Akademia e zanateve dhe Klubi i grave për pavarësinë ekonomike dhe dinjitetin e grave në Çair

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot e prezantoi vizionin e tij për pavarësinë ekonomike dhe barazinë e grave, masa të cilat burojnë nga takimet në terren The post Akademia e zanateve dhe Klubi i grave për pavarësinë ekonomike dhe dinjitetin e grave në Çair appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

tetor 5, 2025 - 01:01
 0
Akademia e zanateve dhe Klubi i grave për pavarësinë ekonomike dhe dinjitetin e grave në Çair

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot e prezantoi vizionin e tij për pavarësinë ekonomike dhe barazinë e grave, masa të cilat burojnë nga takimet në terren me qytetaret e Çairit.

Sipas Osmanit, kjo synim do të realizohet në dy drejtime: përmes hapjes së rrugëve në institucione dhe përmes krijimit të Akademisë për gratë në Çair, e cila do të ofrojë trajnime praktike dhe programe të certifikuara për fitimin e shkathtësive artizanale dhe sipërmarrëse.

“Këtë tashmë e kemi përgatitur si projekt që do të hapet nga komuna, dhe mbi bazën e ligjit do të angazhohen trajnerë, dhe në të gjitha zanatet e mundshme gratë do të mund të fitojnë aftësi dhe shkathtësi të reja, në mënyrë që ato që nuk kanë kualifikime të mjaftueshme, pas disa muajsh të marrin certifikatë, diplomë me të cilën pastaj do të mund të nisin bizneset e tyre të vogla, mikro-bizneset në çdo fushë”, theksoi Osmani.

Osmani njoftoi se komuna do të sigurojë subvencione dhe mbështetje financiare për gratë që do të hapin biznesin e tyre ose do të përfshihen në sipërmarrësi.

“Për çështjen e sipërmarrësisë, e kemi krijuar markën në Çarshinë e Vjetër, për sipërmarrëset e Çarshisë së Vjetër, të punuara nga gratë e Çairit, për t’i angazhuar të gjitha ato, veçanërisht kategoritë sociale, të cilat nuk kanë mundësi të barabarta, që të jenë pjesë dhe të kontribuojnë në shoqëri, por edhe ato të jenë përfituese nga ky kontribut”, deklaroi Osmani.

Në kuadër të planit, Osmani njoftoi edhe themelimin e “Klubit të Grave të Çairit”, në qendër të komunës, i cili do të jetë hapësirë për rrjetëzim, mentorim dhe mbështetje.

“Atje gratë do të kenë qasje në edukim financiar, juridik dhe shëndetësor, do të inkurajohen nga njëra-tjetra dhe do t’i nisin ndryshimet që për to janë të rëndësishme”, tha Osmani.

Osmani iu referua edhe temës së sigurisë dhe dinjitetit të grave në hapësirat publike.

“Asnjë nënë nuk guxon ta dërgojë fëmijën në shkollë me frikë nëse do të kthehet i sigurt. Do t’i rinovojmë shkollat, do t’i ndriçojmë rrugët dhe do të krijojmë shtigje të sigurta për këmbësorë, që çdo grua të mund të lëvizë lirshëm edhe në orët e mbrëmjes”, deklaroi Osmani.

Në pjesën e politikave sociale, Osmani njoftoi për themelimin e Fondacionit “Dora e Çairit”, përmes të cilit do të mbështeten nënat vetëushqyese, gratë nga kategori të cenueshme, si dhe bursa për vajzat në fushat STEM.

“Do të krijojmë një fond që do t’i ndihmojë nënat vetëushqyese jo vetëm për mbijetesë, por për zhvillim, shkollim dhe sipërmarrësi. Dua që gratë e Çairit të mund të thonë një ditë: ‘Unë nisa nga Çairi, por bota m’i hapi dyert'”, theksoi Osmani. Të gjitha këto masa, shtoi ai, do të vlejnë për të gjitha gratë: shqiptare, turke, boshnjake, maqedonase.

Në fund, Osmani njoftoi një sistem publik të llogaridhënies dhe transparencës për të gjitha programet dhe projektet e dedikuara për gratë, si dhe përgatitjen e Planit të parë të Veprimit për gratë e Çairit, i cili do të hartohet së bashku me nëna, mësuese dhe artizane.

“Të gjitha këto projekte nuk do të jenë vetëm premtime. Javën e ardhshme e nisim planin e parë të veprimit – dokument që do të dalë nga vetë gratë dhe do të jetë themeli i të gjitha politikave të ardhshme të komunës”, tha Osmani.

Ai u zotua se çdo grua në komunën e Çairit do të ketë mundësi, zgjidhje dhe të drejtë të ketë të ardhura financiare, të krijojë pavarësinë e saj ekonomike dhe të mos varet nga askush.

The post Akademia e zanateve dhe Klubi i grave për pavarësinë ekonomike dhe dinjitetin e grave në Çair appeared first on Flaka, në çdo lajm... .