Arsyetohet EMV: Tenderin e ri prej një milion euro për kompaninë Markovski e ka realizuar ish-menaxhmenti

Tenderi i ri të cilin e fitoi “Kompania Markovski” në REK Manastir është vepër e menaxhmenteve të mëparshme të EMV-së dhe Kombinatit të Manastirit, thonë nga termocentralet shtetërore. Në një The post Arsyetohet EMV: Tenderin e ri prej një milion euro për kompaninë Markovski e ka realizuar ish-menaxhmenti appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

tetor 23, 2024 - 02:00
 0  11
Arsyetohet EMV: Tenderin e ri prej një milion euro për kompaninë Markovski e ka realizuar ish-menaxhmenti

Tenderi i ri të cilin e fitoi “Kompania Markovski” në REK Manastir është vepër e menaxhmenteve të mëparshme të EMV-së dhe Kombinatit të Manastirit, thonë nga termocentralet shtetërore. Në një deklaratë për media, EMV përsërit disa herë se gjithçka është sipas ligjit dhe është respektuar procedura e plotë, përcjell FLAKA.

Edhe pse drejtori i ri i REK Manastir ka nënshkruar kontratën, EMV thotë se paraprakisht kanë kontrolluar nëse çmimet e ofruara nga “Kompania Markovski” janë të tregtueshme. Thirrja publike është shpallur në maj, vendimi për përzgjedhjen është nënshkruar në gusht nga drejtori i mëparshëm i REK Manastir dhe shefit të ri të kombinatit i ka mbetur vetëm të nënshkruajë kontratën, por vetëm pas shqyrtimit të çmimeve të tregut.

“Në thirrjen aktuale publike të vitit 2024 janë arritur çmimet për njësi për fuqi punëtore, të cilat janë rreth 40 për qind më të ulëta krahasuar me çmimet e arritura në vitin 2022 dhe 2023, sipas kriterit të çmimit më të ulët. Në dy vitet e fundit, ofertues i vetëm për të njëjtën thirrje ishte kompania “Kompania Markovski”, ndërsa në vitin 2024 – pesë kompani ishin regjistruar, katër prej të cilave morën pjesë në të ashtuquajturin “ankand negativ” përmes të cilit u arrit çmimi më i ulët nga kompania e specifikuar”.

Mediat dje njoftuan se kompania Markovski, e cila në kohën e LSDM-së rregullisht merrte tenderë milionësh në REK Manastir, nga menaxhmenti i ri i termocentraleve shtetërore, ka marrë kontratë të re në vlerë mbi një milion euro, për angazhimin e punëtorëve për ndërhyrjet mekanike në 12 muajt e ardhshëm. Kontrata është nënshkruar vetëm tre ditë para se VMRO-DPMNE të publikojë një video në YouTube duke kritikuar këtë kompani.

Sipas analizave të Qendrës për Komunikim Civil, Kompania Markovski është kompania që ka pasur pjesëmarrjen më të madhe në prokurimin publik vitin e kaluar, me gjithsej 20 kontrata me EMV, në vlerë prej 52 milionë euro. Të gjitha kontratat janë për marrjen me qira të makinerive dhe punës në REK Manastir. Pronari Borçe Markovski, i cili rrallë shfaqet në publik, është konsull nderi i Bjellorusisë në vend. EMV tha se kontrata e re me kompaninë Markovski është kornizë, sipas së cilës paguhet për angazhim, gjegjësisht vetëm nëse fabrika ka nevojë për staf të tillë gjatë operimeve të caktuara.

Nga EMV thonë se nuk kanë ndërmend të bëjnë përzgjedhje politike të kompanive pjesëmarrëse në tenderë. Çdo kompani dhe operator potencial që paraqitet në thirrjet publike i nënshtrohet dhe do t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar, në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik dhe sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara për pjesëmarrje, thonë nga aty. FLAKA

The post Arsyetohet EMV: Tenderin e ri prej një milion euro për kompaninë Markovski e ka realizuar ish-menaxhmenti appeared first on Flaka, në çdo lajm... .