Ansambli Muzikor i Tetovës: Strategjia e kulturës jep pasqyrë të pasaktë, të korrigjohet menjëherë (Dokument)
Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Tetovë ka paraqitur zyrtarisht vërejtjet ndaj Draft Strategjisë për Zhvillimin e Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2026–2030, ku mes tjerash thuhet se ky Ansambël funksionon me kapacitete të kufizuara dhe nuk e përjashton racionalizimin e tij, raporton Portalb.mk. Tekstin e strategjisë sipas të cilës Ansambli […]
Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Tetovë ka paraqitur zyrtarisht vërejtjet ndaj Draft Strategjisë për Zhvillimin e Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2026–2030, ku mes tjerash thuhet se ky Ansambël funksionon me kapacitete të kufizuara dhe nuk e përjashton racionalizimin e tij, raporton Portalb.mk.
Tekstin e strategjisë sipas të cilës Ansambli i Tetovës ka “kapacitet të kufizuar hapësinor për veprim, me dy persona të punësuar”, për çka si zgjidhje Strategjia parasheh se “në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare”, nga Anambli Muzikor e konsiderojnë se nuk e pasqyron gjendjen reale dhe bazohet në informacione të paplota.
“Nuk janë marrë parasysh shkaqet kyçe që kanë çuar në këtë gjendje të institucionit nacional, përkatësisht mungesa e mbështetjes së mjaftueshme nga ana e Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, e cila në përputhje me Ligjin për Kulturën (Neni 8, Neni 24, paragrafi 3) ka obligim të sigurojë kushte të përshtatshme për funksionimin dhe zhvillimin e institucioneve kombëtare, si dhe të kujdeset për avancimin dhe afirmimin e kulturës së të gjitha bashkësive”, thonë nga Ansambli Muzikor i Tetovës.
Vërejtjet e tyre kryesore janë se: vlerësimi është i gabuar, punësimet janë bllokuar nga shteti, institucioni funksionon madje me sukses, qasje e pabarabartë nga ministria, racionalizimi/fuzionimi do ishte gabim dhe strategjia duhet të korrigjohet.
“Konsiderojmë se është e domosdoshme që pjesa kontestuese e pikës 2.1.6 të korrigjohet, me qëllim që të pasqyrojë gjendjen reale dhe të sigurojë një qasje konsekuente zhvillimore ndaj institucioneve kombëtare”, thonë nga Ansambli i Tetovës.
Ky është dokumenti i plotë.
Pse rrezikohet Ansambli i Tetovës?
Në përputhje me Ligjin për kulturën, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar draft-tekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.
Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024.
Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’.
Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.
“Për këtë arsye, në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare, përmes një analize të qartë të rolit dhe shtrirjes së tyre programore”, thuhet mes tjerash në strategji.
Ministria e Kulturës: Ansambli i Tetovës nuk do të mbyllet, do të analizohen 72 institucione të kulturës
Nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk thonë se Ansambli nuk do të mbyllet, megjithatë thonë se do të vendoset në periudhën në vijim për institucionet që funksionojnë me kapacitete të kufizuara.
“Në Strategjinë Kombëtare askund nuk është theksuar se Institucioni Kombëtar “Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut” – Tetovë, apo ndonjë institucion tjetër, do të mbyllet”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Ministria thotë se në periudhën në vijim do të realizojë një analizë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të rrjetit ekzistues prej 72 institucionesh kombëtare, nga e cila pritet të dalin tregues të qartë për veprimet e ardhshme.
“Qëllimi i kësaj fushe prioritare është krijimi i një sistemi institucional kulturor funksional dhe efikas”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Sa i përket kapaciteteve kadrovike, Ministria thotë se pas disa vitesh nga themelimi, disa institucione ende nuk janë të kompletuara me staf.
Në këtë drejtim, ata thonë se ky segment i strategjisë kombëtare pritet të japë një pasqyrë të qartë të gjendjeve dhe nevojave të institucioneve, kapaciteteve dhe mundësive, si dhe të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e këtyre sfidave të evidentuara në disa institucione kulturore, duke krijuar mekanizma për institucione kulturore të forta, autonome dhe moderne që do ta zhvillojnë kulturën në shtet në të gjitha veprimtaritë dhe fushat.
