Ankohen prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore “Pjetër Bogdani”: “Me paret tona janë tu i ngjitë klimat”
Shkollimi i fëmijëve është kthyer në barrë financiare për prindërit, ndonëse vijojnë mësimet në shkolla publike. Në ambientet ku shteti duhet të sigurojë kushtet që fëmijët lirshëm të mbajnë orët mësimore, janë prindërit ata që me para nga xhepat e tyre, investojnë në blerjen e inventarit e materialeve tjera bazë. Ekipi i Kiks Kosovës, gjatë


Shkollimi i fëmijëve është kthyer në barrë financiare për prindërit, ndonëse vijojnë mësimet në shkolla publike.
Në ambientet ku shteti duhet të sigurojë kushtet që fëmijët lirshëm të mbajnë orët mësimore, janë prindërit ata që me para nga xhepat e tyre, investojnë në blerjen e inventarit e materialeve tjera bazë.
Ekipi i Kiks Kosovës, gjatë bisedës me të ëmën e një prej nxënësve të Shkollës Fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, kuptoi që prindërve po u kërkohen që të mbledhin para për të blerë materiale të ndryshme.
E për blerjen dhe vendosjen e klimave, as drejtoria e shkollës nuk heziton që përmes Facebook-ut të falënderojë publikisht prindërit që kontribuuan për to.
I njëjti avaz, si duket po vazhdon edhe në një shkollë tjetër të kryeqytetit.
Fjala është për Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Hasan Prishtina”, prindërit e nxënësve të së cilës kanë trokitur në dyert e Kiks Kosovës me një hall të përbashkët.
Sipas një prindi, ata janë në presion të vazhdueshëm për të dhënë të holla për të lyer muret e klasave, blerjen dhe vendosjen e perdeve, blerjen e pajisjeve si laptopë e projektorë, e pajisje të tjera.
Shqetësuese, sipas tij, është fakti që ata nuk guxojnë të reagojnë publikisht apo edhe të kërkojnë detaje nga drejtoria e shkollës se pse kërkohen para nga ta, ngase sipas tij, pasojnë sjellje hakmarrëse nga disa mësues.
Sipas informacioneve që prindërit kanë ndarë me emisionin përmes postës elektronike, vetëm për një fëmijë, një prind është detyruar të paguajë mbi 180 euro për blerjen e disa gjërave bazike.
Andaj, krejt kjo situatë, konsiderohet e padrejtë nga ta. Sipas prindit të njërit prej fëmijëve që vijon mësimet në “Hasan Prishtina”, në 2024-ën kanë mbledhur para për të blerë perde për klasa, e këtë vit sërish kanë mbledhur, sipas tij, para për të njëjtën çështje. /Klankosova.tv
