Vija e hollë midis komunikimit të shëndetshëm dhe gjuhës së urrejtjes, nga të dy anët e kamerës
Emisionet e njohura të debatit, mysafirët e rregullt dhe të dy anët e kamerës. Para saj – vija e hollë midis komunikimit të shëndetshëm dhe gjuhës së urrejtjes. Pas kamerës – pasojat të cilat i bart shoqëria kur do të kalohet kufiri. Televizioni nuk është fushë ku njeriu pret të dëgjojë fyerje, kualifikime personale dhe […]


Emisionet e njohura të debatit, mysafirët e rregullt dhe të dy anët e kamerës. Para saj – vija e hollë midis komunikimit të shëndetshëm dhe gjuhës së urrejtjes. Pas kamerës – pasojat të cilat i bart shoqëria kur do të kalohet kufiri. Televizioni nuk është fushë ku njeriu pret të dëgjojë fyerje, kualifikime personale dhe fjalor të pahijshëm. Megjithatë, çfarë mund të shkojë keq?! Komunikologët e kuptojnë, aktivistët e të rinjve reagojnë dhe të gjithë bëjnë thirrje, le të rivlerësojmë veten dhe të shohim se çfarë të ndryshojmë, shkruan TV Telma, transmeton Portalb.mk.
Gjuha e urrejtjes është prezente në komunikimin tonë prej vitesh. Ajo nxitet nga politikanët, “ushqehet” nga dëshira për pushtet dhe e gjithë kjo është arsyeja kryesore e krijimit të kulturës politike joparticipative.
Në ditët e sotme, politikanët dhe personat e tjerë publikë nuk përmbahen nga shprehja e gjuhës së urrejtjes në forma të ndryshme, qoftë edhe në debatet publike në televizion.
“Është e papëlqyeshme të mendohen, e lëre më të përsëriten frazat që gjatë dhjetë viteve të fundit I kemi dëgjuar nga folësit e partive, në emisionet e debatit dhe i kemi lexuar në njoftimet dhe reagimet e partive politike në vend… Pa përmendur faktin se as që mendohet dy herë që ndonjë individ të shahet dhe të etiketohet thjesht për faktin se shpreh qëndrim personal ose profesional që përmban mospërputhje me ndonjë politikë të caktuar të qeverisë apo qëndrim të partisë politike. Dhe e gjithë kjo çon në krijimin e komunikimit politik krejtësisht të papërshtatshëm dhe gjithnjë e më radikal dhe të kulturës politike joparticipative. Ideja e partive është e thjeshtë dhe tashmë as nuk fshihet, e ajo është ruajtja apo marrja e pushtetit, por me çdo kusht”, thotë Bojan Kordallov, komunikolog, në përgjigje për TelmaTV.
Gjuhën e urrejtjes nuk duhet ta barazojmë me lirinë e të folurit. Ky është qëndrimi i aktivistit të të rinjve, Stefan Atanasovski Trajkoviq. Ai i lokalizon pasojat që lindin nga mungesa e komunikimit të shëndetshëm.
Problem tjetër është se fyerjet, kualifikimet personale dhe fjalori i papërshtatshëm i politikanëve dhe personave të tjerë publikë pothuajse gjithmonë marrin vëmendjen dhe tërheqjen më të madhe në publik.
Përshtypja është se pjesët e tonit dhe fragmentet nga emisionet ku pjesëmarrësit në debat përdorin fjalorin “e qartë” janë përmbajtjet më të shikuara dhe më të komentuara në internet, shpeshherë duke i lënë në hije pikat dhe argumentet e tjera që ia vlen të dëgjohen.
“Ka tendencë që qytetarët të krahasohen me personat që fitojnë hapësirë publike dhe përdorin gjuhën e urrejtjes. Kur qytetarët e shohin këtë, shumë lehtë mund të konkludojnë se pasi në hapësirën publike jepet vend për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, atëherë edhe ata mund ta përdorin atë dhe kjo normalizohet. Gjuha e urrejtjes defokusohet nga temat e rëndësishme shoqërore për të cilat është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi debat konstruktiv, sepse ato na prekin të gjithëve. Ndoshta gjuha e urrejtjes ka potencialin të bëhet virale në rrjetet sociale dhe të shkaktojë shumë reagime, komente dhe aktivitete, por në llogari të kësaj, problemet dhe shqetësimet reale të qytetarëve, siç janë të ardhurat e tyre, dhe pastaj nëse ato të ardhura mund t’i plotësojnë nevojat themelore të njeriut dhe të sigurojnë jetë të lumtur, shërbimet publike në shëndetësi, arsim, infrastrukturë vihen në plan të dytë”, thotë në përgjigjen e tij për Tv Telma, Stefan Anasovski Trajkoviq, aktivist i të rinjve.
Kur bëhet fjalë për rrjetet sociale, konkluzioni është se ato janë “pasqyrë” e asaj që ndodh në jetën e përditshme. Kjo hapësirë është e disponueshme për të gjithë, publikimet në internet krijohen nga ne, ndërsa të ushqyerit me përmbajtje përmes së cilës normalizohet komunikimi i pashëndetshëm drejtpërdrejt shkakton zhgënjime midis njerëzve në afat të gjatë.
“Fotografia atje është plot me gjuhën e urrejtjes dhe nënçmime, dhe sigurisht që nuk na pëlqen, por ky është realiteti. Nëse duam ta ndryshojmë, nuk duhet të “mjekojmë” pasojën (në këtë rast rrjetet sociale), por shkakun (në këtë rast mënyrën e komunikimit të politikanëve, si dhe mënyrën e komunikimit shoqëror që reflektohet më tej për shkak të saj),” konkludoi komunikologu Kordallov.
“Sipas meje, po bëhemi gjithnjë e më shumë “komb urrejtës”, që është rezultat I drejtpërdrejtë I nivelit në të cilin mbahet komunikimi në hapësirën publike dhe pranisë më të madhe të gjuhës së urrejtjes. Si ndonjë lloj varësie, gjuha e urrejtjes na bën të ndihemi më mirë për një moment, gjë që na bën edhe vetë t’I injorojmë sfidat dhe problemet reale,” shtoi aktivisti i të rinjve Atanasovski Trajkoviq.
Në adresën e personave publikë dhe liderëve të komunitetit edhe kësaj here ka mbërritur vetëm thirrja për t’u udhëhequr me shembull dhe për të komunikuar në mënyrë konstruktive, ndërkaq mediat të ofrojnë gazetari cilësore në vend që të “vazhdojnë” atraktivitetin.
Përndryshe, rezultati do të jetë që shoqëria të jetojë e izoluar në “botën” e saj, duke mohuar se ekzistojnë bindje dhe qëndrime të ndryshme, sikur të mos pranojmë që ato janë po aq të rëndësishme dhe korrekte, si edhe bindjet dhe qëndrimet tona. Ky është konkluzioni i bashkëbiseduesve tanë.
Dhe, si obligim i organeve kompetente mbetet detyra të hartojnë dhe të miratojnë zbatim konsekuent të rregullativave strikte të orientuar kundër gjuhës së urrejtjes, sipas shembullit të rregullativave evropiane.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re.
Autor: Petar Dogov