Armend Zemaj: LDK ka vepruar pa interesa personale, ka ofruar gjithçka për shtetin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj, në Politiko tha se qytetarët e Kosovës kanë pritur një zhvillim pozitiv në ditët e fundit të afateve kushtetuese për përmbylljen e krijimit të institucioneve shtetërore. Sipas Zemajt, LDK-ja, përmes grupit të saj parlamentar dhe organeve vendimmarrëse, ka autorizuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, që të krijojë


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj, në Politiko tha se qytetarët e Kosovës kanë pritur një zhvillim pozitiv në ditët e fundit të afateve kushtetuese për përmbylljen e krijimit të institucioneve shtetërore.
Sipas Zemajt, LDK-ja, përmes grupit të saj parlamentar dhe organeve vendimmarrëse, ka autorizuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, që të krijojë mundësi të reja për zgjidhjen e situatës politike, duke përfshirë edhe pozitën e presidentit si një kategori kushtetuese unifikuese.
Ai theksoi se presidenti duhet të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo fetar, në përputhje me parimet demokratike të shtetit të ri dhe të pavarur.
Zemaj shtoi se kontributi i LDK-së ka qenë i fokusuar në interesin shtetëror dhe jo në përfitime politike apo personale. Ai e cilësoi partinë si institucionaliste, duke theksuar se kanë ofruar gjithçka nga kapacitetet e tyre për të ndihmuar në konsolidimin e institucioneve.
“Kontributi ynë në këtë drejtim ka qenë duke mos shikuar interesin tonë personal dhe politik. Kontributi ynë ka qenë në atë që na karakterizon si parti institucionaliste, duke dhënë shumë nga vetja dhe duke ofruar gjithçka për shtetin dhe për Republikën e Kosovës”, tha Zemaj në Politiko.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se LDK-ja ka vënë në dispozicion edhe votën e saj në Kuvend, me synimin që vendi të ketë një president konsensual, i cili do të ndihmojë në tejkalimin e krizës kushtetuese që, sipas tij, vazhdon që nga viti i kaluar, pavarësisht funksionimit të Kuvendit dhe Qeverisë./Gazeta 10
Deklarata e plotë: https://youtu.be/rbVJnJGsPRo
