ANALIZË: Për një vit “borxhi i brendshëm” në RMV u rrit për 217 milionë euro, 38% u takon tre kompanive shtetërore
Në nivel vjetor, ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti dhe kompanitë në pronësi shtetërore e kanë “fryrë” ndjeshëm borxhin e brendshëm, me një rritje prej mbi 217 milionë euro. Ndërmarrjet publike komunale dhe komunat gjithashtu raportuan rritje të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara. Sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, vetëm tre kompani në pronësi shtetërore “gjenerojnë” […]


Në nivel vjetor, ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti dhe kompanitë në pronësi shtetërore e kanë “fryrë” ndjeshëm borxhin e brendshëm, me një rritje prej mbi 217 milionë euro. Ndërmarrjet publike komunale dhe komunat gjithashtu raportuan rritje të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara. Sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, vetëm tre kompani në pronësi shtetërore “gjenerojnë” madje 38% të totalit të borxhit të brendshëm.
Ndërmarrjet publike shtetërore dhe lokale “liderë” për sa i përket borxhit
Në fund të vitit 2024, totali i borxhit të brendshëm arriti në 626,3 milionë euro, që është për 217,4 milionë euro më shumë se borxhi i prapambetur i raportuar në vitin 2023. Të dhënat e reja të përmbledhura për vitin 2024 tregojnë se në nivel vjetor, detyrimet e brendshme të prapambetura, por të papaguara, janë rritur pothuajse në të gjitha grupet e subjekteve në nivel qendror dhe lokal. Ka një trend të zvogëlimit të borxhit në nivel gjashtëmujor – në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, detyrimet e brendshme arritën në 660,8 milionë euro dhe në krahasim me gjysmën e dytë ekonomike të vitit, ato janë ulur për 34,5 milionë euro.]
Analiza krahasuese e “Portalb”-it në nivel vjetor tregon se borxhi i prapambetur i ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare në pronësi shtetërore, pothuajse është dyfishuar nga 167,5 milionë euro në vitin 2023 është rritur në 343,5 milionë euro në vitin 2024.
Në vend të dytë sipas shumës së borxhit janë ndërmarrjet publike komunale të cilat në fund të vitit të kaluar gjithashtu e kanë rritur ndjeshëm borxhin e tyre në krahasim me vitin 2023 – kanë raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 113,7 milionë euro, që është një rritje prej gati 38 milionë euro krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Komunat me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 60,7 milionë euro, janë të tretat në listën e “subjekteve me borxh më të madh”, kurse detyrimet e tyre janë rritur për 2 milionë euro krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Shëndeti publik për një vit e ka ulur borxhin për gati 7 milionë euro, kështu që në fund të vitit të kaluar ai ka qenë 54,4 milionë euro, por me gjithë uljen, ky sektor ende renditet lart sipas shumës së detyrimeve të prapambetura, por të papaguara. Pjesa e mbetur e borxhit të brendshëm bie mbi përdoruesit e buxhetit të linjës së parë dhe të dytë (ministritë, agjencitë, institucionet e arsimit, kulturës, politikës sociale, etj.), më pas tek organet rregullatore, rajonet e planifikimit.
Mbi çfarë baze janë borxhet më të mëdha
Të dhënat e reja të përmbledhura për vitin 2024 tregojnë se shumat më të larta të borxhit janë për shërbimet komunale, ngrohje, komunikime dhe mbi këtë bazë borxhet e prapambetura arritën në 120 milionë euro, kurse në bazë të kryegjësë për kreditë ndaj niveleve të tjera të pushtetit borxhi ka arritur në gati 113 milionë euro, ndërsa borxhi në bazë të “shpenzimeve të tjera aktuale” arriti në 69,4 milionë euro.
Në bazë të “shërbimeve kontraktuale” borxhi arriti në 58,6 milionë euro, kurse për materiale dhe inventar të imët janë raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara prej 58,2 milionë euro.
Në listën e re të borxhlinjve të Ministrisë së Financave, në vend të parë me një borxh prej 112,8 milionë euro është kompania shtetërore Nimagas, në vendin e dytë është kompania shtetërore HM Transporti me 69,2 milionë euro, kurse në vendin e tretë është HM Infrastruktura me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 58,8 milionë euro. Nga llogaritja e “Portalb”-it rezulton se vetëm këto tre kompani shtetërore përbëjnë 38,4% të totalit të borxhit.