Aleanca për Shqiptarët e Taravarit sot do të vendosë a do të dalë me VLEN-in në zgjedhje apo e vetme
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Arben Taravarit sot do të mbajë Kryesinë Qendrore në të cilën partia do të vendosë se si do të vazhdojë të veprojë. Kështu ka bërë të ditur dje ministri i Shëndetësisë, duke shtuar se në takim pritet që Aleanca të mbajë qëndrim se si do të vazhdojë – a do […]


Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Arben Taravarit sot do të mbajë Kryesinë Qendrore në të cilën partia do të vendosë se si do të vazhdojë të veprojë. Kështu ka bërë të ditur dje ministri i Shëndetësisë, duke shtuar se në takim pritet që Aleanca të mbajë qëndrim se si do të vazhdojë – a do të vazhdojë me koalicionin VLEN apo do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme lokale, transmeton Portalb.mk.
“Kemi dy opsione – njëra të vazhdojmë me VLEN-in dhe e dyta të shkojmë vetëm. Zgjedhja është mes këtyre dy opsioneve, nuk ka alternativë të tretë. Kemi disa komuna ku besojmë se do të arrijmë një rezultat të mirë vetë – Gostivar, Vrapçisht, Dibër, Bogovinë, Tearcë, Saraj… Nuk mendojmë se do të fitojmë, por se mund të arrijmë një rezultat të mirë. Megjithatë le të shohim, në fund vendosin qytetarët”, tha Taravari duke u përgjigjur në pyetjet gazetareske.
Ai tha se nuk është e vërtetë se po negociojnë me BDI-në.
Taravari zbuloi se përveç të premtes, gjatë fundjavës janë takuar disa herë me partnerët e koalicionit nga VLEN.
I pyetur për të komentuar deklaratën e kreut të Besës, Bilal Kasami, i cili tha se kush ndahet nga grupi do ta hajë ujku, Taravari tha:
“Nuk do të doja të komentoja për Bilal Kasamin, ky është qëndrimi i tij. Mendoj se ai nxiton kur bën deklarata, por kjo është punë e tij”.
Ndryshe, më 11 prill liderët e VLEN-it mbajtën mbledhje, ku pas saj u tha se Taravari do të mbetet pjesë e koalicionit.
Kujtojmë se, Taravari në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, ka bërë kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Ai tha se, koalicioni ka shumë mangësi dhe mospërputhjet e koalicionit shihen nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Kjo ka nxitur përplasje publike të liderëve të tjerë të VLEN-it me Taravarin, që kanë vazhduar që nga kjo intervistë.
Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje.
VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së. Mosmarrëveshjet në VLEN kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, përkatësisht rreth ndarjes së komunave.