Mafia urbane lulëzon në Tetovë: Shkeljet që mbajnë vulën e Bilall Kasamit dhe ekipit të tij

Brenda një muaji në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Aktivistët kritikojnë kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasamin se nuk e solli ndryshimin […]

Prill 15, 2025 - 10:00
 0  5
Mafia urbane lulëzon në Tetovë: Shkeljet që mbajnë vulën e Bilall Kasamit dhe ekipit të tij
Kryetari i Komunës së Tetovës - Bilall Kasami, zëdhënëset e komunës dhe disa nga udhëheqësit e sektorëve. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Brenda një muaji në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Aktivistët kritikojnë kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasamin se nuk e solli ndryshimin që e premtoi. Opozita e konsideron praktikë që duhet të ndalet. Ndërsa Komuna e Tetovës heshtë, ndërsa premtimet parazgjedhore mbeten të parealizuara në terren, shkruan Portalb.mk. 

Si e ndihmoi Komuna e Tetovës profesorin Faton Murseli që të ndërtojë pa leje në Kodrën e Diellit në tokën e dikujt tjetër? 

Komuna e Tetovës ia mundësoi legalizimin e vikend shtëpizës në Kodrën e Diellit, Faton Murselit (ish zëdhënës i Komunës së Tetovës), bashkëshorjtja e të cilit, Revide Ramani Murseli është kryetare e Komisionit të Urbanizmit në komunë. 

Vikend shtëpiza edhe pse ishte e ndërtuar në vitin 2024, një rrjet gjeodezistësh, zyrtarësh komunalë dhe inspektorësh bënë gjithçka që mundën për të bërë të duket se vila ishte ndërtim pa leje që u legalizua para vitit 2011. IRL nxori në pah se abuzimet përfshinë raport të pasaktë gjeodezik dhe inspektim të falsifikuar. 

Agjencia e Kadastrës konfirmoi të gjeturat e IRL-së se kishte parregullsi në procedurën e legalizimit të objektit. 

Pas kësaj, Inspektorati Shtetëror Administrativ ka nisur inspektim të jashtëzakonshëm në Sektorin e Urbanistikës dhe në Inspektoratin Komunal në Tetovë, prokurori publik është duke mbledhur informacione, ndërsa MPB ka njoftuar për paraqitjen e kallëzimit pas dokumentimit të gjitha detajeve lidhur me legalizimin e paligjshëm të shtëpisë verore në Kodër të Diellit të profesorit Faton Murseli. 

Foto: IRL
Foto: IRL

Si e lejoi Kasami shitjen e Monopollit? 

Në muajin mars 2025 opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa. 

Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi. 

Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal aktual i Tetovës, shumicën e të cilit e përbëjnë Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.

Pra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.

Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.   

Monopolli - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Monopolli – Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në letër katër kate, në terren tetë 

Një tjetër shkelje të cilën e zbuloi BIRN, nxori në pah se investitorët e ndërtimeve ndryshojnë Planet Detale Urbanistike sipas dëshirës së tyre edhe përderisa janë duke ndërtuar, kurse autoritetet komunale i mbështesin dhe u marrin taksa komunale.

Sipas hulumtimit, u zbuluan shtatë raste ku investitorët kishin marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të ulëta, ndërkohë që menjëherë kishin hedhur themele për më të larta dhe me komunën kishin filluar procedurë për ndryshimin e planit urbanistik, pra për përshtatjen e tij me planin e tyre të biznesit. 

Një shembull të tillë drastik ka në qendër të Tetovës në një parcelë ku planifikuesit profesional kanë parashikuar një ndërtesë katërkatëshe, është ndërtuar një ndërtesë tetëkatëshe, pra dy herë më e lartë. 

Në PDU ndërtesë katërkatëshe, në tokë është ndërtesë dy herë më e lartë | Foto: BIRN
Në PDU ndërtesë katërkatëshe, në tokë është ndërtesë dy herë më e lartë | Foto: BIRN

Ndryshimi që nuk erdhi 

Nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” duke komentuar rastet e lartpërmendura thotë se udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës erdhi në krye të institucionit me premtime për të sjellë ndryshimin në Tetovë. Por, siç thonë ata, ky ndryshim nuk ndodh dhe problemet urbanistike vazhdojnë të ekzistojnë. 

Më Mirë për Tetovën (MMPT). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Më Mirë për Tetovën (MMPT). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Bilall Kasami jo vetëm që nuk arriti ta luftojë këtë fenomen, por përkundrazi, ndryshimet e planeve urbanistike dhe ndërtimet pa leje lulëzuan gjatë mandatit të tij. Kjo udhëheqësi do të mbahet mend për skandale të njëpasnjëshme në fushën e urbanizmit”, thonë nga Më Mirë për Tetovën. 

Ata thonë se Kasami në vend se të mbrojë interesat e Tetovarëve dhe të luftojë mafian urbane, tani mbron interesat e investitorëve milionerë duke vazhduar me skemat e njëjta si nga udhëheqësitë e kaluara, dhe se është bërë bashkëpunëtor i preferuar i mafias urbane. 

“Kujtojmë se kur Më mirë për Tetovën ishte pjesë e këshillit të komunës së Tetovës vendosi moratorium dhe ndaloi çështjen e Shik Jellakut. Ndërsa skemat kriminale urbanistike vazhduan pasi që tani askush nuk mbron interesat e qytetarëve në këshill”, thanë nga Më Mirë për Tetovën. 

Praktikë që duhet të ndalet 

Shkeljet e tilla në fushën e urbanizmit janë praktikë që duhet të ndalet. Kështu i tha Portalbit Liridon Disha, koordinator i këshilltarëve të BDI-së në Këshillin Komunal të Tetovës.

Liridon Disha (këshilltar i BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Liridon Disha (këshilltar i BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Tani më janë bërë thuaj se 4 vjet që prej kur ne i kemi bërë thirrje edhe Kryetarit të Komunës, edhe Inspektoratit Komunal, por edhe Këshilltarëve Komunale të shumicës që ta ndërpresin këtë mënyrë të funksionimit. Por, për fat të keq, siç më edhe shihet, Komuna është në një kaos të paparë. Ajo mbahet në jetë përmes manovrave improvizuese të udhëheqësisë aktuale”, tha Disha. 

Ai shtoi se gjithçka që sot bëhet në komunë është në shërbim të një grupi të ngushtë të cilët përfitojnë në kurriz të taksapaguesve tetovarë. 

Për gjithë këto raste kërkuam qëndrim nga Komuna e Tetovës se pse kanë lejuar këto ‘shkelje’, por nga ky institucion nuk na u përgjigjën. 

Përndryshe, në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmenden edhe problemet urbanistike, konkretisht në faqe 22 thuhet: 

  • “Do të revidojmë dhe zgjerojmë Planin Urbanistik për të lejuar ndërtimin e komplekseve banesore, apo edhe qendrave biznesore, sipas standardeve ku së paku 1/3 e hapsirës të jetë me pjesë të gjelbëruar dhe me zona rekreacioni.
  • Lëvizja Besa nuk do të lejojë ndërtime pa leje. Gjithë politika urbane do të fokusohet në zgjerimin e zonave urbane dhe jo ngulfatjen e zonave ekzistuese.” 

Por, tre vite e disa muaj më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren. Madje në Tetovë këto vite janë ndërtuar disa ndërtesa të reja, edhe atë në zonat qendrore. Ndërkaq Tetova nuk ka ende park të qytetit. 

Ndryshe, Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.