Artistët në revoltë
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e artistëve të cilët kërkojnë që mos të lejohet mbyllja e këtij institucioni të rëndësishëm për kulturën në vend. Ndaj kësaj situate kanë reaguar violinisti Xhafer Xhaferi, dirigjentja Agona Çupi, këngëtari dhe instrumentisti Vullnet Neziri, dirigjenti Premtim Etemi, profesori dhe kompozitori Fatos Lumani etj.
BDI: Kujt po i pengon Ansambli Muzikor në Tetovë?
Për mbylljen e mundshme të Ansamblit Muzikor në Tetovë kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar. Bajram Rexhepi nga kjo parti thotë se gjatë kohës së qeverisjes së tyre u themelua ky institucion, ku u morën edhe pëlqimet për punësimin e 24 artistëve.
“Me ardhjen e qeverisë VMRO–VLEN, në mbledhjen e parë të saj, në qershor 2024, u ndërpre dhe u pezullua procedura e punësimit. Ky ishte akti që e goditi drejtpërdrejt Ansamblin Muzikor në Tetovë dhe ia pamundësoi funksionimin normal. Që nga ajo ditë, institucioni ka kërkuar vazhdimisht punësimet e domosdoshme, por është përballur me heshtje të qëllimshme institucionale. Sot, të njëjtët, në dokumentin e ashtuquajtur „Strategjia Nacionale për Zhvillim të Kulturës 2026–2030″, mundohen ta paraqesin atë si institucion me kapacitet të kufizuar dhe si barrë për sistemin të cilit i nevojitet “racionalizim”. Kjo nuk është analizë objektive, por sabotim i qëllimshëm politik që tenton të zhbëjë dhe penalizojë kulturën shqiptare”, tha Rexhepi.
Kasami: Punësimet dhe funksionalizimi prioritet, statusi mbetet çështje organizative
Njëri nga liderët e VLEN-it në pushtet, Bilall Kasami thotë se më me rëndësi është të realizohen punësimet se sa nëse Ansambli do mbetet si institucion i veçantë apo do të shkrihet në ndonjë institucion tjetër.
Kasami thotë se ende nuk ka vendim përfundimtar dhe se bëhen analiza, por ai thotë se nëse në rang shtetëror do të vendoset për riorganizimin e gjithë këtyre institucioneve atëherë sigurisht që do përfshihet edhe ansambli, nëse vendoset që të mbeten ashtu siç janë, do të mbetet edhe Ansambli.
“Ajo që për ne është me rëndësi që ai institucion të vendoset në funksion dhe në shërbim të qytetarëve duke nisur fillimisht nga punësimi i punëtorëve kulturor të këtij Ansambli dhe po punohet në drejtim të marrjes së pëlqimit për punësimin e të njëjtëve. Pjesa tjetër, edhe pse ne besojmë që duhet të vendoset në funksion ashtu siç është edhe në bazë të vendimit për themelim të Ansamblit, por për ne më me rëndësi është punësimi i kuadrit të Ansamblit dhe i njëjti të vendoset në funksion të plotë të kulturës, pjesa tjetër është çështje organizative, a do jetë në Kuadër të Pallatit të Kulturës a do të jetë institucion në vete”, tha Kasami.
Portalb alarmoi për këtë problem që në 2024
Në tetor 2024 Portalb.mk shkroi për zvarritjen e ri-shpalljes së konkursit për punësime në Ansamblin e Tetovës, institucion i cili koncertin e parë promovues e pati në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Pak para fazës së fundit të punësimit të 19 artistëve dhe 3 administratorëve në Ansamblin e Tetovës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për bllokimin e të gjitha pëlqimeve për punësim që ishin dhënë deri para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare. Që atëherë nuk janë realizuar punësime në këtë institucion ndërsa procedurat janë zvarritur.
Si pasojë, ky institucion mbeti pa artistë dhe pa administratorë, vetëm me dy të punësuar. Ndërkaq, aktivitetet vjetore deri më tani i ka realizuar përmes angazhimit të artistëve me kontrata në vepër.