ASH-Dibër kritikon Zekollin pas deklaratave serbe për ndalimin e Korridorit 8
Dega e Aleancës për Shqiptarët në Dibër ka reaguar ashpër ndaj zëvendësministres së Transportit, znj. Zekolli, duke e akuzuar për mungesë të rezultateve konkrete dhe për qasje joserioze ndaj projekteve The post ASH-Dibër kritikon Zekollin pas deklaratave serbe për ndalimin e Korridorit 8 appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Dega e Aleancës për Shqiptarët në Dibër ka reaguar ashpër ndaj zëvendësministres së Transportit, znj. Zekolli, duke e akuzuar për mungesë të rezultateve konkrete dhe për qasje joserioze ndaj projekteve infrastrukturore. Reagimi vjen pas raportimit në Gazetën Flaka se Ministri serb i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, ka deklaruar hapur se vendimi i regjimit të Aleksandar Vuçiç ka ndikuar në ndalimin e zhvillimit të Korridorit 8 – projekt strategjik që synonte lidhjen e Detit të Zi me Adriatikun.
“Bashkimi Evropian imponoi korridorin nga Bullgaria në Shqipëri, si dhe atë nga Rumania në Greqi. Ne e kemi parandaluar këtë skenar të errët për Serbinë me vendimin e Aleksandar Vuçiçit për të filluar investimet në linjën hekurudhore të Korridorit 10,” deklaroi Vesiç.
Ai shtoi se “Serbia duhet të luftojë për të qenë vend qendror përmes të cilit kalojnë të gjitha linjat hekurudhore.”
Sipas raportimeve të BGNES, deklaratat e Vesiç përbëjnë një pranim të drejtpërdrejtë të përfshirjes së Beogradit në frenimin e Korridorit 8, projekt me rëndësi të madhe gjeostrategjike për rajonin. Korrespondenti i BGNES nga Shkupi rikujton se një nga vendimet e para të qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski ishte ndalimi i punimeve për Korridorin 8, ndërsa zëvendësi i tij, Aleksandar Nikoloski, kishte tentuar të ridrejtonte fondet evropiane të siguruara për këtë korridor drejt Korridorit 10.
Në reagimin e saj, Aleanca për Shqiptarët thekson se prania e zëvendësministres Zekolli “po reduktohet në paraqitje për fotografi”, ndërsa mungojnë projektet e reja dhe vendimmarrja konkrete:
“Për projekte të reja nuk ka as vullnet, as guxim dhe as përgjegjësi. Kur vasaliteti arrin kulmin, zhvillimi zhduket,” thuhet në reagim.
Partia kritikon edhe qasjen ndaj projekteve strategjike, duke theksuar se po ndodh degradim i drejtpërdrejtë i tyre:
“Korridorin që lidh qytetet shqiptare e zhbëtë, ndërsa rrugën e Bllacës, nga një projekt autostrade, po e degradoni në rrugë të kategorisë së dytë. Ky nuk është progres, është kthim mbrapa dhe nënçmim për qytetarët.”
Aleanca për Shqiptarët ngre pyetje të drejtpërdrejta për fatin e projekteve kyçe infrastrukturore:
“Ku ka mbetur Rruga e Arbrit në pjesën e Maqedonisë? Ku ka mbetur lidhja me Korridorin 8? Apo edhe këto projekte strategjike do të kenë të njëjtin fat si rruga e Bllacës dhe ajo e Strugës?”
Mesazhi përfundimtar i partisë është i qartë: qytetarët nuk duan propagandë apo fotografi, por punë, projekte dhe dinjitet.
“Qytetarët nuk ushqehen më me propagandë dhe fotografi. Ata kërkojnë punë, projekte dhe dinjitet, sepse për këto u premtuat.”
Burimi: BGNES – Gazeta Flaka
The post ASH-Dibër kritikon Zekollin pas deklaratave serbe për ndalimin e Korridorit 8 appeared first on Flaka, në çdo lajm... .