ASh: Oktopodi i Botës Serbe po mbyt Maqedoninë, VLEN në shërbim të tij

Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësimin e thellë për ndërhyrjet e vazhdueshme të të ashtuquajturës “Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar se ky projekt është një rrezik i The post ASh: Oktopodi i Botës Serbe po mbyt Maqedoninë, VLEN në shërbim të tij appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

shtator 18, 2025 - 10:30
 0
ASh: Oktopodi i Botës Serbe po mbyt Maqedoninë, VLEN në shërbim të tij

Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësimin e thellë për ndërhyrjet e vazhdueshme të të ashtuquajturës “Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar se ky projekt është një rrezik i drejtpërdrejtë për sovranitetin dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

“Ky koncept politik, i ndërtuar mbi modelin e ‘Botës Ruse’, nuk është vetëm një lojë simbolike, por një projekt i mirëfilltë që synon të minojë kufijtë ekzistues, të dobësojë shtetësinë dhe të pengojë të ardhmen europiane të vendit tonë dhe të gjithë rajonit,” thuhet në reagimin e Aleancës.

Sipas partisë, institucionet shtetërore po bëhen pjesë e këtij rrjeti përmes marrëveshjeve të dyshimta. “Nënshkrimi i memorandumit mes Fondit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Republikës Srpska është një shembull i qartë se si institucionet tona po futen në marrëdhënie që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Po ashtu, kontratat strategjike të MEPSO-s me kompani serbe për projekte kyçe të rrjetit energjetik ngrejnë dyshime serioze mbi varësinë energjetike dhe komprometimin e sigurisë sonë kombëtare.”

Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se ndikimi serb nuk ndalet vetëm në ekonomi. “Përmes rrjetit hotelier, sistemit bankar, telekomunikimeve dhe televizioneve serbe, ndërhyrja bëhet e gjithanshme dhe e qëndrueshme, duke krijuar varësi strukturore që shkojnë përtej marrëdhënieve normale ekonomike. Ndërkohë, përfshirja e zyrtarëve serbë në aktivitete politike dhe kulturore në vend, si rasti i fundit me pjesëmarrjen e Millorad Dodikut në Shkup, tregon qartë se ky projekt nuk është më i fshehur: është i hapur, i drejtpërdrejtë dhe antievropian.”

Partia thekson se situata bëhet edhe më alarmante me prezencën e strukturave paramilitare. “Paraqitja e grupeve me bereta të kuqe në qytete të Maqedonisë së Veriut është një sinjal i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Serbia po shfaqet qartë si shtet-proksi i Rusisë në rajon, duke përdorur instrumente të buta dhe të forta për të ndikuar mbi vendimmarrjen tonë strategjike.”

Në reagimin e saj, Aleanca akuzon edhe pushtetin aktual. “E gjithë kjo ndodh nën një qeveri që jo vetëm nuk e mbron vendin nga ky ndikim, por shpeshherë e legjitimon dhe e përforcon atë. VMRO-DPMNE, me partnerët e saj të koalicionit VLEN dhe ZNAM, në vend që të mbrojnë interesin kombëtar, paraqiten si protagonistë të këtyre zhvillimeve, duke i hapur derën një agjende të rrezikshme për stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.”

Duke përmbyllur reagimin, Aleanca për Shqiptarët nënvizon: “Orientimi europian dhe euroatlantik i vendit është i panegociueshëm. Sovraniteti nuk ka çmim dhe nuk mund të shitet në tavolinë për interesa të ngushta politike apo për marrëdhënie të dyshimta me qendra të jashtme. Maqedonia e Veriut duhet të qëndrojë larg agjendave të ‘Botës Serbe’ dhe ‘Botës Ruse’, sepse vetëm kështu mund të sigurohet stabiliteti dhe e ardhmja e gjeneratave të ardhshme.”

The post ASh: Oktopodi i Botës Serbe po mbyt Maqedoninë, VLEN në shërbim të tij appeared first on Flaka, në çdo lajm... .