edhe private.

Gjatë një vizite në shtëpinë e një famileje të vjetër tiranase, Berisha u shpreh se kjo agjenci, po vepron jashtë çdo kuadri kushtetues dhe ligjor, duke marrë toka dhe prona pa kufizime dhe me çmime qesharake.

“Me krijimin e agjencisë Korporata e Investimeve, ata i marrin sot tokën çdo shqiptari pa asnjë lloj kufizimi dhe çmime qesharake”.

Sipas Berishës, situata aktuale përkujton ligjet e vitit 1946, kur regjimi komunist shtetëzoi me forcë çdo pronë private.

Duke iu referuar një historie personale nga viti 1991, Berisha solli në vëmendje mënyrën paqësore me të cilën fshatarët ndanë tokën mes tyre, për të treguar se koncepti i pronës ishte i rrënjosur thellë në kulturën shqiptare, përkundër trashëgimisë kolektiviste të diktaturës.

“Në 12 vite qeverisje, Rama jo vetëm që nuk e zgjidhi çështjen e pronave, por e thelloi edhe më shumë. Sot, prona është në rrezik absolut,” deklaroi Berisha, duke shtuar se janë zgjidhur vetëm 800 dosje nga mbi 22 mijë.

Berisha paralajmëroi qytetarët të mos bëhen pjesë e “plaçkitjes së organizuar” dhe premtoi se PD nuk do të njohë asnjë vendim të marrë nga kjo agjenci. Ai garantoi se, PD do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës në Shqipëri.

“Së pari, në mënyrë absolute. Asnjë vendim të kësaj agjencie nuk do ta njohim. Dhe unë paralajmëroj shqiptarët. Mos u bëni bashkëautor në krimin e përvetësimit të pronave të të tjerë, se PD, qeveria e saj, nuk do ta pranojë kurrë një gjë të tillë. Kurrë! Së dyti, në 4 vite, cilado që të jetë kosto, ne do të zgjidhim në mënyrë përfundimtare çështjen e pronës në Shqipëri. Prona është themeli i familjes dhe i lirisë. Çështja e saj është mision i Partisë Demokratike, i domosdoshëm për paqen, drejtësinë dhe moralin e shoqërisë,” përfundoi ai.